Grasso-Meta: Italia, pranë dhe përkrah Shqipërisë në procesin e integrimit në BE

426
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta u prit sot në Romë nga Presidenti i Senatit Italian Pietro Grasso me të cilin biseduan rreth partneritetit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Italisë.
Kryetari i Kuvendit z. Meta e falënderoi z. Grasso për ftesën në Konferencën e Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së, vlerësoi marrëdhëniet e ngushta strategjike mes Shqipërisë dhe Italisë duke theksuar se Italia është avokat i fuqishëm i Shqipërisë në gjirin e Bashkimit Evropian. Në këtë drejtim, z. Meta nënvizoi se qeveria shqiptare është e fokusuar në avancimin e axhendës së reformave prioritare si ajo e drejtësisë, duke sjellë në kujtesë përfundimin me sukses të reformës territoriale-administrative, e cila të do rrisë cilësinë e pushtetit vendor në të gjithë vendin pas zgjedhjeve vendore të qershorit.
Presidenti i Senatit Italian z. Pietro Grasso, pasi përshëndeti pjesëmarrjen e Kuvendit të Shqipërisë në Konferencën e Romës, theksoi se Italia është gjithnjë pranë dhe përkrah Shqipërisë përgjatë procesit të integrimit evropian dhe vuri në dukje se reformat kyçe duhet të avancojnë duke u mbështetur në vullnetin e brendshëm politik të Shqipërisë, me mbështetjen e partnerëve evropiane. Në këtë kuadër, theksoi z. Grasso, Italia nuk do t’a kursejë mbështetjen e saj. 
Z. Meta dhe z. Grasso vlerësuan gjithashtu prezencën dhe kontributin e komunitetit arbëresh dhe atij shqiptar të ardhur në Itali duke vënë në dukje se si shqiptarët në Itali, ashtu edhe italianët në Shqipëri përbëjnë një urë solide bashkëpunimi dhe lidhje të fortë shpirtërore mes dy vendeve. 
Z. Meta vlerësoi gjithashtu rolin aktiv të Italisë në rajon dhe veçanërisht marrëdhëniet e forta me Serbinë, duke theksuar se zhvillimi i një raporti trilateral mes Italisë, Shqipërisë dhe Serbisë do të kontribuonte në zhvillimin më të shpejtë të rajonit dhe në forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit të tij.
Sigal