Eurokomisioneri për Zgjerimin Johannes Hahn ka përshëndetur miratimin me konsensus të ligjit për dekriminalizimin, duke theksuar se ky zhvillim legjislativ pritet të forcojë më tej shtetin ligjor, të rrisë integritetin e zyrtarëve publikë, të nxisë luftën kundër korrupsionit, por të rrisë gjithashtu edhe besimin e qytetarëve te funksionimi i shtetit dhe tek institucionet e tij.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Johannes Hahn tha se kjo paketë legjislative demonstron se dialogu konstruktiv ndërpartiak është mënyra më e mirë për të ndjekur reformat që i nevojiten vendit.
“E enjtja ishte një datë e rëndësishme për Parlamentin e Shqipërisë. Pas disa muajsh debate mes partive politike, anëtarët e Parlamentit miratuan ndryshimet kushtetuese dhe kuadrin e nevojshëm legjislativ për vendosjen e një disipline të qartë për përjashtimin e shkelësve penalë nga postet publike (i ashtuquajturi ligji i “dekriminalizimit”). BE-ja përsërit se Shqipëria po përballet me një numër sfidash shumë delikate të reformës që kërkojnë një dialog konstruktiv mes gjithë partive politike. Progresi i agjendës së reformave është i rëndësishëm për ta çuar vendin përpara në udhën e tij drejt integrimit evropian, si dhe për të garantuar më tej rrënjosjen e shtetit ligjor.”- përfundon deklarata e eurokomisionerit Johannes Hahn.