Hetime (selektive) për autoritetet lokale (socialiste)

469
Sigal

Kryeprokurorja  ka nisur procedurën për ndjekje penale ndaj shkaktarëve të përmbytjes në Fier e Durrës

Urdhri për hetime për përmbytjet në Fier e Durrës

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi dje  se dy organet e akuzës në Durrës dhe Fier kanë nisur hetimet për përmbytjet e ditëve të fundit në këto dy qytete.  Sipas njoftimit të Prokurorisë, organi i akuzës vendosi të nisë kryesisht hetimet, bazuar në denoncimet e qytetarëve të shumtë nga këto zona, të mbërritura në Prokurorinë e Përgjithshme, përfshirë edhe në adresën elektronike [email protected]. Prokuroria dyshon se autoritetet lokale nuk kanë përmbushur detyrën e tyre për marrjen e masave për përballimin e situatave meteorologjike. Hetimet për të vërtetuar dyshimet mbi rastet e “Shpërdorimit të detyrës” po zhvillohen në disa institucione, në Shtabin e Emergjencave Civile pranë Prefekturave të Qarqeve, po ashtu edhe në Bashki, Komuna dhe agjenci të tjera që kanë për detyrë mirëmbajtjen e sistemeve kulluese dhe që kanë përgjegjësi për menaxhimin e situatave të tilla atmosferike. Po ashtu, objekt hetimi janë edhe vendimmarrjet për punime, të cilat kanë dëmtuar apo bllokuar kolektorë e kanale kulluese në këto zona. Për llogari të hetimit do të shfrytëzohen edhe informacionet e institucioneve përgjegjëse lokale për masat e marra, për personat përgjegjës dhe për zbatimin e rregullave teknike dhe ligjore në rast e situatave të vështira atmosferike.

Prokuroria “harron” përmbytjet në Shkodër, Lezhë, Tiranë

Në fakt, shirat e vazhdueshme e kanë kthyer në moçal, jo vetëm fushat e Fierit, Lushnjës, Durrësit, por edhe rrugët e brendshme të Tiranës, të cilat në më të shumtën e rasteve kanë qenë të pakalueshme edhe për automjetet, duke shkaktuar përmbytje të shumë banesave, ambienteve të biznesit. Madje, të vazhdueshme kanë qenë reportazhet mediatike, me qindra kanë qenë thirrjet për ndihmesë nga qytetarët, për të shpëtuar nga përmbytjet, brenda në shtëpitë e tyre. Shkaku i përmbytjeve, edhe brenda në Tiranë, është moskujdesi dhe moskryerja e punimeve që hapin arteriet e kullimit të ujërave, nga ndërmarrjet bashkiake. Prokuroria e Përgjithshme dhe prokuroria e Tiranës a ndjenë përgjegjësi, që edhe këtu duhet të fillojë hetimet për të vënë shkaktarët përpara përgjegjësisë, për dëmet e mëdha materiale që u shkaktuan qytetarëve për shkak të moskryerjes së detyrës? Më tej. Zona të tëra të përmbytura, me muaj të tërë, gjatë shirave të stinës së dimrit në Lezhë e Shkodër, ku kanë detyruar  mijëra fshatarë që të shpërngulen nga shtëpitë e tyre të përmbytura për të shpëtuar jetën dhe deri tani, asnjë nuk është shqetësuar, madje nuk kanë bërë edhe ndonjë përpjekje për të ndihmuar në përmirësimin e situatës. Dhe kjo gjendje përmbytjeje e mijëra hektarëve në zonat e Shkodrës dhe Lezhës ka ardhur sepse nuk kanë punuar fare pompat në hidrovoret përkatëse. Këtu, a nuk kanë përgjegjësi drejtuesit e organeve lokale? A nuk duhet edhe në këto zona, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokuroritë e qarqeve Lezhë e Shkodër të fillojnë hetimet? Çfarë pengon për mosfillimin e hetimeve për të vënë përballë përgjegjësisë shkaktarët e përmbytjeve? Mos është ndonjë justifikim se në organet e prokurorisë nuk ka asnjë ankesë nga qytetarët? Prokurorët, nuk kanë parë dhe dëgjuar asgjë për këto përmbytje në mijëra hektarë dhe për  muaj të tërë në Lezhë e Shkodër? Apo kemi të bëjmë me hetime selektive nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme kundër autoriteteve lokale (socialiste), se sa të interesohen nga shqetësimi i përmbytjeve?

Flasin për “Telegraf”

Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako

Ndonëse Prokuroria e Përgjithshme ka filluar procesin e hetimeve për përmbytjet në Durrës, ndaj autoriteteve lokale, gazeta “Telegraf” u interesua të mësojë diçka më tepër nga Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Zoti Dako, ende kur Durrësi është i përmbytur, e gjeti kohën që të shkojë deri në Berat në takimin elektoral të Kryetarit të PS-së, Edi Rama me kryetarët e bashkive socialiste. Nuk e besojmë se në këtë takim kreu i PS-së diskutoi përmbytjet dhe mbarëvajtjen e masave që pushteti lokal duhet të marrë për të dalë nga kjo situatë e përmbytjes, derisa përgjigja e Kryetarit të Bashkisë së Durrësit, për shqetësimin që “Telegraf” i ngriti, qoftë për përmbytjen, qoftë edhe për hetimin e prokurorisë, ishte lakonike. Vangjush Dako: “Nuk i bëj unë kallëzimet. I bëjnë ata”. Domethënë, prokurorët. Kaq, kishte për të thënë, Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, përmbytjet dhe hetimet e prokurorisë, pasi nuk kishte më kohë, i zënë nga hallet e fushatës elektorale të PS-së.

Deputeti i Qarkut të Fierit, Piro Lutaj, i pyetur nga “Telegraf”, u përgjigj, se nuk dinte gjë për hetimet, por edhe për përmbytjet.

 Deputeti i PS-së, për Qarkun e Lezhës, Gjovalin Kadeshi, për “Telegraf”: “Po të ishte se prokuroria fillon çështjet  pa paragjykime politike do ishte një sinjal i mirë për sundimin e drejtësisë. Për përmbytjet në Lezhë, ka patur denoncime me emër e mbiemër dhe përfundimi ka qenë zhgënjyes, si për hetimin nga prokuroria ashtu edhe për gjykimin nga gjykatat, duke ja hedhur fajin njëra tjetrës. Unë  them se hetimet prokuroria duhet të kishin filluar në Lezhë ku përmbytjet janë dukshëm nga dora e njeriut. Është e qartë se banorët e Barbullojës të Komunës Kolsh dhe banorët e Komunës Shënkoll e Zejmen janë përmbytur nga dora e njeriut, duke filluar që me bërjen e tenderit me vonesë, dhe nga shkelja e kontratës për zëvendësimin e pompave të hidrovorit Tale. Askush nuk ka mbajtur e askush nuk do të mbajë përgjegjësi për këta banorë që vazhdojnë prej muajsh të përmbytur. Presioni që  kjo maxhorancë po mundohet të bëjë në bashkitë socialiste do t’i kthehet bumerang në zgjedhjet e 23 Qershorit. Përmbytjet fillojnë të hetohen nga Lezha e pastaj të vazhdojnë në gjithë Shqipërinë, po ta kenë seriozisht.