Gjykata çon në gjyq vetëm “peshqit e vegjël” të dosjes “184”

224
Sigal

Në seancën gjyqësore që do të zhvillohet sot  për “Dosjen 184” do të gjykohen vetëm peshqit e vegjël.

Prokuroria e Dibrës ka dërguar për gjykim katër të pandehur për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve, ndërsa zyrtarët e lartë që nga Damian Gjiknuri, Ulsi Manja, Pjerin Ndreu, ish-ministri Saimir Tahiri etj., nuk preken fare ndonëse pas zbardhjes së telefonatave nga Prokuroria dhe të publikuara nga gazeta gjermane “Bild”, ata urdhërojnë blerjen e votave.

Robert Aga, ish-shef komisiariati akuzohet për shpërdorim detyre, pasi me dashje dhe në kundërshtim me ligjin ka vënë uniformat blu në funksion të një subjekti politik, në rastin konkret maxhoranxës socialiste.

Drini Gjeci ish drejtor i Arsimit, do të përgjigjet para drejtësisë për shpërdorim detyre, pasi kanoste mësuesit se nëse nuk votonin në favor të kandidatit të mbështetur nga maxhorancxa, do t’i largonte nga detyra.

Nuri Meda, administrator i Njësisë Administrative Tomin akuzohet për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve. Në kundërshtim me ligjin ai ka dëmtuar interesat e qytetarëve, pasi ka përjashtuar 39 familje nga skema e ndihmës ekonomike, vetëm për shkak të bindjeve politike, pa verifikuar nëse i plotësonin ose jo kriteret për të qenë pjesë e skemës.

Hasan Hoti nga njësia administrative Lurë akuzohet se ka kanosur zgjedhësit me qëllim që të votonin për kandidatinpër kryebashkiak i Aleancës për Shqipërinë Europiane

Prokuroria thekson në dosje se disa nga personat nën hetim, zyrtarë apo ish zyrtarë si dhe biznesmenë e kanë konsumuar veprën penale të shitblerjes së votës, por nuk mund të merren në përgjegjësi ligjore, përderisa vepra penale është parashkruar.

Këtë vepër penale sipas prokurorisë e kanë kryer, Imer Lala, Robert Aga, Arben Keshi, Drini Gjeci, Afrim Mikli apo Bekim Krashi, porse për arsye proceduriale ata shpëtojnë nga ndëshkimi.

Dosja e bujshme “184”, trazoi politikën shqiptare pas publikimit të përgjimeve në BILD-in Gjerman, ndërsa bëri disa herë rrugëtimin nga Dibra në Tiranë e anasjelltas, për t’u vendosur përfundimisht në Dibër.