Gjykata gjobit fermerin që përndiqte deputetin Peza

516
Gjykata e Elbasanit ka gjobitur një fermer nga Peqini që përndiqte me sms deputetin socialist Alfred Peza. Fermeri i ka shkruajtur mesazhe të ndryshme Pezës, ku i kërkon “llogari”. 
Gjatë tre muajve të parë të vitit 2016, në numrin personal të deputetit kanë mbërritur dhjetëra thirrje dhe SMS nga një numër i panjohur prej tij. 
Në këto mesazhe, deputetit të qarkut Elbasan “i kërkohej llogari” se përse nuk shkonte në Peqin dhe se ishte zhdukur pa gjurmë nga ky qytet. I panjohuri nuk kursente as ironinë, duke i pohuar anëtarit të Parlamentit se do të ftonte deputetin tjetër, Ben Blushin, të shkruante një libër për ç’kishte bërë deputeti Peza në Peqin. 
Për llogari të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë e Tiranës janë administruar një sërë SMS të mbërritura në numrin celular në përdorim të deputetit. Dërguesi i tyre ishte një numër që përfundonte me “004”. Sipas të dhënave, numri i përkiste shtetasit Roland Uruçi, 45 vjeç, fermer, nga fshati Përparim i njësisë administrative Peqin.
Më 18 prill, Roland Uruçi është dërguar si i pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Uruçi u gjykua pa masë sigurimi. Më 4 korrik 2016 ai u deklarua i fajshëm nga gjykata për akuzën e ngritur ndaj tij dhe u dënua me 120 mijë lekë gjobë. 
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai përfitoi uljen e një të tretës së dënimit. Sipas vendimit, detyrimi përfundimtar i 80 mijë lekëve të rinj duhet të shlyhet prej tij brenda katër muajsh, pasi vendimi të marrë formë të prerë. 
Në masën e dënimit, gjykata ka mbajtur parasysh qëndrimin pohues dhe pendues të të pandehurit si gjatë hetimit paraprak, po ashtu edhe gjatë gjykimit të çështjes.
Sigal