Hyqmet Zane: Edi Rama si “shtëpia me gjethe” dhe Lef Nosi përballë

56
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

20 shkurt 1946, vritet Lef Nosi, 20 shkurt 1991, rrëzohet monumenti i diktatorit Enver Hoxha

Lef Nosi, personalitet i shumëmirënjohur i gjysmës së parë të shekullit XX, do të gjendej përballë togës së pushkatimit në një mëngjes shkurti të vitit 1946, si pjestar i Regjencës në Luftën II Botërore. Edhe pse asnjëherë ai nuk kishte dalë kundër interesave të kombit të tij, kërkesa e serbëve të atashuar në PKSH i mbushën mendjen Enver Hoxhës për të eleminuar gjithë elitën intelektuale të kombit, sa, sipas një studimi arshivor mendohet se mund të jenë rreth 480 të tillë deri më 1948. Një i tillë ishte edhe Lef Nosi nga Elbasani, si edhe Patër Anton Arapi, gjithashtu të nderuar dhe shumë të respektuar, por edhe si shumë intelektualë që iu mor jeta si për koiçidencë në muajin shkurt. Në Elbasan thuhet se ka patur një përpjekje nga Aleksandër Xhuvani, që i shkoi Enver Hoxhës në shtëpi, meqë ishte edhe vjehrri i Ramiz Alisë që t’i falej jeta Lef Nosit, por gjithshka u kthye në zhgënjim nga pabesia, që i bëri vetë kryediktatori i ri. Se cili është Lef Nosi, këtë e dinë mirë jo vetëm në Elbasan, por në të gjithë kombin duke e përmbledhur me një fjali: Një erudit i përmasave kombëtare që i shërbeu kombit në eventet më të rëndësishme dhe e treti pasurinë për t’i shërbyer popullit. Në Elbasan ka edhe një monument për ta nderuar këtë burrë, që jetën e lidhi me vepra në shërbim të atdheut të tij. Shumë shkurt do të shktruaja se çfarë bëri Lef Nosi :

Nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë (28 Nëntor 1912)

Ministër i Postë-Telegrafes (4 dhjetor 1912- 21 shkurt 1914)

Kryetar i Asamblesë Kombëtare (1943)

Anëtar i Regjencës (1943 – 1944)

Lindi në qytetin e Elbasanit më 9 prill të vitit 1877.

Në vitet 1918-1919 Lef Nosi ishte një nga drejtuesit e të përkohshmes “Kopështi letrar”, e cila dilte në Elbasan. Me Revolucionin e 1924, caktohet kryetar bashkie i Elbasanit.  Me pushtimin fashist, Nosi u internua në Itali me Mehdi Frashërin dhe Rauf Ficon, ku nuk e ndërpreu aktivitetin e tij në dobi të vendit. Kthehet në atdhe me 1942, ku takohet me Ali Këlcyrën, Mit’hat Frashëri  et, për të shuguruar lëvizjen e Ballit Kombëtar.

Njeriu i historisë shqiptare nuk mund t’i shpëtonte shpatës së diktaturës.

