Hetimi i Spiropalit, së shpejti zbardhja e një tjetër skandali

735
Sigal

Prokuroria e Tiranës nis hetimet për pasurinë e Elisa Spiropalit dhe të vëllait të saj

Prokuroria e Tiranës ka nisur zyrtarisht hetimet për ministren e Shtetit, Elisa Spiropalin, bashkëshortin dhe vëllain e saj, si persona që dyshohet se janë përfshirë në një skemë pastrimi parash. Burime nga Akuza e kryeqytetit deklarojnë se prokurorët kanë marrë në dorë materialet e publikuara në “Boldnews.al”, nga ku rezultonte se kompania e regjistruar nga Enkli Spiropali ka fituar disa tenderë në Ujësjellësin e Fierit, i cili drejtohej nga Salarjon Totaj, partneri dhe më pas bashkëshorti i ministres së Shtetit. Krahas investigimit të publikuar nga “Boldnews.al”, Prokuroria e Tiranës ka marrë edhe një informacion nga Prokuroria e Përgjithshme, deklarojnë të njëjtat burime. Prokuroria e Tiranës është institucioni i dytë që nis veprimet proceduriale për rastin “Spiropali”. Disa ditë më parë, edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) njoftoi zyrtarisht se kishte nisur hetimin administrativ për pasuritë e ministres së Shtetit, si edhe familjarëve të saj. ILDKPKI njoftoi që një ditë pas publikimit të rastit, institucioni ka nisur procedurat verifikuese, për të konstatuar kushtet e mundshme të konfliktit të interesave, si edhe dyshimet mbi pastrim parash. “Boldnews.al” publikoi rreth dy javë më parë një investigim të thelluar mbi kompaninë “Solomon”, të krijuar nga Enkli Spiropali, vëllai i ministres së Shtetit, në Gusht 2013, në kohën kur Partia Socialiste mori pushtetin. Në Mars 2014, kompania “Solomon” e Spiropalit fitoi tenderin e parë në Ujësjellës-Kanalizime Fier, të drejtuar nga Salarjon Totaj, partneri i motrës së tij, ministres së sotme, në atë kohë Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave. Pasi fitoi këtë tender, me vlerë 6.6 milionë lekë të reja, Enkli Spiropali ia shet kompaninë Marjus Memushajt, kushëririt të dytë të Salarjon Totaj. Nën pronësinë e Memushajt, kompania “Solomon” fitoi edhe disa tenderë të tjerë në Ujësjellësin e Fierit, i cili drejtohej nga kushëriri i tij i dytë, Totaj. Deri në Shtator të vitit 2016, kohë kur Salarjon Totaj u largua nga Ujësjellësi i Fierit, kompania “Solomon” fitoi disa tenderë, me vlerë totale rreth 350 mijë dollarë amerikanë. Paralel me tenderët e Ujësjellësit, “Solomon” fitoi edhe fonde publike nga Dogana e Fierit dhe e Vlorës, struktura nën varësinë direkte të Elisa Spiropalit në kohën e zhvillimit të procedurave të prokurimit publik. Të dhënat e siguruar nga “Boldnews.al” krijojnë dyshime se kompania “Solomon” është përdorur si “mbulesë” për ndarjen e fondeve publike mes familjarëve Spiropali-Totaj. Gjithsesi, janë hetimet e Prokurorisë dhe të ILDKPKI-së që do të konstatojnë ligjërisht, nëse ekzistojnë elementët e veprave penale që lidhen me të ardhurat, pasuritë dhe pastrimin e parave.

Skandali i borxheve të familjarëve të Spiropalit

Sipas disa burimeve të mirinformuara, së shpejti do të fillojnë hetimet e një super skandali, që ka lidhje me regjistrimin e përgjimeve të familjes së ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, të cilat do të bëhen publike, për borxhe të pashlyera, që ka marrë për blerjen e dyqaneve dhe lokaleve.