Haxhinasto: Shqipëria duhet të ecë drejt një modeli ekonomik të prioritarizuar

477
Sigal

Zv. Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës z. Edmond Haxhinasto mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët për zhvillimin e qëndrueshëm biznes – akademi, me temë “Ide të reja për sipërmarrje të reja”. Synimi i kësaj tryeze ishte ndërgjegjësimi i përfaqësuesve nga biznesi mbi zhvillimin që sjell përfshirja e dijeve shkencore dhe njohurive akademike në proceset e sipërmarrjes dhe nga ana tjetër të ndihmojë akademikët për të kuptuar kërkesat dhe nevojat e biznesit për njohuri dhe prirje inovative. Z. Haxhinasto theksoi gjatë fjalës së tij se duhet partneritet midis biznesit, botës akademike dhe politikë-bërjes, si një instrument që ndihmon për të siguruar rritje të qëndrueshme. Kreu i METE, u shpreh gjithashtu se vendi ka nevojë të ecë drejt një modeli ekonomik të prioritarizuar, duke u mbështetur në zhvillimet dhe resurset në funksion të atyre degëve që përbëjnë avantazhin konkurrues të Shqipërisë, ku ofrohet dhe mbështetja organike e nevojshme e të gjithë sektorëve të tjerë. Z. Haxhinasto kërkoi nga ana e biznesit, të financojë kërkimin shkencor, pasi sipas tij biznesi jo vetëm që riorientohet nga konkluzionet e rëndësishme që nxjerr akademia apo konsulenca, por përgatit kapacitete dhe resurse në funksion të këtij zhvillimi. Ai theksoi se METE është e gatshme për partneritet më të ngushtë me universitetet, për hartimin e kurrikulës në funksion të çështjeve kryesore zhvillimore të vendit, intershipeve për studentët, etj.