Hysen Osmanaj, ish anëtar i KQZ/ Është mashtrim të besosh depolitizimin e KQZ-së dhe komisionet e numërimit me nëpunësit e shtetit

418
Sigal

Hysen Osmanaj ish Zv/Kryetar i KQZ-së

 Mendoj se KQZ-ja duhet të jetë ashtu siç është aktualisht por me një ndryshim, ku kryetar të zgjidhet me short një nga anëtarët e Gjykatës së Lartë me një mandat 7 -vjeçar si në Kosovë, dhe anëtarët të jenë me përfaqësim politik të balancuar pozitë-opozitë.

 Është mashtrim të depolitizosh KQZ-në me nëpunësit e administratës publike

 Jakup Gjoca

Hysen Osmanaj ish Zv/Kryetar i KQZ-së në intervistën për gazetën “Telegraf”, thotë se të depolitizosh  adminsitratën  zgjedhore duke emëruar nëpunësit e shtetit, është  si t’i  japësh fitoren në  tavolinë PS-së. Administrata zgjedhore në nivelet e dyta e të treta dhe grupet e numërimit, duhen të jenë punonjës të shërbimit civil, ndërsa drafti i paraqitur nga “ekspertët” për diskutim në komisionin e Reformës Zgjedhore, për sa i takon administratës zgjedhore, është i pargjykuar të paktën nga mbi 50%  e elektoratit. Zoti Osmanaj shpreh mendimin se është jashtë realitetit të mendojmë për një administratë të pavarur zgjedhore, e drejtuar nga një Komsioner Shtetëror Ekzekutiv Monokratik.

– PS-ja kërkon depolitizimin  e  KQZ-së, duke emëruar komisionerët e numëruesit e votave me  nëpunës  të  shtetit. PD-ja  kërkon që  krahas tyre,  të ketë edhe vëzhguesit politikë. Përse nuk ka një dakordësi mazhorancë-opozitë për këtë? Në kushtet aktuale, cila është mënyra më e mirë e funksionimit të KQZ-së, që do t’i jepte besueshmëri procesit të votimeve?

Një nga rekomandimet prioritare të OSBE-ODIHR-it, ka qenë performanca e administratës zgjedhore dhe depolitizimi i saj, por më vjen keq që akoma ata nuk e kanë kuptuar një gjë, se në Shqipëri, nuk gjen jo më një institucion të pavarur, por as dhe një njeri të pavarur, (një opinion ky i kahershëm i Komisionit të Venecias), kjo pasi ne vijmë nga sistemi më “monist” në Europë dhe jemi tejet të politizuar, pa bukë rrimë, por pa politikë kurrësesi. Nisur  nga tensionet politike aktuale, është jashtë realitetit të mendojmë për një administratë zgjedhore të depolitizuar në të gjitha nivelet, me anëtarë  komisionesh nga administrata publike, kjo kërkesë e OSBE-ODIHR-it është kundërshtuar  në formë të prerë nga PS-ja, dikur në opozitë, aktualisht edhe opozita sot duhet ta kundërshtojë pa asnjë diskutim, kësaj i thonë t’ja japin fitoren në tavolinë PS-së. Sa cituam më sipër, mund të përmendim disa faktorë në disfavor të kësaj kërkese në kushtet aktuale që po kalojmë:

I pari dhe i rëndësishëm për vendin tonë, është situata politike tejet e tensionuar, kjo sidomos pas dy zgjedhjeve të vjedhura nga PS-ja, ato të përgjithshme të 2017, dhe lokale 2019, me pjesëmarrje rreth 15% të elektoratit në votime, konkluzion ky, i nxjerrë  nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe institucionet tona ligjzbatuese.

Faktori i dytë, është demokracia e brishtë, ku mungon sundimi i ligjit, mungon ndarja dhe balancimi i pushteteve ndërmjet atij ligjvënës, ekzekutiv e gjyqësor si dhe me institucione të pavarura, të cilat janë uzurpuar nga mozhoranca aktuale.

