Hapet tenderi, Tuneli i Kërrabës i jepet privatit me vlerë 195 milionë lekë për 2 vjet

622
Sigal

Edhe autostrada Tiranë-Elbasan do të bëhet me pagesë

 Që nga 2013-ta, kur u inaugurua tuneli i Kërrabës, rruga deri në TEG nuk ka përfunduar akoma,e dhe pse disa herë janë dhënë fonde shtesë me dhjetëra milionë euro. Ministria e Infrastrukturës, nuk shqetësohet aspak për zvarritjen pa afat të punimeve, por, hallin e ka tek tenderët dhe koncesionet. Menaxhimi, mirëmbajtja e pajisjeve dhe operimi i Tunelit të Kërrabës do të bëhet nga një kompani private. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur garën tenderuese për subjektet e interesuar, ndërkohë që fondi limit i vënë në dispozicion është 195 milion lekë pa TVSH. Kontrata që do të nënshkruhet do të ketë një afat kohor 2-vjeçar, ndërkohë që në dokumentet e tenderit nuk saktësohet sesi do të kryhet mirëmbajtja e 2 loteve të tjerë të autostradës. Tenderi ngjall dyshime për një tarifim të mundshëm të mjeteve që kalojnë në të. Ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri pak muaj para se të shkarkohej nga ky post, deklaroi se rruga Tiranë-Elbasan do të bëhet me pagesë. Gjiknuri: “Pagesa në rrugën e re të Elbasanit do të vihet pasi të jetë siguruar një alternativë tjetër pa pagesë për automjetet. Sot që flasim kërkohen minimalisht 50 milionë euro për mirëmbajtjen normale të sistemit rrugor. Kostot në rrugën e re te Elbasanit janë rritur me rreth 40 për qind. Pas shembjes së rrugës tre vite më parë në Ibë, kompania greke Aktor e nënkontraktuar për punimet ka kërkuar shtesë punimesh. Financimet shtesë të rrugës arritën në 51 milionë euro, duke e çuar vlerës e saj në 450 milionë euro. Edhe pse në dokumentet standarde të tenderit, nuk përshkruhet ekzaktësisht pse do të gjenerohen kaq shumë pará për kompaninë, e cila praktikisht nuk do të kryejë asnjë lloj investimi të dukshëm, kontrata është e kufizuar në periudhë 2-vjeçare. Ndërkohë, i paqartë mbetet edhe fakti se si do të kryhet mirëmbajtja për dy krahët e tjerë të rrugës. Njëri prej tyre, që përfshin aksin nga rrethrrotullimi i TEG deri te hyrja e tunelit, që aktualisht nuk ka përfunduar ende e për të cilin autoritetet kanë deklaruar se ai do të mbyllet përfundimisht në muajin maj të këtij vit. Ndërkohë që loti tjetër, që përfshin aksin nga dalja e tunelit deri në hyrje të qytetit të Elbasanit ka përfunduar prej kohësh dhe është i aksesueshëm nga automjetet. Që prej fillimit të kohës së shfrytëzimit, Tuneli i Kërrabës ka funksionuar vetëm me një korsi lëvizjeje, duke detyruar kështu drejtuesit e mjeteve që të ulin shpejtësinë e lëvizjes. Ai ka 2 tuba me gjatësi 2580.3 metra në anën e djathtë dhe 2320.6 metra në të majtën.