Hapen aplikimet për gradën ‘Drejtues i Parë’, pritet zëvendësi i Haki Çakos

464
Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, të caktuar në detyrë, Rebani Jaupi, kanë nisur aplikimet për të fituar gradën “Drejtues i Parë”, në mënyrë që t’i hapet rrugë zgjedhjes së kreut të Policisë së Shtetit. Në urdhër specifikohet se janë vetëm 5 vende të lira për gradën e lartë të Policisë dhe konkursi do të zhvillohet në Akademinë e Sigurisë. Nisur nga këto rrethana, mesa duket, kreu i Policisë së Shtetit do të zgjidhet mes atyre që nuk e kanë momentalisht gradën “Drejtues i Parë”, por mund ta fitojnë në konkursin që do të zhvillohet brenda muajit janar.
Ndonëse edhe drejtori i komanduar, Rebai Jaupi, i plotëson të gjitha kriteret për t’u emëruar përfundimisht në këtë detyrë, duket se hapja e konkursit bëhet për të zgjedhur një tjetër oficer të lartë Policie si pasues të Haki Çakos, i cili mbante gradën “Drejtues Madhor”. Në urdhrin e firmosur nga Rebani Japupi, specifikohet se janë 5 vende të lira pune, që korrespondojnë me gradën “Drejtues i Parë”, një ndër të cilët është posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Zhvillimi i konkursit për gradën e lartë policore pritet të bëhet së shpejti në Akademinë e Sigurisë. Urdhri i Rebani Jaupit parashikon që aplikantët të dorëzojnë dokumentacionin deri më 16 janar dhe më pas, Akademia e Sigurisë të zhvillojë procesin e konkurrimit, që do të thotë se gradat do të jepen në një afat kohor brenda 2 javësh. “Me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike, korresponduese të gradës “Drejtues i Parë” dhe përzgjedhjen me barazi, paanshmëri e transparencë të kandidatëve më të mirë për marrjen e gradës, urdhëroj: Hapjen e procesit të konkurrimit për fitimin e gradës policore ‘Drejtues i Parë’; Faza e aplikimeve për konkurrim të fillojë më datë 11 janar 2018 dhe të përfundojë më 16 janar 2018; Numri i funksioneve të lira organike të shpallura për konkurrim, korresponduese të gradës policore ‘Drejtues i Parë’, është 5; Punonjësi i Policisë që plotëson kritere ka të drejtë të aplikojë për të marrë pjesë në konkurrim për fitimin e gradës pasardhëse ‘Drejtues i Parë’”, thuhet në urdhrin e firmosur nga drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit, Rebani Jaupi.
Ende nuk dihet se kush mund të jetë zëvëendësuesi i Hako Çakos por emrat e përfolur deri më tani janë Altin Qato, Sokol Bixhga e të tjerë.
Sigal