I vetmi reagim gjakftohtë në PD/ Dorëhiqet roja i selisë pas 24 vitesh: S’më pëlqejnë disa reagime demokratësh, gjeni gjuhën e përbashkët!

312
Sigal

Në prag të “revolucionit paqësor” të lajmëruar në selinë e PD-së më 8 janar, mbështetësit e Bashës dhe Berishës janë rreshtuar në llogore, pa e fshehur inatin apo përbuzjen ndaj palës tjetër. Por, përtej rreshtimit të besnikëve në kampet përkatëse, një pjesë e demokratëve kanë thjesht keqardhje për atë që po ndodh me Partinë Demokratike.
Një prej tyre është Pëllumb Matraku, roja i brendshëm i selisë së PD-së. Dy ditë më parë ai njoftoi publikisht largimin nga puna, duke i kërkuar demokratëve të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Kam punuar 24 vite në PD. Jam shumë krenar që kam punuar me profesor doktor Sali Berishën. Në 2 legjislaturat e fundit kam punuar me Lulzim Bashën, i jam shumë mirënjohës. Sot (të mërkurën) bëra një largim para kohe sepse nuk më pëlqejnë disa reagime mes demokratësh. Bëni mirë të gjeni gjuhën, mos i bëni qejfin të tjerëve”, shkruan Matraku në “Facebook”.
Dorëheqja e rojës së PD është në fakt i vetmi reagim gjakftohtë në kampin e demokratëve që prej nisjes së përçarjes dhe kaosit që solli vendimi i Bashës për të përjashtuar nga grupi parlamentar ish-kryetarin Sali Berisha.