I dhanë pafajësi “Hakmarrjes për Drejtësi”, KLD nis hetimet për pesë gjyqtarët

595
Këshilli i Lartë i Drejtësisë nis hetimin për gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda që liruan anëtarët e bandës ‘Hakmarrja për Drejtësi”.
U publikuan sot emrat trupës se gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda që vulosën pafajësinë e vëllezërve Laert e Orik Shyti, Altin Arapit, Dritan Hates, Gent Cakës, Nikolin dhe Pasho Novruzajt. Ata janë: Relatori Alaudin Malaj dhe anëtarët Artur Kalaja, Stavri Kallço, Sotiraq Lubonja dhe Etleva Temo.
Procesi ndaj bandës “Hakmarrja për Drejtësi” ka zgjatur dy dekada dhe për shkak të kërkesave të shumta për gjykime e rigjykime një numër i madh gjykatësish janë përfshirë në proces.
Organizata “Hakmarrje për Drejtësi” u shpall publikisht në 13 tetor 1996, por Prokuroria e aso kohe pretendoi se ishte krijuar në 1992 në qytetin e Durrësit. Qëllimi i krijimit të një organizate të tillë, sipas akuzave të ngritura nga Prokuroria, ishte destabiliteti i vendit. Dy themeluesit e saj janë vëllezërit Leart Shyti dhe Orik Shyti.
Gjykimi ndaj organizatës filloi që në vitin 1998, por u rikthye për gjykim me kërkesë të të akuzuarit kryesor Orik Shyti.
Vëllezërit Shyti janë djemtë e Aredin Shytit, një prej figurave të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme në diktaturën komuniste dhe në qeverisjen e ish-kryeministrit Fatos Nano në 1991.
Aredin Shyti u dënua me 17 vjet burg për “vrasje me dashje indirekte” të 4 demonstruesve të civilë në 2 prill 1991 në Shkodër.
Të dënuarit e “Hakmarrjes për Drejtësi” i kanë hedhur poshtë pretendimet dhe tërë akuzat, përfshi vrasje, vjedhje bankash deri edhe rrëmbime.
Krimet më të rënda për të cilat akuzohen pjesëtarët e kësaj bande janë vrasja e ish-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi, vrasja e 4 civilëve nga vendosja e bombës në ish-supermarketin e kompanisë “VEFA” si edhe ekzekutimi në qendër të Tiranës të shoferit të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Theodhori Sollaku.

vijon
Sigal