Arestohet në Tiranë dhe, me vendim që u shpall më 13 shkurt 1946, për ekzekutim me pushkatim. Me aprovimin e akt-gjykimit nr.24 të Gjykatës Ushtarake Tiranë, e pushkatojnë te “Kodra e Priftit” me 20 Shkurt 1946. Dihet tashmë se orientimet që jepeshin nga organi i quajtur sigurim i shtetit buronin pikërisht nga një godinë që sot thuhet se quhej “Shtëpia e Gjetheve”. Në fakt nuk ishte kjo godinë, ajo ishte vetëm zbatuesja e urdhërave që jepeshin nga njeriu – godinë, që vriste shqiptarët në emër të popullit.  Para pak vitesh, opinioni publik u njoh me një veprimtari qeveritare për të njohur dhe “zbuluar” “Shtëpinë e Gjetheve” dhe në krah të kryeministrit u shfaq Bashkim Shehu, djali i ish-kryeministrit më jetëgjatë të diktaturës. E panë të gjithë dhe dëgjuan edhe kryeministrin edhe Bashkimin që, për hir të së vërtetës, ka treguar objektivitet në shprehjen e mendimeve të tij që në fillime të pluralizmit politik për qëndrimet e të atit të tij dhe diktatorit. Por pyetja që ka lindur në rrethe intelektuale është se përse Bashkim Shehu në krah të kryeministrit ? Nuk ka asgjë të keqe, bile mund të jetë një rast për të thënë se pendesa ndaj viktimave të diktaturës duhet të bëhet jo thjesht duke hapur një “Bunkart” apo një “Shtëpi Gjethesh”, as duke hapur dosje sipas metodës së luftës së klasave, me selektim, siç po ndodh rëndomtë në këtë qeverisje, por duke dënuar në thelbin e vet mendësinë dhe filozofinë e një sistemi që i krijoi ato, “Bunkartin” dhe “Shtëpinë e Gjetheve”. Mos të kërkuarit falje nga persekutorët dhe bijtë e tyre me siguri të çon tek e keqja që vjen nga mbyllja e dosjeve, përsëritja, jo në formën e vet klasike siç e bëri diktatura, por në forma dhe shfaqje, të cilat na kujtojnë elementë të një lufte të ftohtë për të hapur një “Bunkart” dhe “Shtëpi gjethesh” dhe jo për të zhbërë apo bërë publike ato çfarë u sajuan në këto godina, që kryeministri i sotëm i thotë faqe popullit se do i dënojë si dikur për agjitacion e propogandë.

Ndoshta emrin Lef Nosi kushdo në Shqipëri e kujton si një personalitet që ia dinë aktivitetin, ia njohin veprën, por që për fatin e keq nuk i vrau shkurti, por i shkurtoi filozofia e së keqes që u mboll dhe dha fryte të llahtarshme në një vend që nuk kishte eksperienca të tilla. Në këtë shkurt ashtu si shumë e shumë të tjerë, kryeministri gjeti rastin të bërtasë i irrituar si një shprehje inati se ka qenë 20 shkurt kur iu përmbys idhulli i diktaturës që ai po kërkon ta rikthejë në kohë dhe në hapësirë. Nga ana tjetër, gjithkush që e pa Bashkim Shehun edhe të shqetësuar menjëherë ka shkuar në mënd asyetimin se këtë përfundim i dha ajo shtëpi e gjetheve njeriut që drejtoi qeverinë për rreth 25 vjet dhe që në fund të fundit ishte pjesë e diktaturës dhe bashkëpunëtor i diktatorit siç e ka thënë vetë i biri në një intervistë të para shumë kohëve. Pyetja që lind kur bën këtë abstragim është se veprat që bëri Lef Nosi dhe shumë e shumë burra që i dhanë dhe i shëbyen kombit i vrau plumbi, edhe pse ato ishin dhe mbeten lapidare për historinë e këtij vendi. Ndërsa veprat që bëri diktatura ishin viktima, viktimat në emër të filozofisë komuniste. Kush mund të dhe duhet tia rikthej Lef Nosit jetën, e cila iu shkatërrua pas atij inkuizicioni që përdorte sigurimi i Shtëpisë së Gjetheve? Kush do të kthejë në vend padrejtësinë që mbolli kjo shtëpi? Në fakt kjo shtëpi mund të ringrihet si godinë për t’u thënë brezave nga këtu prodhoheshin mënxyrat, që bënte sigurimi famëkeq, por veprat e Lef Nosit nuk mund të kthehen më, as Bashkim Shehu nuk do të ketë mundësinë që të rikthejë babanë e tij për t’i thënë se si bashkëpunoi me diktatorin për të bërë këtë sigurim dhe se si kjo Shtëpi e Gjetheve i mori jetën. Në filozofinë e njerëzve të shquar jepen momente përcaktuese se si duhet të na shëbejnë rindërtime të tilla që na kujtojnë rrethimet e telave me gjemba dhe të burgjeve të tmerrshëm, por kurrsesi ne nuk po shohim që veprat e njerëzve të shquar që i vrau komunizmi, i persekutoi sigurimi i shtetit të shfaqen ndonjëherë në ndonjë muze se për të shkruar bëmat e një sistemi të zi nuk do të mjaftonin jo më fjalët e Bashkim Shehut për një seancë lajmesh, por edhe sikur edhe detin ta bësh bojë, edhe qiellin ta bësh letër, në këtë vend të vogël do të duhet të shkruheshin histori drithëruese të tmerreve që shkroi me gjak kjo Shtëpi e Gjetheve.