Si faktor të tretë, mund të përmendim  administratën publike shumë të politizuar dhe e përdorur në favor të mazhorancës në zgjedhjet e kaluara, në shkelje ligjit aktual zgjedhor, neni 88, kjo e vërtetuar nga vëzhguesit vendas dhe ndërkombëtarë.

I treti, përdorimi i burimeve publike në mbështetje të PS-së nga mazhoranca në fushatat zgjedhore e kaluara, burime këto të enteve publike në nivel qendror dhe lokal, si administrata publike, policia e shtetit dhe buxheti publik, dhe e fundit por jo nga rëndësia,

korrupsioni i tmerrshëm zgjedhor me shit-blerjen e votave, financimi i fushatës zgjedhore me paratë e krimit, indimidimi i zgjedhësve nga grupet kriminale, e të tjera fenomene këto të faktuara nga vëzhgues të ndryshëm, të cilësuara në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR-it, por dhe të faktuara  nga organet  ligjzbatuse në vend, ku akoma forca e ligjit nuk ka vepruar mbi shkelësit e ligjit. Nisur nga përvoja e vendeve me demokraci të brishtë si Shqipëria, por dhe vendet e rajonit, mendoj se KQZ-ja duhet të jetë  ashtu siç është aktualisht,  por me një ndryshim,  ku kryetar të zgjidhet me short,  një nga anëtarët e Gjykatës së Lartë me një mandat 7- vjeçar, si në Kosovë, dhe anëtarët të jenë me përfaqësim politik të balancuar pozitë-opozitë, ose, maksimumi një KQZ-ë miks, si në Gjeorgji e Moldavi, me përfaqësues të pavarur dhe partiakë. Sa i përket grupeve të numërimit të votave, nisur nga praktika në Shqipëri, nuk kemi manipulime të votave, por më shumë kemi vonesa në numërimin e tyre, vonesa këto të shkaktuara nga ndërhyrja e politikës në proces, nga rinumrimi i votave bërë publikisht në KQZ-ë, para medias dhe në sy të opinionit publik, ku është vërtetuar se nuk ka patur devijim të votave deri në atë shkallë sa të ndryshojnë mandatet, pra mendoj, numërimi ka qenë pozitiv në përgjithësi, kjo e pranuar dhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë, ose po të ketë konsensus politik atëhere  maksimumi  mendoj, se nga opozita, mund të pranohen grupe numërimi miks, ku opozita të ketë përfaqësuesin  e vet në grupet e numërimit,  por kurrësesi vetëm me punonjës të administratës publike, e cila është tejet e politizuar dhe militante.

– Cili është mendimi juaj për propozimin që në krye të KQZ-së, të jetë një kryekomisioner? Cili duhet të jetë kriteri i përzgjedhjes së tij?

