“Heqja e imunitetit është përgjegjësia dhe transparenca politike”

558
Sigal

INTERVISTA/ Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi: “Ajo që ne nuk e zhbëjmë kurrsesi, është pushteti i shumicës në demokraci”

Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi, në intervistën për “Telegraf”, nuk nguron, nuk heziton që të përgjigjet edhe për ato pyetje që kanë të bëjnë me një opinion kritik ndaj PD-së për qëndrimin politik përsa i përket heqje/kufizimit të imunitetit. Duke hedhur poshtë kërkesat e PS-së, për votim të cilësuar të Gjykatës Kushtetuese, asaj të Lartë, Kryeprokurorit, zoti Boçi, thotë se këto nuk kanë të bëjnë me rritjen e pavarësisë të institucioneve, por me pushtetin e pakicës në demokraci.

– Zoti Boçi, përshtypja që kultivon zoti Berisha, është që miratimi i reformës së heqje/kufizimit të imunitetit, do të shënojë edhe fundin e korrupsionit në Shqipëri? Kështu është?

– Ajo që kërkon të kultivojë Kryeministri në prononcimet e tij për çështjen e imuniteteve ka të bëjë, së pari, me rëndësinë politike reale, si shenjë e emancipimit të politikës dhe rritjes së shkallës së përgjegjësisë së saj e transparencës përballë publikut. Së dyti, ai ka theksuar vazhdimisht që ky ligj përbën një hap themelor në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri është tepër i qartë kur deklaron se ky fenomen nuk merr fund përfundimisht as me një ligj. Njëkohësisht, është tepër i bindur kur deklaron se me një ligj të tillë si pjesë integrale e paketave ligjore anti-korrupsion, ky fenomen tkurret, kufizohet  maksimalisht dhe synon të kthehet nga i zakonshëm në i jashtëzakonshëm nga monoton në sporadik, nga sukses banal për ato që e aplikojnë në penalitet spektakolar.

Vërtet, përmasat e korrupsionit në Shqipëri kanë alibi imunitetin?

– Beteja kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet një nga angazhimet më esenciale të kësaj maxhorance. Kjo betejë ka pasur momentet e veta të evolucionit dhe ligji në fjalë përbën në vetvete një fazë ngjitëse,  fazë të shtrirjes së saj, pikërisht, në zemër të politikës dhe të drejtësisë. Pra nuk mund të thuash aspak që u prit ky ligj që të nisë kjo luftë, kur këtë luftë ne e kemi çdo ditë para syve tanë. Normal, që ngritja e zërit e tij, ndikon dukshëm në përfitimin e një lloj përgjegjshmërie politike dhe juridike, të domosdoshme dhe ekzemplare. Nëse ai ka shërbyer si alibi, për të kryer dhe mbuluar akte tipike korruptive, kjo duhet provuar, pa harruar që dhe akuzat e shumta të hedhura kudo, për kundërshtarin politik, kanë pasur si alibi të lançimit të tyre, pikërisht, ekzistencën e imunitetin. Rrjedhimisht heqja e tij shëron dhe parandalon politikën, jo vetëm nga realizimi i aktit korruptiv, por e shëron e parandalon dhe nga akuzat e kota korruptive për korrupsion. Efekti emancipues i këtij ligji duket shumëdimensional.

– Sa sinqeritet mund të besojmë, se maxhoranca, pikërisht tani ka vullnet politik të luftojë korrupsionin? Dhe pse pikërisht tani?

– Vullneti politik i mazhorancës, ka qenë në vijimësi i dëshmuar. Goditjet e shumta përkundrejt zyrtarëve të përfshirë në korrupsion, masat ligjore të ndërmarra, paketat ligjore të miratuara, janë shembulli më vital i këtij vullneti të palëkundur. Ne nuk kemi pritur këtë moment, për të dëshmuar vullnetin tonë, tashmë të afirmuar botërisht. Ne e kemi pritur këtë moment që opozita të dalë nga korniza grafomane e të dëshmojë që, sikurse ne, ka dëshirë dhe vullnet të plotë, për të gjunjëzuar korrupsionin.

– Maxhoranca nuk bën asnjë veprim politik, që të zhvishet nga imuniteti politik, sikurse janë e drejta e saj të emërojë kudo dhe kë të dojë, të largojë dhe shkarkojë pa asnjë kriter, të drejtën (joligjore dhe antikushtetuese) që i jep imuniteti politik, që, si maxhorancë, të ushtrojë presionin politik mbi çdo institucion të pavarur.   Së pari, ju e kundërshtoni këtë realitet?

– E drejta për të pasur imunitet juridik, i cili, siç e theksova është një atribut i jashtëm i politikës, është rrjedhimisht një e drejtë ilegjitime dhe nuk duhet të ngatërrohet me të drejtën krejtësisht legjitime politike, (që dhe thjesht për analogji, nuk mund të quhet, asesi imunitet politik) që buron natyrshëm nga qenia e saj shumicë, si rezultat i fitimit të votëbesimit nga publiku. Të drejtën e vendimmarrjes politike me shumicë të thjeshtë, që mund të lidhet dhe me nivele emëruese, të cilat asnjëherë nuk janë bërë jashtë kritereve profesionale, mazhorancës nuk ja siguron imuniteti, por qenia e saj fituese politike, brenda një demokracie si ushtrim i pushtetit të shumicës. E drejta politike nuk është rrjedhimisht e drejtë imunitare. Këtu, ato kurrsesi nuk duhet të konfondohen me njëra-tjetrën dhe synimi ynë me këtë ligj është që as mos ti bashkojmë ato në një. Vullneti i shumicës politike është i patjetërsueshëm dhe i paintimiduar nga ajo që ju e quani këtu, nuk di pse, “imunitet politik”. Ndërkohë, të mos harrojmë se deputetët e mazhorancës me një gjest kuptimplotë politik, kanë gati dy vite, që kanë hequr dorë me vullnet të lirë nga imuniteti. Nuk besoj se ky gjest, nuk mund të mos quhet veprim politik përkundrejt çështjes së imuniteteve.

– Përse maxhoranca nuk bën asnjë përpjekje politike, që të fillojë heqjen e imunitetit juridik, duke u zhveshur maxhoranca, së  pari nga imuniteti politik?

– E theksova se këtë e kemi bërë tashmë me vullnet të lirë, nëpërmjet një deklarate, duke ofertuar në këtë pikë dhe deputetët e opozitës, të cilët sigurisht që nuk e pranuan. Në nivel juridik ligji që kërkojmë të aprovojmë, nuk mund të ketë veprim të pjesshëm për nga natyra e vetë ligjit. Pra, s’ka se si të jetë i vlefshëm për pozitën dhe jo me efekte për opozitën. Një parashtrim i tillë i ligjit hyn në botën e absurdit.

– Ju faleminderit!