Niko Peleshi kritika Kryeministrit Rama

991
Sigal

Ish-ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi, në një analizë për vendimin e Holandës për rikthimin e vizave, është ndër të paktët socialistë që pranon se Shqipëria duhet t’a shohë problemin edhe te vetja.

Me një gjuhë të kujdesshme dhe politikisht korrekte, Peleshi pranon se Shqipëria po klima aktuale politike dhe mungesa e strategjive afatgjata në planin ekonomik. Në një farë mënyrë, ky qëndrim nënkupton edhe kritika ndaj mënyrës sesi vendi po drejtohet nga qeveria “Rama”.

“Edhe në Shqiperi ka ardhur koha të ndryshojmë gjuhën politike. Tezat e vjetra njerëzit i kanë mësuar përmendësh dhe kanë filluar t’i neverisin. Rruga më e lehtë dhe më joshëse për politikën është kalimi nga gjuha politikisht korrekt në gjuhën populiste, por Shqipëria ka nevojë për zgjidhje e reforma dhe nuk i përballon dot më lojrat politike me pushtetin. Ndaj gjuha populiste e rrugës në Shqiperi është edhe më e rrezikshme se në vendet e tjera”,- shkruan ndër të tjera, Niko Pelshi.

Shkrimi i plotë i ish-ministrit:

Para disa ditësh, parlamenti holandez votoi në shumicë një rezolutë ku i kërkohet BE të pezullojë regjimin e lëvizjes së lirë në BE të qytetarëve nga Shqipëria. Më shumë se sa një lajm i keq për Shqipërinë, ky është një lajm i keq për vetë BE. Iniciativat radikale e nacionaliste, që i imponohen vendimmarrjes politike në vendet komunitare janë kërcënimi i vertetë për projektin europian. Ndaj ky është vërtet një lajm për tu trishtuar, por në rradhë të parë si europianë e pastaj si shqiptarë. Kohë më parë pata shkruar një opinion të titulluar “Të jesh politikisht korrekt”. Ishte një këndvështrim mbi rolin që po luan gjuha politike në ndryshimin e shpejtë të skenës politike botërore. Nuk bëhet fjalë thjesht për një betejë politike semantike .

