Greva/ Punëtorët e ARMO trajtohen si të huaj në vendin e tyre

409
Sigal

Kompania nuk iu paguan 13 rroga, ndërsa kontratat kolektive janë prishur në mënyrë të njëanshme

SKANDAL!  Punëtorët e ARMO-s trajtohen si emigrantë brenda vendit të tyre

Artan Spahillari është një ish-punonjës i ARMO-s në filialin e kompanisë në Vlorë që pret 13 rrogat e tij. Artani erdhi të më takonte së bashku me Marion, djalin e tij 4-vjeçar që shkon në kopsht. “Babi, xhaxhi ka ardhur për të na sjellë lekët?”,- thotë 4-vjeçari, ndërsa fliste shumë fjalë që nuk kuptoheshin. Artani jeton së bashku me 3 fëmijët e tij dhe bashkëshorten në qytetin e Vlorës, ndërsa më tregon se në ARMO ka punuar prej vitesh, por tanimë me prishjen e kontratës dhe me falimentimin e kompanisë, ai është papunë, ndërsa e ka kërkuar në çdo institucion të drejtën e tij, por deri më tani pa rezultat. “Ne kemi fituar vendimin e Gjykatës, përmbarimi na ka gënjyer për një vit me radhë, jo sot jo nesër na thotë. Shteti duhet të ndërhyjë për të na zgjidhur këtë situatë, sepse ajo është djersa jonë, nuk po kërkojmë as ndihmë ekonomike e as asgjë tjetër, por punën tonë. Tani këta thonë se e ka sekuestruar banka. Normal, banka ka fuqinë të marrë borxhet e saj, po ne të shkretët çfarë do të bëjmë, ku do t’i marrim paratë tona.”,-shprehet ai i revoltuar. Por Artani nuk e ka problem vetë mosmarrjen e pagave, ai shprehet mjaft i shqetësuar edhe për filialin e rafinerisë në Vlorë, i cili është në hyrje të qytetit, por që është i sekuestruar dhe jashtë pune prej muajsh. Ai thotë, se filiali do patjetër mirëmbajtje, dhe lënia pa punë e tij mund të çojë në një dëm të madh, jo vetëm për pasurinë që ai filiali ka brenda, por edhe për banorët që jetojnë afër tij.

Pagat

Falimentimi i Kompanisë ARMO, ka sjellë prej vitesh probleme jo vetëm për shtetin shqiptar, por edhe për dhjetëra punonjës të kësaj kompanie që ende kanë detyrime të pashlyera nga ana e ARMO-s. 26 punonjës të Filialit të ARMO-s në Vlorë i janë drejtuar institucioneve shtetërore për të ngritur shqetësimin për pagat e tyre, fati i të cilëve ende nuk dihet. Pas falimentimit të ARMO-s punonjësit mbetën pa pagat e tyre, ndërsa kompania u detyrohet ende 13 paga. Punonjësit janë të pajisur me kontratë kolektive dhe individuale për periudhën kohore 03/06/2016 deri më 23/06/2019, por me falimentimin e ARMO-s kjo kontratë është prishur në mënyrë të njëanshme, ndërsa ata i janë drejtuar Gjykatës për të kërkuar të drejtën e tyre, marrjen e pagave për punën që ata kanë bërë.