Grupet opozitare ruse sfidojnë urdhrin e Putin

181
Sigal

Grupi anti-korrupsion i udhëheqësit të burgosur të opozitës ruse Alexey Navalny premtoi se do të vazhdojë punën pasi një gjykatë ruse shpalli të paligjshme organizatat e lidhura me zotin Navalny dhe i etiketoi ato si “ekstremiste”.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë korrupsionin!” postoi të enjten në Twitter Fondacioni Antikorrupsion i zotit Navalny.

Vendimi i së mërkurës nga gjykata e Moskës ndalon njerëzit e lidhur me grupet që punojnë me Navalnyn të kërkojnë poste publike, përfshirë vende në parlament. Rusia zhvillon zgjedhjet parlamentare në shtator.

Prokurorët e akuzuan Navalnyn dhe bashkëpunëtorët e tij për përpjekje për të destabilizuar Rusinë.

Departamenti amerikan i Shtetit e dënoi vendimin të mërkurën.

“Ne i bëjmë thirrje Rusisë të mos abuzojë me përcaktimet për “ekstremizëm” duke vënë në shënjestër organizata jo të dhunshme, t’i japë fund përndjekjes së zotit Navalny dhe mbështetësve të tij dhe të respektojë detyrimet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore,” tha zëdhënësi Ned Price në një deklaratë.

Zoti Nalvany, kritiku më i ashpër i Presidentit rus Vladimir Putin, po vuan një dënim me dy vjet e gjysmë burg për shkelje të një dënimi me kusht, të cilin ai e ka quajtur të motivuar politikisht.

Nalvany u arrestua në janar në Rusi pasi kaloi pesë muaj në Gjermani për t’u rimëkëmbur nga një helmim me agjent nervor, për të cilin ai akuzon Kremlinin. Rusia e ka mohuar pretendimin.

Zëvendës Sekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman tha se ajo pret që Presidenti Joe Biden të flasë me presidentin rus Putin për helmimin e Navalnyt dhe çështje të tjera të të drejtave të njeriut kur ata të takohen javën e ardhshme në Gjenevë.