Gjykata Kushtetuese, Kuvendi nis procedurën për 1 vend bosh

470
Kuvendi ka hapur procedurën për plotësimin e një vendi vakant, nga katër që i mungojnë aktualisht Gjykatës Kushtetuese. Pak ditë pas vendimit të Presidentit për hapjen e procedurës për 2 vende bosh, Kuvendi njoftoi nisjen e procedurës për zëvendësimin e ish-gjyqtarit Vladimir Kristo. Aplikimet, të shoqëruara me dokumentacionin e përkatës, duhet të paraqiten brenda datës 15 mars 2018 në zyrën e protokollit të Kuvendit. Më pas, lista e kandidatëve do të publikohet në faqen zyrtare të internetit të Kuvendit të Shqipërisë brenda 30 ditëve nga hapja e procedurës së aplikimit. Lista, bashkë me dokumentacionin përkatës për secilin kandidat do t’i përcillet Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Aktualisht, Gjykatës Kushtetuese i mungojnë 4 anëtarë nga 9 që duhet të ketë gjithsej, duke e vendosur këtë institucion kyç në një ngërç. Në fund të javës së kaluar, Presidenti Ilir Meta hapi garën për dy vende vakante që i takojnë Presidencës. Me futjen në fuqi të ligjeve të reformës në drejtësi, anëtarët e rinj të gjykatës duhet të kenë kaluar më parë vetingun. Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me shumicë të cilësuar dhe vullnetin për të mos e lënë Gjykatën Kushtetuese të bjerë në kolaps e kanë shprehur edhe demokratët. 
Sigal