Gjykata Kushtetuese hyn në ngërç, bllokohet funksionimi i KED-së. Mbeten pezull kandidaturat e Presidentit

638
Gjykata Kushtetuese hyn në ngërç

Gjykata Kushtetuese po hyn në një ngërç të thellë funksional, pasi organet e reja të drejtësi nuk e interpretojnë ligjin dhe Kushtetutën një lloj. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka refuzuar Presidentin e Republikës dhe nuk i ka marrë në dorëzim 38 dosjet e kandidatëve për dy vende vakante në Gjykatën Kushtetuese. “Report TV” ka mësuar që nga 27 shkurti kur lista është shpallur publikisht, dosjet e kandidatëve për gjyqtarë kushtetues qëndrojnë në presidencë. Përmes dy shkresave në dy data të ndryshme, Presidenca i është drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që kryesohet nga gjyqtari Artan Broci, duke i kërkuar të sqarojë se ku dhe kujt duhet t’ia dorëzojë dosjet e aplikantëve. Në të dyja radhët, KED e cila ka për detyrë shqyrtimin e dosjeve dhe renditjen e kandidatëve, nuk i ka kthyer asnjë përgjigje Presidentit të Republikës. Këto dy shkresa të Presidencës i janë dërguar, jo vetëm kryetarit të KED-së, Artan Broci, por edhe anëtarëve të tjerë të Këshillit, si dhe për dijeni, Kuvendit të Shqipëri, Avokatit të Popullit dhe komisionit të vetingut. Por as përfshirja e këtyre organeve nuk ka ndihmuar. Media ka kontaktuar kryesuesin e KED-së Artan Broci, por ky i fundit nuk shfaqi asnjë gatishmëri për t’u përgjigjur. Në një komunikim të mëparshëm, Broci pati thënë se do të fliste atëherë kur zyrtarisht të merrte kandidatët. Pikëpyetja ngelet e madhe: A do t’i marrë KED-ja kandidatët apo do t’i lërë në zyrën e Presidentit apo në të Kuvendit, i cili po ashtu po mbledh të tjerë kandidatë për vakancën tjetër? Ditën e hënë, Partia Socialiste kërkoi që KED të mos vazhdojë punën për plotësimin e 4 vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja tha për median se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, nuk mund të vlerësojë kandidaturat, për sa kohë vetë anëtarët e këtij Këshilli nuk kanë kaluar testin e vetingut. Kontrolli i anëtarëve të KED-së është në proces, dhe nuk dihet se kur mund të përfundojë, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka vetëm 5 nga 9 anëtarë që duhet të ketë normalisht.
Sigal