Gjykata e Tiranës pranon gjykim të shkurtuar për Tom Doshin, Frrokun dhe Bamin

452
Sigal

Gjykata Penale e Tiranës ka pranuar gjykim të shkurtuar ndaj deputetit Tom Doshi, ish-deputetit Mark Frroku dhe Durim Bamit, ndërsa më 20 qershor do të japë pretencën për të akuzuarit. Ata janë vënë nën akuzën e “Kallëzimit të rremë” kryer në bashkëpunim, për një atentat të pretenduar nga ana e Tom Doshit, në vitin 2015. Ai në atë kohë akuzonte Ilir Metën, tashmë President, se kishte porositur një atentat për të bërë eliminimin e tij fizik. Pas një ping-pongu mes Krimeve të Rënda dhe Gjykatës së Lartë për kompetencën e gjykimit, dosja do shqyrtohet nga e para nga gjyqtarët e Tiranës. Sipas prokurorisë, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin krijuan prova të rreme me qëllim që të niste një hetim penal ndaj Ilir Metës (kryeparlamentar në kohën kur u regjistrua video). Doshi pretendonte që Meta kishte urdhëruar vrasjen e tij bashkë me ish-deputetin e PD-së Mhill Fufi dhe se këtë gjë ia kishte rrëfyer miku i tij Mark Frroku, por prokuroria pas hetimeve arriti në konkluzionin se gjithçka ishte e sajuar dhe i mori të pandehur. Çështja e tyre kaloi në të gjitha gjykatat, nga ajo e Larta, në Kushtetuese, pastaj tek Krimet e Rënda e në fund u rikthye në Gjykatën e Tiranës. Siç mëson gazeta “Telegraf” prokuroria ka kërkuar marrjen me forcë të të pandehurve, nëse ata nuk duan të paraqiten në gjyq.