Fasada e pendesës që mund të na krijojë rindërtimi apo rikthimi i kujtesës që sjell kjo Shtëpi e Gjetheve apo Bunkart, nuk mund të shfajësojë pushkatimin e Lef Nosit apo dhomat e izolimit ku mijëra dhe mijëra shqiptarë u bënë viktima pa e ditur se për çfarë faji, por vetëm sepse një filozofi e mbrapshtë ktheu dhe shkurtoi jetën e një populli të tërë. Unë e kam dëgjuar rrëfimin që ka bërë biri i ish-kryeministrit dhe pajtohem me të. Por deri më sot nuk kam dëgjuar që një burrë shteti i së majtës shqiptare të rrëfehet me sinqeritetin që kërkohet në raste të tilla për t’i thënë opinionit se cila ishte e keqja që bëri Lef Nosi, Patër Anton Arapi, Mit’hat Frashëri, Maliq Bushati, Ibrahim Biçaku e dhjetra e qindra intelektualë, që shkuan në atë jetë vetëm e vetëm se diktatori nuk e duronte dot intelektualizmin e tyre, nuk e perceptonte dot pafajësinë e tyre. Do të kisha mendimin, që ato gjethe që mbulojnë këtë shtëpi të sigurimit të shtetit ndoshta do të ishin emra të atyre njerëzve që masakroi dhe i vrau kjo godinë dhe do të doja të quhej Shtëpia që viktimizoi një popull. Dihet se në muret e burgjeve, të çdo burgu politik në Shqipëri janë shkruar emra dhe thënie të viktimave, që askush nuk i ka mbledhur, pale të mendosh të mblidhen ndonjëherë rrëfimet tronditëse të këtyre vikktimave.  Fjalët e fundit të Lef Nosit ishin “Rroftë Shqipëria”, çka nuk e kanë thënë shumë njerëz, ndërkohë që ne dimë se çfarë shkroi ish-kryeministri, ne kemi dëgjuar se çka thënë ish-kryesigurimsi Kadri Hazbiu, që besonin tek ideali i parties, që i vrau ata, që i shërbyen ashtu siç u vra nga lufta e klasave një popull i tërë. Një nip i Lef Nosit më thoshte një ditë se “daja u tret për Shqipërinë dhe ai nuk pranoi të arratisej duke thënë gjithnjë, “unë nuk kam bërë asgjë të keqe kundër vendit tim”. Këto fjalë Lef Nosi i tha edhe në gjyqin që ju bë, ndërkohë që për këtë ideal të pastër prej një shqiptari të mirë ai mori plumbin si shpërblim.

Çuditërisht në këtë Shqipërinë tonë ende nuk është vrarë e keqja dhe nuk mund të ketë godinë apo shtëpi gjethesh që të shpëtojë mëkatarët. Ndoshta për këtë do të duhet të flasë më shumë Bashkim Shehu se e përjetoi vetë të keqen, që i mori jetën edhe babait të tij, por kurrsesi që portreti i këtij njeriu të letrave të mund të bëhet simbol për të shpëtuar shtëpinë e gjetheve, e cila ndoshta do të duhej të jepte llogari përpara viktimave që ajo vetë i shkaktoi. Gjyqin ndaj kësaj shtëpie famëkeqe do të duhet ta bëjnë shqiptarët duke mos lejuar ringritjen, por shkatërrimin e së keqes ashtu si më 20 shkurt kur i dhanë përfundimin epokës së sigurimit të shtetit, që kurrsesi nuk duhet të lejohet të ringrihet si mendësi e paranojakëve, që në një ditë shkurti kryeministri Edi Rama na e rikthen si një ligj që duhet të funksionojë për agjitacion e propogandë ndaj popullit që e votoi.