HAXHINASTO NË BERAT: “MBËSHTETJE DHE SUBVENCIONIM BIZNESEVE FASONE NË VEND”

495
Sigal

Industria fasone ka nevojë për mbështetje të mëtejshme në dhënien e aseteve shtetërore dhe subvencionime për të investuar më tej me qëllim promovimin dhe rritjen e eksporteve. Ndërsa, punësimi  mbetet objektiv madhor i kësaj qeverie. Ministri i Ekonomisë, Edmond Haxhinasto, në qytetin e Beratit ka vizituar nga afër dy nga ndërmarrjet më të mëdha fasone, që veprojnë prej disa vitesh në këtë qytet. I shoqëruar nga krerët e LSI-së së degës Berat, Haxhinasto ka mbërritur në ambientet e firmës private fasone “Marlotex”, e cila ushtron aktivitetin e saj, që në vitin 2005 në ambientet e rikonstruktuara të dhëna të ish -kombinatit tekstil, ku janë punësuar 100 punonjës. Më pas, kreu i Ekonomisë ka vizituar dhe ambientet e firmës “Liabel Berat Konfeksion”, një nga investimet më të hershme fasone në këtë qytet, prodhimet intime të të cilit eksportohen në tregun e huaj dhe që numëron rreth 200 punëtorë. Pasi ka inspektuar nga afër punën në këto dy biznese, ministri Haxhinasto është shprehur interesit të medias në lidhje me mbështetjen që ministria që ai përfaqëson do t’i japë biznesit, kryesisht atij fason në vend, por edhe situatës më të fundit politike në vend, asaj të imunitetit dhe integrimit. “Ndodhem këtu për të parë këto investime në qytetin e Beratit dhe ju them se është sukses i politikës së qeverisë për t’i dhënë këto asete sipërmarrjes private në kuadër të nismës sonë “Shqipëria  1 Euro”. Ndërsa ka shtuar se : “Vlerësoj këtë cilësi të lartë investimi, infrastrukturë dhe faktin që janë punësuar 300 punëtorë, këto ambiente kanë qenë të shkatërruara, tani janë ambiente moderne që punojnë për firma prestigjioze të një cilësie të lartë. “Kjo industri ka nevojë për mbështetje të mëtejshme në dhënien e aseteve shtetërore për të investuar në to biznesi privat  dhe çështje të tjera në mbështetjen, përqendrimin e politikave subvensionuese, për të promovuar eksportet”,- ka pohuar ministri Haxhinasto.

________________________________________________________________________

“TË PUNOJMË NË SHTATOR, KEMI SHANSE PËR STATUSIN NË TETOR”

Partia Socialiste ftoi të martën maxhorancën për të diskutuar rreth propozimeve të opozitës për reformën në drejtësi dhe votimin për imunitetin në Parlament, brenda muajit shtator, për t’i dhënë statusit të vendit kandidat, një shans në tetor. “Marrja e statusit të vendit kandidat është një stacion i rëndësishëm në rrugëtimin tonë europian. Ndaj, të gjitha energjitë, brenda muajit shtator, duhet të përqendrohen tek përmbushja e 12 prioriteteve kryesore të identifikuara nga Opinioni i Komisionit Europian për Shqipërinë, të cilat nuk mund të reduktohen thjesht e vetëm tek kufizimi i imunitetit”, u shpreh në një deklaratë për mediat deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, njëkohësisht kryetar i komisionit parlamentar të Integrimit. Ai përsëriti kundërshtimin e opozitës për të mbajtur një referendum për heqjen e imunitetit, siç u shpreh Bushati, “pa kundërshtar”. “Ne duam të përmbyllim një orë e më parë reformën parlamentare, sepse duam t’i japim statusit të vendit kandidat një shans në tetor. Ndërsa Sali Berisha do lojën e referendumit pa kundërshtar, pasi vijon të shkelë Kushtetutën dhe rregullat parlamentare, duke mos u ballafaquar me deputetet e opozitës në Parlament, e duke e kthyer këtë të fundit në një shtojcë të qeverisë së tij”, deklaroi Bushati. Gjithashtu, në këtë kuadër ai kërkoi që brenda muajit shtator Parlamenti të njihet me planin e masave të qeverisë për zbatimin e infrastrukturës zgjedhore.

________________________________________________________________________

KONISPOL, PËRKUJTOHET REZISTENCA KUNDËR NAZIZMIT

Rezistenca frontale 55 ditore  kundër nazizmit gjerman është përkujtuar për të dytin vit radhazi nga Bashkia e Konispolit. Përmes një atmosfere festive me këngë dhe valle çame, banorët të shumtë të mbledhur nga i gjithë vendi, festuan deri në orët e para të mëngjesit. Aktiviteti është përshëndetur edhe nga kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. ‘Ne jemi këtu sot në përkujtim të një ngjarjeje shumë të vlefshme, shumë të çmuar, e cila tregon edhe një herë sesi këta burra e gra patriotë luftuan dhe renditën për herë të parë Shqipërinë në frontin e vendeve demokratike, ku ne sot jemi aleat, pikërisht në frontin e NATO-s.

__________________________________________________________________

ELBASAN, BASHKIA KËRKON ZHVENDOSJEN E SHTATORES TË PATRIOTIT AQIF PASHA

Zhvendosja e shtatores së patriotit Aqif Pashë Biçakçiut, ( Elbasani), i cili dha kontributin e tij për shpalljen e Pavarësisë së qytetit dhe të vendit, ka qenë një nga pikat më të rëndësishme të rendit të ditës në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak. “Duke qenë se jemi shumë pranë 100- vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së vendit, mendoj se zhvendosja e shtatores të Aqif Pashë Elbasanit nga vendi aktual, drejt një vendi tjetër më lartësues për figurën e tij, do të ishte mirë, pasi vendndodhja e tanishme pengon edhe gërmimet në qendrën monumentale të bazilikës së Elbasanit, e cila shumë shpejt do të izolohet me xham”, -tha kreu i bashkisë, Qazim Sejdini. Propozimi i tij u mbështet nga këshilltarët, të cilët kërkuan edhe mendimin e intelektualëve të qytetit, për të gjetur një vend të përshtatshëm për shtatoren e patriotit elbasanas.