Hyqmet Zane: Diktatura na shau e na vrau, por çamët qëndruan të bashkuar

218
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në demokraci gjetëm veten, por na përçanë interesat e duarve të zeza

Tragjedia e një krahine si Çamëria, popullata e së cilës u shpërngul me genocid grek nga trojet e veta shekullore, është një nga plagët më të pambyllura të një prej ngjarjeve që ka pasur kombi shqiptar në historinë e tij, si edhe në Kosovë. Janë të ditura faktet se plumbat e vrasjeve me të gjitha format gjakatare nga bandat e andartëve të Napoelon Zervës i shoqëruan shqiptarët e Çamërisë sa në shtëpitë e tyre, aq edhe pasi u shpërngulën në Shqipëri pas 27 qershorit 1944. Është ajo padrejtësi e niveleve me genocid të përmasave të njohura si ndaj hebrenjve si një fatkeqësi e madhe kombëtare që pati si epilog masakrat në Filat më, 13 mars 1945.

Por do ishte jashtë konceptimit të së drejtës, që ajo vrasje dhe rivrasje vazhdon ende në forma të tjera. Janë të njohur thëniet dhe stërthëniet në kohë dhe në hapësirë në lidhje me këtë popullatë të pafajshme, të pambrojtur dhe fatkeqe. Por ajo që po bie më shumë në sy është një përçarje, që po shoqëron që nga 2010 e deri më sot në mesin e çamëve.

Ne, çamët, ishim bashkë në Çamëri, bashkë ishim edhe kur u shpërngulëm dhe u vendosëm ku këtu, e ku atje, ku të mundnin, se vendi ishte në luftë dhe popullata vendase ndihmoi sa mundi. Gjithnjë bashkë me zemër dhe me mendje nisëm nga e para shtëpi, edhe pse në kasolle. Bashkë ishim edhe kur më 1949 diktatura donte të na përdorte si mish për top për të na çuar të luftonim me flamur grek në luftën civile, tamam siç bëri kjo diktaturë edhe me shqiptarët e Kosovës, me vrasjet e njohura si “masakra e Tivarit”.

Në këtë rast, u përdorën një grup i çamëve të besuar si komunistë, që diktatura i përdori si dorë e zezë antiçame. Për fatin e madh, shqiptarët e ardhur nga Çamëria u bënë bllok të bashkuar ndaj asaj kërkese tinzare që do të ishte edhe më shumë vrastare, dhe një pabesi me nëntekste antiçame. Të gjithë bashkë na hoqën shtetësinë dhe pa dëshirën tonë na dhanë shtetësinë shqiptare, duke na mohuar rikthimin në Çamëri, pas amnistisë që u bë në Greqi, ku ne ishim shtetas grekë me kombësi shqiptare. Po aq të bashkuar ishim edhe kur pas vrasjes së Teme Sejkos dhe Tahir Demi me bashkëkombasit e tjerë dhe fushata antiçame u bë modeli i diktaturës për shqiptarët e Çamërisë në veçanti. Kudo ku takoheshim dhe gjendeshim, në dasma e ksothe (në ceremoni mortore), ishim bashkë. Edhe më 1991, pas rënies së diktaturës dhe formimit të Shoqërisë Çamëria, ne u bashkuam për të menduar dhe zgjidhur hallin tonë të madh që u la në heshtje për 45 vjet.

Kështu bashkë vazhduam luftën tonë edhe kur menduam për Rezolutën për Çamërinë në Parlamentin shqiptar, apo edhe kur u krijua PDI me Tahir Muhedinin. Por më pas, gjithçka rrodhi keq, u fut përçarja dhe, me gjithë 5 deputetët më 2013 përmes PDIU, gjithçka degradoi ditë pas dite dhe muaj pas muaji, dhe u bëmë siç thotë një fjalë e urtë çame “u bëmë çep e kembë”, secili për hesap të vet. Kulmi i kësaj situate përçarëse ishte pjesëmarrja në zgjedhjet më 2021.

Nuk ka nevojë për komentet e shumta, ja ku jemi dhe kurrë më të pa marrë vesh dhe me një përçarje, a thua kështu na donte dora e zezë e grekërve e shtrirë mes nesh nga njerëz brenda nesh dhe përreth nesh, sa Janullatosi e ka shprehur me qesëndi në koefidencë se, “nuk i kam frikë çamët, se nuk dinë të bëhen bashkë”.

Pse, këta jemi ne ? Jo, kurrë! Ne jemi ata çamët krenarë siç e thonë vetë grekët, jemi të mençur e punëtorë, që gjetëm veten aq shpejt nga zgjuarsia që treguam dhe që ra në sy edhe të vendasve që na mirëpritën dhe na ndihmuan. Si njerëz të punës dhe me nikoqirllëk ndërtuam jetën tonë edhe pse në varfëri, dhe që e nisëm gjithçka nga  e para. Na vdiqën gjyshërit dhe më pas edhe prindërit dhe sot ndjehemi në një udhëkryq, a thua që nuk na lanë amanet të parët, apo ata që pretenduan se kanë merita më shumë për kauzën e Çamërisë, shkelën amanetin dhe panë interesat e tyre personale dhe hodhën “limontozin në klumësht” ?

