Hiqet nga rendi i ditës kërkesa e PS për ndryshimin e rregullores së Kuvendit, miratohet kërkesa e opozitës

714
Këshilli i Mandateve dhe Rregullores ka hequr nga rendi i ditës propozimet e PS-së për ndryshmet në rregulloren e Kuvendit në rastin e arrestimit të deputetëve për të reflektuar ndryshimet kushtetuese të miratuara në paketën e reformës në drejtësi.
Që në nisje të mbledhjes, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi kundërshtoi këtë propozim të PS-së, ndërsa theksoi se kjo nismë e 12 janarit (projektligji) nuk mund të futet në kalendar, pasi rregullorja cakton se ajo mund të përfshihet pas 2 javësh. Halimi pyeti të gjithë deputetët e maxhorancës se ‘Pse nxitoni ta bëni këtë ndryshim të rregullores?’, ndërsa sugjeroi që kjo nismë të futet në kalendar pas datës 26 janar.
“Nisma e 12 janarit s’mund të futet në kalendar. Rregullorja thotë se futet në kalendar pas 2 javësh. Pse nxitoni ta bëni këtë ndryshim të rregullores? Kjo nismë të futet në kalendar pas datës 26 janar”, tha Halimi.
Kaq mjaftoi që Këshilli i Mandateve të miratojë edhe kërkesën e opozitës, duke hequr kështu nga rendi i ditës kërkesën e PS. Kujtojmë se deputetët e PD dhe ata të LSI-së pak pas bërjes publike të rregullores së PS, ata e kanë kundërshtuar nismën që sipas tyre synon mbrojtjen e deputetëve nga arrestimi.

Por PS deklaron në qëndrimin e saj se propozimet janë bërë si detyrim ndaj Kushtetutës.
Ndërkohë, në orën 12:00 në Kryesinë e Kuvendit do të mblidhet Këshilli i Legjislacionet për të shqyrtuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese për Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. “BalkanWeb” siguroi dje shkresën që sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit i ka dërguar deputetëve të Këshillit për Legjislacionin për këtë mbledhje.
“Kryetari i Kuvendit, bazuar në nenin 14, pika 3 të Rregullores së Kuvendit, me shkresën nr. 171 prot., datë 17.1.2018, ka kërkuar mbledhjen e Këshillit për Legjislacionin për të diskutuar sipas përcaktimeve në Rregullore, (neni 87), zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për efektet në legjislacion”, thuhej në njoftim.
Pas kësaj, në orën 13:00 pritet të mblidhet Nënkomisioni ad hoc për KLP dhe KLGJ për konstituimin, miratimin e kalendarit të punimeve të nënkomisionit “Për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë” si dhe çështje të tjera për diskutim. Sakaq, kreu i nënkomisionit Ulsi Manja i bëri thirrje deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në mbledhje si dhe në zgjedhjen e anëtarëve nga shoqëria civile për KLGJ e KLP.
Sigal