Hapja e Ambasadave, Basha paralelizon: Shqiptarët po braktisin vendin

440
Kreu i PD-së Lulzim Basha i ka kushtuar një mesazh ditës së hapjes së ambasadave të huaja në Shqipëri, ndërkohë që regjimi diktatorial ishte në rënie 25 vjet më parë. 
Basha e cilëson atë ditë si ditën kur Shqipëria mori kthesën drejt Europës.
“Si sot 25 vjet me pare, rinia shqiptare, burrat e gratë guximtarë shemben murin e izolimit dhe u hodhën në oborrin e selive të huaja duke zgjedhur lirinë në vend të diktaturës.
Falë kurajës dhe guximit të tyre që u ngritën dhe qëndruan të parët kundër diktaturës dhe izolimit, Shqipëria nisi rrugën pa kthim drejt Europës. Hapa të rëndësishëm u hodhën në këtë rrugë, duke sjellë lëvizjen e lirë, anëtarësimin në NATO, marrjen e statusit të vendit kandidat.
Në vend të kremtimeve, ky 25 vjetor na bën sot të reflektojmë si asnjëherë tjetër për vendin dhe shoqërinë tonë”, shkruan Basha në “Facebook”.
Ai gjithashtu bën një paralelizëm të Shqipërisë së para 25 vjetëve dhe Shqipërisë së sotme, ku gjen shumë të ngjashme. Edhe sot, pas 25 vjetësh, Basha thotë se shqiptarët po e braktisin vendin. Ai gjithashtu flet edhe për zgjedhjet e 21 qershorit, të cilat sipas tij kanë dëmtuar rëndë themelin e demokracisë.
Me zgjedhjet e 21 qershorit, vota e lirë, themeli i demokracisë është dëmtuar rëndë, kriza ekonomike ka pllakosur vendin, mjerimi është ulur këmbëkryq në mijëra familje shqiptare, eksodi është rikthyer i dhimbshëm sa atëherë.
25 vjet më parë, bashkëqytetarët tanë refuzuan me forcë propagandën e regjimit që fliste për arritje spektakolare, ndërkohë që vendin e kishte mbërthyer zija e bukës.
Sot, 25 vjet më pas, shqiptarët po e braktisin vendin duke ikur drejt Europës nga dëshpërimi, papunësia, nga korrupsioni, nga pasiguria dhe nga mjerimi ekonomik.
25 vjet më parë ne provuam se askush nuk mund të na mposhtë, askush nuk mund të na vrasë shpresën, të na fundosë lirinë dhe dinjitetin.
Shqiptarët do ta dëshmojnë serish se kemi të njëjtën kurajë për të refuzuar varfërinë, kriminelët dhe korrupsionin, këtë sistem që e mban në këmbë blerja e votave”, përfundon Basha.
Sigal