I vdekuri në “listën e të korruptuarve” të Edi Ramës, reagon e bija: Fali ati im, nuk dinë ç’bëjnë!

558
Në listën prej 100 emrash të bërë publike nga kryeministri Edi Rama, ishte dhe emri i Resul Llogo, i cili rezulton të ketë vdekur 8 vite më parë.

Vajza e Resul Llogos, Valbona Llogo, ka reaguar pas kësaj, me anë të një statusi në rrjetet sociale.

POSTIMI I PLOTË
Sot nuk di çfarë të bëj të qaj a të qesh:…….
“I shtrenjti im, ti je forca më e madhe imja, je fillimi dhe fundi i kuptimit të jetës.
Jam krenare që jam bija jote në çdo qelizë të trupit tim. Jetove me nder sa ishe gjallë. Dite të lije një emër të respektuar mes të gjallëve. Dite të bëje miq, dite të punoje si ti askush tjetër.
Prindi për femijën në çdo rrethanë të jetës është gjithmonë më i miri, por ti e tregove me punën dhe jetën tënde që ishe i paarritshëm dhe fitove respektin e të gjithë atyre që arritën të të njihnin.
Askush nuk pa tek ty sa ishe gjallë as më të voglin dyshim në jetën dhe emrin tënd. Por sot pas 8 vitesh që ti nuk je më mes nesh nuk e di ku e gjen të drejtën qoftë dhe me shaka apo tallje ky sharlatanizëm idiotesk që arrin të përgojojë emrin tënd.
Dhe e gjithe kjo në emër të së drejtës njerëzore, duke e servirin si sukses pa e marrë as më të voglin mundim për të vërtetuar ato që thuhen.
Me vjen keq që e gjithë kjo injorancë sot më prishi ditën dhe më helmoi shpirtin.
Por gjithsecili nga ne është përgjegjës për fjalën e tij të ëmbël apo të hidhur dhe risku i asaj që thotë është vetëm i tij dhe i askujt tjetër.
Më vjen keq dhe më fal, i shtrenjti im, që sot atje në qiell duhet të dëgjoje të tillë absurditet. As kodin minimal të heshtjes injoranca nuk e njeh. “Për të vdekurin goja hesht”. FALI ATI IM SE NUK DINË SE Ç’BËJNË”, shkruan ajo.
Sigal