Në këto zgjedhjet e fundit parlamentare shumë çamë u bënë pjesëmarrës si kandidatë në partitë e ndryshme, veçanërisht në PS dhe PD. Prej tyre kanë fituar pak syresh, por gjithnjë të ndarë dhe pa busull, pa kauzën dhe me një pikëpyetje të madhe se, përse janë deputetë ? Kurrësesi nuk mund të thuhet se ata përfaqësojnë çështjen çame, edhe pse janë me orgjinë të trashëguar nga Çamëria. Deri këtu mirë, por ata thjesht do mbrojnë interesat e partive që i kanë vënë  dhe që u votuan, por edhe për interesat e tyre private dhe as që duan t’ia dinë për këtë kauzë të madhe, edhe pse prej tyre ka me zemër dhe shpirt që duan çështjen çame.

Ndoshta ka të drejtë miku im, shkrimtari Gëzim Zilja, që ironizon me një shkrim “Shkëlqimi dhe mjerimi i çështjes çame”, apo profesor Ago Nezha që e quan një dëm të madh ngatërrimin e partisë politike me Shoqatën Çamëria. Një zonjë e nderuar çame në një moshë të konsiderueshme më tha me keqardhje se  “këta (?) e çuan çështjen çame për skrap edhe Shoqatën Çamëria edhe partinë politike, që duket se ka mbetur pa përfaqësim të vërtetë, por si një, “na ishte një herë PDIU”.

Nuk kam qenë dhe nuk mund të jem anëtar i asaj partie sepse shpejt kuptova mospërfaqësimin e intelektualëve dhe çamëve të vërtetë. Por kurrësesi nuk mund të pranoj që një parti që pretendon se flet në emër të çamëve, të përdorë të drejtën e saj  si një parti për punësime dhe drejtori, që sot nuk i vlejnë kujt më. Unë nuk mund të mos shpreh respektin tim personal për secilin nga çamët që kanë mbajtur apo që edhe mbajnë poste drejtuese sot, se, në fund të fundit janë njerëz me kontribute intelektuale dhe meriojnë respekte. Por ndërprerja e marrëdhënieve me partinë që i propozoi dhe i mbështeti nuk ishte faji i tyre, por i marrëdhënive të interesave të kryetarit të asaj partie me interesat e partisë që bëri koalicion. Për këtë realitet a nuk duhet shqetësuar ? Kush e krijoi dhe bën “dëk dëk” tani ? Çfarë morali ka ai apo ajo që bëjnë sot opozitarin kur  në një kohë të afërt ishin bahskëpunëtorë me qeverisjen aktuale?

Heshtja e të gjithëve, intelektualëve dhe kontributorëve për kauzën e Çamërisë për këtë gjendje, është trishtimi më i madh, se u vra shpresa dhe iu mbyll goja zërit tonë, sa edhe vetë Shoqata Çamëria, ka mbetur pa përfaqësim dhe në një handikap të papranueshëm logjik dhe institucional. Kjo situatë me anonimatë të rrezikshëm, pa orientim e pa busull, dhe që për statutin e kësaj Shoqate të vitit 1991, nuk po pyet askush, është shërbimi më i mirë që i bëhet atyre që fërkojnë duart dhe u bëhet qefi nga mosdisiplinimi ynë.

Më keq se kemi qenë ne çamët, shqiptarët e Çamërisë që erdhëm  si erdhëm copë e çikë nga vatani ynë pas vitit 1961, nuk ka se ku të shkojë më keq. Ishim në fokusin e së keqes potenciale, ishim delja e zezë e sistemit diktatorial, u bëmë me aq shumë njolla në jetën tone, sa nuk dihej se kush do na vinte dorë për të na mbështetur. Punët më të rëndomta ishin vetëm për çamët, pale strehimi, ishte nga më vulgarët etj. etj. Por asnjëherë nuk humbëm njeri–tjetrin dhe rahmën tonë.

Po sot, po sot që jemi të zotët e vetes, përse ndodh kështu? Thjesht, kjo situatë është çështje interesash meskine të një, dy a disa vetëve, që po shesin gjithçka në emrin e Çamërisë. Këtu qëndron porblemi. Jemi në pikën më kritike të një realiteti ku asnjë nga deputetët came, nuk mund të bëjë gjë, sepse do të varen nga interesat e partisë që i ka mbështetur. Nuk mund të thuhet se nuk do të thonë ndonjë fjalë apo ligjëratë në ndonjë rast. Këtu bëhet fjalë për strategjinë dhe taktikat e munguara për të trajtuar kauzën e Çamërisë. Mungesa e mirëkuptimit dhe, me gjithë potencën njerëzore dhe intelektuale, me gjithë gjakun që e kemi prej çami, do mbetemi me gisht, “këta janë ata që harruan Çamërinë”. Mallkimi i gjynahit që bëhet sot, do i ndjekë të gjithë ata që kanë dorë në këtë maskaradë të poshtër me sens antiçam.