Greqia do fillojë shpimet edhe në detin shqiptar, Turqia kërcënon me luftë, diplomacia shqiptare fle

877
Sigal

Greqia, Qipro dhe Izraeli vazhdojnë të bëjnë punime për shpimin në det në OAZ e Qipros, ndërkohë që Turqia ka dhënë paralajmërime se do të ndërhyjë ushtarakisht, nëse nuk ndërpritet puna dhe të arrihet marrëveshja shumëpalëshe, ku siç dihet, Turqia ka pretendimet e saj, sepse OAZ ku duan të shpojnë Qipro, Greqia dhe Izraeli i përket edhe pjesës qipriote turke. Ndërkohë, Greqia, akoma pa firmosur pala shqiptare Marrëveshjen e Detit, ka filluar të kontraktojë kompanitë të mëdha për të kërkuar naftë e gaz edhe në pjesën shqiptare. Siç duket Athina zyrtare nuk pret, por ka mundësi të ndjehet e sigurt prej qeverisë shqiptare, ndaj ka filluar punë. Kompanitë që kërkojnë naftë dhe gaz në tokë dhe në det në pjesën perëndimore të Greqisë, në perëndim të Korfuzit, do të investojnë 500 milionë euro në 7-8 vitet e ardhshme, sipas kreut të kompanisë shtetërore që negocion licencat e eksplorimit. Sipas gazetës Kathimerini Yannis Bassias, President dhe Drejtor Ekzekutiv i Menaxhimit të Hellenic Hydrocarbon Resources (HHRM) foli për madhësinë e investimeve dhe mundësitë që ofron Greqia. Mirëpo, sipas Yannsi Bassias, eksplorimi për naftë dhe gaz në det do të bëhet në pjesën ku ende nuk është përcaktuar me marrëveshje kufijtë detarë midis Shqipërisë dhe Greqisë, por, siç ka deklaruar ish ministri i Jashtëm i Greqisë Kotzias, marrëveshja është përfunduar, kufijtë janë përcaktuar në 12 milje, domethënë, Greqia ka marrë një sipërfaqe të detit të deritanishëm të Shqipërisë. Diplomacia shqiptare nuk reagoi as ndaj deklaratave të Kotzias, dhe as tani, ku Greqia zbardh planet e saj, ku do të nisë eksplorimin e naftës edhe në detin që është ende në kufirin shqiptar.