Haradinaj: S’kam ftesë për Samitin e Mini-Shengenit Ballkanik. Reagon kryeministri Rama

452
Sigal

Ndërkohë që presidenti serb Aleksandar Vucic ka konfirmuar pjesëmarrjen në samitin e tiranës i cili do të zhvillohet këtë të shtunë në kuadër të katër lirive themelore brenda vendeve të ballkanit perëndimor, duket se kosova nuk ka marrë ftesë nga Tirana zyrtare.

Mosmarrjen e ftesës në samitin e tretë të quajtur ndryshe mini shengeni ballkanik i cili do të mbahet në Tiranë e bëri të ditur kryeministri në detyrë i Kosovës Ramush Haradinaj.

Duke folur pas mbledhjes së qeverisë, Haradinaj tha se edhe nëse kjo ftesë vjen nga homologu i tij Edi Rama është i vendosur që të mos marrë pjesë. “Kosova buk është e ftuar me aq sa di unë, të paktën jo deri tani që unë flas. Edhe në rrethanat që janë deri tani unë nuk marr pjesë. Por edhe ftesë nuk kemi marrë”,- deklaroi Haradinaj.

Pas këtij qëndrimi, zyra e shtypit e Kryeministrisë në Tiranën ka njoftuar se Haradinaj nuk është ftuar, pasi është dorëhequr nga detyra. Në vend të tij, ftesa i është dërguar Hashim Thaçit.

“Nisur nga një deklarate e bërë nga kryeministri i dorëhequr i Kosovës sqarojmë se duke pasur parasysh formatin e takimeve rajonale si edhe faktin qe në Kosove ende nuk është formuar qeveria e re, Kosova është ftuar në nivelin me të lartë njesoj si në takimin e Ohrit, përmes ftesës drejtuar Presidentit të Republikes së Kosovës, Hashim Thaçi”,- thuhet në njoftimin e qeverisë shqiptare.