Gjykata Kushtetuese në Prishtinë pezullon dekretin e presidentit Thaçi për qeverinë e re

347
Sigal

Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese në Prishtinë vendosi pezullimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Thaçi dekretoi Hotin dje, ndërkohë po dje Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të fundit, dërgoi padi në Kushtetuese. Ndër tjera, VV-ja kërkoi që të vendoset masa e përkohshme për pezullim të zbatimit të dekretit të Presidentit Hashim Thaçi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese cilësohet si masë e përkoshme deri në shqyrtimin e plotë të çështjes. Ky vendim automatikisht rrëzon dhe seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, për votimin e Qeverisë Hoti. Seanca ishte planifkuar për nesër, por nuk do të mbahet.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka 60 ditë afat për të shqyrtuar plotësisht çështjen. Vendimi i sotëm do të thotë se Albin Kurti do të vijojë të jetë kryeministër deri në momentin që do të ketë një vendim final nga institucioni më i lartë i drejtësisë.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës:

Gjykata, në mbështetje të nenit 116.2 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe të rregullit 57 të Rregullores së punës, më 1 maj 2020, me shumicë votash, vendosi:

Të miratojë masën e përkohshme në kohëzgjatje deri më 29 maj 2020, nga data e nxjerrjes së këtij Vendimi;

Të pezullojë menjëherë zbatimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, të datës 30 prill 2020, në kohëzgjatje të përcaktuar në pikën I të këtij dispozitivi;

Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, ka përfunduar se kërkesa e parashtruesve për masë të përkohshme përkitazi me Dekretin e kontestuar të Presidentit duhet të miratohet si e bazuar.