Bëhet fjalë për të ndryshuar raportet e politikës me shoqërinë. Ndonëse nuk ka kaluar shumë kohë nga ai shkrim, konfiguracioni i forcave politike në Europë e më gjerë ka ndryshuar ethshëm. Nga epoka e të qënit “politikisht korrekt” kaluam në epokën e retorikës radikale dhe të urrejtjes të ushqyer nga fryma e populizmit dhe nacionalizmit. Në Hungari, Poloni, Çeki, Itali kjo frymë është në pushtet. Në Britani solli kaosin e Brexit, në Francë është forca e dytë më e madhe, në Gjermani është forca e tretë me rritje të shpejtë, në SHBA polarizmi dhe ndarja e shoqërisë po thellohet. Sot ndarja e madhe e politikës nuk është ndërmjet të majtës dhe të djathtës, por ndërmjet globalistëve (forcat e vjetra të majta dhe të djathta) dhe nacionalistëve (forcat e reja të ekstremit të majtë ose të djathtë). Duket se bota po shkon drejt një rendi të ri. Globalizmi, të drejtat e njëriut, liria e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave duken si parime të botës së vjetër. Se si do të duket bota e re askush nuk guxon ta vizatojë. Në çdo rast nuk duket se do të jetë demokratike liberale. Ndërkohë forcat “e vjetra” politike, pra establishmenti politik, u përpoqën ta rrumbullakosnin gjuhën politike për ta përshtatur me histerinë populiste. Mbase kjo është rrethana që i dha shumicën e votave të parlamentarëve holandeze, rezolutës për Shqipërinë, shtuar edhe faktin që në kohë fushatash si kjo (në vendet e BE po zhvillohet fushata për zgjedhjet e Parlamentit Europian) partitë kalkulojnë çdo votë. Megjithatë rrumbullakosja e gjuhës në vend që ti shpëtonte i ka cuar në një rënie të dukshme gjithandej partitë europianiste, sepse sjellja “politikisht jokorrekte” populiste duhet përballuar me gjuhën “politikisht jokorrekte” të së vërtetës. Ka ardhur pra koha e gjuhës së vërtetë, politikës që pranon dështimet e globalizmit dhe jep alternativat e korrigjimit pa u përpjekur ti fshehë ato. Përqëndrimi i pasurisë tek individët dhe vendet më të pasura kërkon një qasje të re të globalizimit të tregut që i jep mundësi më shumë kompanive të operojnë ne tregun global. Një qasje që avancimin e teknologjisë dixhitale e shfrytëzon për të lidhur me tregun global edhe kompani të vogla siç është rasti i projektit pilot të Jack Ma (themeluesi i alibaba, portalit më të madh në botë të tregtisë online) në Ruanda. Jack Ma ka ndërtuar një platformë elektronike që i krijon mundësinë prodhuesve të kafesë në Ruanda të shesin prodhimin e tyre drejpërsëdrejti tek tregtarët kineze. Në këtë mënyrë çmimi që përfitojnë prodhuesit ruandezë është rritur nga 8 në 12 dollarë / kg. Kjo qasje po quhet globalizëm nga poshtë lart (bottom-up). Politika sot duhet të pranojë dhe korrektojë edhe dështimet e sistemit të demokracisë liberale në një kohë kur teknologjia po kontrollon gjithnjë e më tepër sjelljet e njerëzve. Bota po kalon me shpejtësi nën pushtetin e algoritmave, thotë historiani izraelit, Youval Noah Harari. Bazuar në të dhënat personale, algoritmat arrijnë të zbërthejnë botën emocionale të njëriut dhe të orientojnë zgjedhjet. Pra demokracia shpejt do të jetë vullneti i një shumice të ndikuar nga teknologjia, jo i një shumicë që zgjedh me vullnet të lirë. Është e nevojshme të bëhet një punë kolosale nga BE dhe SHBA kryesisht për të ndërtuar kuadrin rregullator dhe institucional të kësaj fushe ende të parregulluar. Këto sfida të vështira nuk mund të zbukurohen dhe as të pasohen tek qeveritë pasardhëse. Ndërkohë mandatët politikë përgjithësisht 4-vjeçarë i bëjnë të gjitha qeveritë të paguximshme për tu përballur me këto çështje të sikletshme. Politika në Shqipëri duket e shkëputur nga ngjarjet globale, por është thjesht e sfazuar në kohë. Këtu era fryn me disa vite vonesë, por kjo periodë vonese sa vjen dhe zvogëlohet për shkak se Shqipëria është duke u bërë gjithnjë e më hapur. Teknologjitë e informacionit dhe media luajnë rolin e tyre në këtë përshpejtim. Edhe këtu tek ne doktrinat politike e ekonomike nuk janë me ato që ndajnë forcat politike. Me disa përjashtime këtu gjithë klasa politike ka të njëjtin qëndrim për çështjet kryesore të kohës. Të paktën në programet e tyre politike, të gjitha partitë janë pro integrimit europian, pro reformimit të sistemit të drejtësisë, pro tregtisë së lirë, pro të drejtave të njëriut, pro të drejtave të minoriteteve, pro legalizimit të ndërtimeve pa leje, pro kthimit e kompensimit të ish-pronarëve, pro kompensimit të ish-të përndjekurve politikë, pro investimeve të huaja. Do të krijohen me siguri, herët a vonë, forca të reja politike me platforma të ndryshme psh populistë, nacionalistë, radikalë majtistë, antieuropianistë, që do të sjellin edhe këtu në Shqipëri ndarje të reja. Sa më e paprincipte të jetë lufta politike ndërmjet dy forcave tona kryesore politike, sa më tepër tu largohemi nevojave të vërteta të njerëzve të zakonshëm, sa më të pavërtetë të jemi në ato ç’ka themi ndryshe nga ato ç’ka bëjmë, aq më e madhe do të jetë hapësira për forcat e reja populiste që mund të lindin në skenën tonë politike. Është rasti që qeveria dhe opozita, e vjetër dhe e re, të bëjnë gjestin e parë të vendosjes së interesit kombëtar mbi atë politik. Të flasim me zë të lartë me gjuhën e vërtetë të shqiptarëve që nuk meritojnë të portretizohen si rreziku i Europës. Shifrat e azilkërkuesve dhe kriminalitetit në vendet e BE e vërtetojnë këtë pohim. Vendimmarrjet e sotme po bëhen gjithnjë e më iracionale dhe mbase ne nuk mund ti influecojmë dot ato, por një Shqipëri që nuk reagon, ose akoma më keq që me gjysmën e vet feston, është një Shqipëri që i thotë qartazi BE-së se nuk e meriton ende të merret në konsideratë si vend aspirant. Pra edhe në Shqipëri ka ardhur koha të ndryshojmë gjuhën politike. Tezat e vjetra njerëzit i kanë mësuar përmendësh dhe kanë filluar t’i neverisin si dokra. Rruga më e lehtë dhe më joshëse për politikën është kalimi nga gjuha politikisht korrekt në gjuhën populiste, por Shqipëria ka nevojë për zgjidhje e reforma dhe nuk i përballon dot më lojrat politike me pushtetin. Ndaj gjuha populiste e rrugës në Shqipëri është edhe më e rrezikshme se në vendet e tjera. Kemi vetëm një rrugë: Të jemi njerëzorë e të përulur para sfidave të mëdha.