Harlem Desir/ OSBE-ja dërgon në Komisionin e Venecias propozimet e saj për paketën Anti-shpifje. Duhen përmirësime

377
Sigal

OSBE çon në Venecia propozimet e saj për paketën anti-shpifje

Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir, njoftoi dje se ka dërguar në Komisionin e Venecias rishikimet e bëra në paketën “anti-shpifje”. Përmes një postimi në Twitter, Desir u shpreh: “I dërgova Komisionit të Venecias rishikimet tona [si zyrë për Median e OSBE-së] rreth projekt-ligjit për Mediat Audiovizive dhe Komunikimet Elektronike [paketa anti-shpifje], pasi parlamenti shtyu votimin javën që shkoi. Ky është një moment i rëndësishëm për të bëre përmirësime të tjera përpara votimit tjetër në parlament.” Paketa anti-shpifje u miratua më 18 dhjetor 2019. Në fillim të vitit Presidenti e ktheu për rishqyrtim me argumentin se ishte antikushtetues dhe cenonte lirinë e medias. Ligji është i panevojshëm, për shkak se Shqipëria i ka mekanizmat për të rregulluar mbarëvatjen e medias dhe luftuar shpifjen. Mazhoranca ishte zotuar se do ta rivotonte pa e ndryshuar më 30 janar, por vendosi ta shtynte votimin në pritje të shprehjes së Komisionit të Venecias. Një javë më përpara Komiteti i Monitorimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës i kishte kërkuar Komisionit një opinion ligjor rreth kushtetueshmërisë së projekt-ligjit. Projekt-ligji është kundërshtuar gjerësisht nga BE, KiE, OSBE, organizatat lokale dhe ndërkombëtare të medias dhe eurodeputetë. Pavarësisht pretendimeve të qeverisë se propozimet janë konsultuar me OSBE-në. Në një intervistë Desir, tregoi se nuk ishte kështu. Ndërkohë organizatat e gazetarëve në Shqipëri kanë deklaruar se po punojnë për të nisur një mekanizëm vetë-rregullues të medias, i cili pritet të shpallet së afërmi.