Gjykata Kushtetuese shqyrton nesër padinë ndaj zgjedhjeve vendore të 30 qershorit

302
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

E mërkura 23 Qershorit do ta gjejë të mbledhur Gjykatën Kushtetuese për të vijuar shqyrtimin e padisë, nëse zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019, ishin apo jo kushtetuese. Më shumë se sa një vendimmarrje e karakterit juridik, kjo padi në kushtetuese po ndiqet me shumë interes nga të gjitha forcat politike e në veçanti nga shumica qeverisëse dhe opozita e cila i bojkotoi ato zgjedhje. Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, në emër të bashkive të Shqipërisë, një shoqatë e drejtuar prej vetë asaj, vendosi të çojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke i kërkuar asaj, të shpallë pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve.

Përpara mbajtjes së seancës së 23 Qershorit, Gjykata Kushtetuese, i ka dërguar palës paditëse një shkresë ku kërkon pjesëmarrjen në seancë vetëm të një personi, për shkak të masave anti-covid. Më 8 qershor Pjerin Ndreu u zgjodh, si kryetar i ri i Shoqatës së Bashkive, por gjykata e shkallës së parë Tiranë i ka kërkuar Ndreut të shpjegojë se kush e ka thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme, cila ka qenë urgjenca e thirrjes së saj. Në tilla kushte, kur socialisti Ndreu nuk është certifikuar ende në krye të kësaj shoqate, drejtimi saj, do të vijojë prej Voltana Ademit, e cila tha se do të jetë në seancën e të mërkurës në Gjykatën Kushtetuese, bashkë me avokatin e shoqatës. Këshilli i Ministrave si palë në këtë process, do të përfaqësohet nga zonja Elira Kokona.