– Nisur nga tensionet politike aktuale, është jashtë realitetit të mendojmë për një administratë të pavarur zgjedhore e drejtuar nga një Komisioner Shtetëror Ekzekutiv Monokratik. Kushdo qoftë ky person, që në emërim është i paragjykuar, pasi kriteret që duhet t‘i plotësojë janë të përgjithshme,  shumë më larg kritereve për të qenë anëtar i KQZ-së, me ligjin zgjedhor aktual,  me kriteret e kërkuara personi që ka të drejtë të kandidojë dhe ai që nuk ka të drejtë të kandidojë, ka një propabilitet  shumë më të madh për të qenë më i politizuar, se sa ish anëtari i KQZ-së aktuale, kompetencat e tij ekzekutive janë të tilla, sa që Komisioni Rregullator dhe ai i Ankimimeve e Sanksioneve, duken si punonjës të administratës së Komisionerit Shtetëror.  Shqipëria ka një ekspriencë  shumë të hidhur me “njëshat  madje e vuan shumë dhe në ditët e sotme, e si rrjedhojë, ne duhet t‘i largohemi sa më shumë “njëshit” dhe të jemi sa më shumë kolegjialë me rregulla të qarta loje dhe pa boshllëqe ligjore, madje dhe të shkruara me shumë kujdes, atëherë nuk ka të çmendur në KQZ-ë, që të mos e zbatojë ligjin, ose në të kundërt, mban përgjegjësi  penale personalisht.  Sipas draftit, administrata zgjedhore në nivelet e dyta e treta dhe grupet e numërimit, duhen të jenë punonjës të shërbimit civil, dhe në pamundësi të rekrutohen  punonjës që i plotësojnë kriteret për të qenë të tillë, të trajnuar dhe të certifikuar nga KQZ-ja. Edhe kjo është e pa mundur të jetë e gjithëpranuar, administrata do të jetë e pabesueshme, e pa depolitizuar, aq më tepër, kur në shërbimin civil, janë rekrutuar nga mozhoranca aktuale punonjës partiakë të pa kualifikuar, dhe janë hequr nga shërbimi civil punonjës jashtë çdo procedure ligjore, gjë të cilën e tregon fakti se e kanë fituar të drejtën e kthimit në punë mbi 80% e  tyre, ose shpërblimin për dëmin e shkaktuar nga kjo mazhorancë, ndërkohë që buxheti vjetor për pagat  e të pushuarve padrejtësisht  nga puna  është 113 milionë dollarë në vit, e fituar me vendime gjyqësore të formës së prerë. Referuar draftit të paraqitur nga “ekspertët” për diskutim ne komisionin e Reformës Zgjedhore, për sa i takon administratës zgjedhore ky projekt është i paragjykuar  të paktën nga mbi 50% e elektoratit, pasi nuk plotëson qëllimin kryesor- depolitizimin, paanësinë dhe  besueshmërinë e elektoratit, si rrjedhojë,  është i dështuar.  Modeli më i pranueshëm i administratës zgjedhore duhet të jetë ky që kemi me sanksione të ashpra për shkelësit e ligjit, ose përafrimi me modelet e shteteve të rajonit, si Kosova e Maqedonia e Veriut, ose e disa vende postkomuniste si Moldavia dhe Gjeorgjia.

-A është i drejtë dhe i duhur propozimi i PD-së që çështjet  zgjedhore  t’i shqyrtojë Gjykata  Kushtetuese? A duhet të shkrihet Kolegji Zgjedhor, dhe gjykimet t’i bëjë gjykata?

– Kemi dy përvoja negative, qoftë me Kolegjin Zgjedhor në dy zgjedhjet e fundit, ato të përgjithshme dhe ato vendore, ku vendimarrja ka qenë hapur në kundërshtim me ligjin  zgjedhor në favor të PS-së, por dhe nga Gjykata Kushtetuese me disa vendime shumë të rëndësishme në vitin 2001, ku ka dhënë mandate në tavolinë në shkelje flagrante të ligjit zgjedhor, vendime përsëri këto në favor të PS-së,  si rrjedhojë e kam  të vështirë  t‘i përgjigjem kësaj pyetje, gjithësesi, mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është shumë më autoritar dhe i përgjegjeshëm se ai i Kolegjit Zgjedhor.

– A mendoni se identifikimi  biometrik i votuesve do të kufizojë manipulimin e votës fiktive? A është i mundur të zbatohet kudo identifikimi biometrik i votuesve? 

Përdorimi i teknologjisë së informacionit në proceset zgjedhore ka shumë avantazhe në krahasim me votimin manual dhe sot po përdoret gjerësisht, si për identifikimin biometrik të votuesve, në votimin elektronik, dhe në numërimin elektronik të votave. Mendoj se gjithkush e pranon se identifikimi biometrik i kufizon shumë votimet fiktive, sidomos atyre me karta identiteti të blera, apo me karta identiteti të emigrantëve dhe është plotësisht e mundur  të  zbatohet  bazuar  kjo në arritjet  dhe përparimin e vazhdueshëm të teknologjisë dhe informacionit.  Eksprienca negative pilotimeve të vitit 2013  është sa për shkak të teknologjisë, por dhe për kartat e identitetit, të cilat ishin më shumë se 11%  të dëmtuara, bazuar kjo në testet e kryera, por kjo ekspriencë nuk duhet të merret në konsideratë për të penguar identifikimin biometrik.

– Faleminderit!