Hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal/ Braho: Janë dispozita të pazbatueshme

354
Sigal

Ditën e sotme, hynë në fuqi ndryshimet në Kodin Penal, të miratuara në seancën plenare të 16 Prillit.

Për herë të parë, ndryshimet kriminalizojnë thyerjen e karantinës në kohë epidemie si dhe presionin psikologjik ndaj anëtarëve të rrethit familjar, ndërsa rrisin dënimin deri në 3 vite burg për dhunën në familje nga 2 vite që ishte.

Por, avokati Ledio Braho është shprehur se, të dy dispozitat e reja që janë shtuar së fundmi në Kodin Penal, janë dispozita të pazbatueshme pavarësisht faktit që kanë hyrë në fuqi.

“Të dy dispozitat e reja që janë shtuar së fundmi në Kodin Penal, që janë “Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë” dhe “Përhapja e sëmundjeve infektive”, janë dispozita të pazbatueshme pavarësisht faktit që kanë hyrë në fuqi. Përveç përmbajtjes që lë shumë për të dëshiruar sa i përket parashikimit të elementeve të veprës penale, nga ana e teknikës legjislative, mund të jenë ndryshimet më joprofesionale të kryera ndonjëherë në Kodin Penal.

Në nenin 89/b që parashikon “përhapjen e sëmundjeve infektive”, si në asnjë nen tjetër, paragrafi i parëështë krim dhe paragrafi i dytëështë kundërvajtje penale. Jo rastësisht Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, ka përcaktuar se për ndryshimin e ligjeve që miratohen me shumicë të cilësuar, iniciativa ligjvënëse nuk mund të ndiqet me procedurë të përshpejtuar, pikërisht për të shmangur lajthitje të tilla”, u shpreh avokati.

Sipas Brahos, të gjitha procedimet penale do të duhet të pezullohen sapo të regjistrohen se do të duhet që dënimi administrativ i vendosur më parë të jetë bërë i formës së prerë.

Juristi shton se, që një dënim i tillë, të bëhet i formës së prerë, do të duhet të pritet vendimmarrja e Gjykatës Administrative që sipas ritmeve aktuale shkon 3 deri në 5 vjet.

“Në lidhje me nenin tjetër që parashikon se “Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave tëjashtëzakonshme, nga personi, ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj” të gjitha procedimet penale do të duhet të pezullohen sapo të regjistrohen se do të duhet që dënimi administrativ i vendosur më parë të jetë bërë i formës së prerë. Që një dënim i tillë të bëhet i formës së prerë do të duhet të pritet vendimmarrja e Gjykatës Administrative që sipas ritmeve aktuale shkon 3 deri në 5 vjet. Gjatë një afati të tillë do të miratohen dhe amnisti që do të prekin edhe ato çështje që do të jenë në hetim”, shton Braho.

Sipas tij, problemi kryesor mbetet mosbotimi në kohë, në Fletoren Zyrtare, i urdhrave të Ministrisë të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ai shtoi se, që nga 10 marsi, urdhrat me karakter normativ ose janë botuar me një muaj vonesë ose nuk janë botuar fare.

“Ajo se çka mbetet problemi kryesor ende, është mosbotimi në Fletoren Zyrtare në kohë i urdhrave të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Të gjitha urdhrat me karakter normativ që nga 10 marsi ose janë botuar me 1 muaj vonesë ose nuk janë botuar, çka sjell si pasojë pavlefshmërinë e të gjithë dënimeve administrative të vendosura në bazë të urdhrave të pabotuar në Fletoren Zyrtare siç e parashikon dhe Kushtetuta.

Vepra tjetër qëështë “përhapja e sëmundjeve infektive” është edhe më e vështirë për t’u zbatuar sa i përket COVID-19 pasi ende nuk është listuar si sëmundje infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin. Për më tepër edhe vërtetimi i dashjes për të infektuar apo të qenit mbartës në një moment të caktuar është i pamundur për t’u vërtetuar edhe në vende më të zhvilluara. Ky nen është i pazbatueshëm si sa i përket anës objektive, por dhe anës subjektive për të vërtetuar dashjen”, deklaroi Ledio Braho.