Gropa e arbitrazheve/ Shqipëria humbi gjyqin me ‘Bechettin’,gjykatat ndërkombëtare bllokojnë 65 mln euro të Albcontrol të trafikut ajror shqiptar

71
Sigal

Qeveria shqiptare refuzoi të paguajë vlerën e parave të fituara nga arbitrazhi ndërkombëtar për biznesmenin italian Francesko Bechetti, por tashmë ky refuzim ka shkaktuar pasojat për kompanitë shtetërore shqiptare. Gjykata e Apelit në Bruksel ka marrë vendimin që të ardhurat që administron kompania e kontrollit të trafikut ajror shqiptar, Albcontrol, do të kalojnë në llogari të investitorit italian. Mediat belge raportojnë se shuma e bllokuar nga Albcontrol është 65 milionë euro.

Kryeministri Edi Rama vijon të theksojë se Francesco Beçheti nuk do të marrë asnjë lek nga shteti shqiptar, edhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit vendosi përfundimisht se Shqipëria duhet t’i paguajë 110 milionë euro sipërmarrësit italian, pas mbylljes flagrante të televizionit “Agon Channel”.

Por, këto përbetime të Ramës nuk bindin asnjë prej autoriteteve jashtë Shqipërisë.

Gjykata e Apelit të Brukselit ka vendosur përfundimisht bllokimin e tarifave që kompania ndërkombëtare “Eurocontrol” i paguan shoqërisë publike shqiptare “Albcontrol” për trafikun ajror.

Vendimi është marrë në datën 15 maj 2023, pas kërkesës së Francesco Bechetti dhe bashkëpunëtorëve të tij. Sipërmarrësi italian ka vënë në lëvizje autoritetet ndërkombëtare, pasi qeveria e Ramës nuk pranon të paguajë vullnetarisht gjobën e vendosur nga Arbitrazhi i Bankës Botërore.

Në vitin 2021, Gjykata e Brukselit vendosi të bllokojë pagesat që “Eurocontrol” kryen ndaj shqiptares ‘Albcontrol”, në tentativë për të siguruar një pjesë të pagesave që shteti shqiptar i detyrohet Bechetti-t.

Ky vendim u apelua nga “Eurocontrol”, e cila iu gjend në krah kompanisë shqiptare, “Albcontrol”.

Gjithashtu, shteti shqiptar u mbështet në atë proces gjyqësor edhe nga qeveria belge. Autoritetet shtetërore të Belgjikës deklaruan para trupës gjyqësore që bllokimi i pagesave për “Albcontrol” mund të sjellë pasoja dhe incidente diplomatike me Shqipërinë.

Megjithatë, pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata e Apelit të Brukselit vendosi përfundimisht që tarifat e “Albcontrol” të bllokohen, pasi qeveria e Edi Ramës refuzon të zbatojë një vendim të detyrueshëm të Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Mediat në Belgjikë raportojnë se janë bllokuar 65 milionë euro për llogari të Bechetti-t dhe se vendimi më i fundit i Gjykatës së Apelit në Bruksel krijon mundësinë për t’u zgjeruar edhe në të ardhura të tjera, që lidhen me shtetin shqiptar.