Gjunkshi kundër dekretit të Nishanit për SHQUP-in: Është pronë e ushtrisë!

491
Sigal

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Xhemal Gjunkshi ka kundërshtuar Presidentin e Republikës, Bujar Nishanin, për vendimin ndaj SHQUP-it. Burime nga Ministria e Mbrojtjes pohuan se, Presidenti Republikës, në kapacitetet edhe të Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura ka firmosur dekretin për nxjerrjen jashtë inventarit të ushtrisë të godinës së SHQUP-it. Ky dekret ka mbërritur në zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes pasditen e së enjtes. Sikurse edhe vendimi Këshillit të Ministrave për kalimin  e SHQUP-it, në godinë të PD-s, që nuk u bë asnjëherë publik në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave edhe dekreti i presidentit, deri këto momente ka pësuar të njëjtin fat. Zyra e shtypit e Presidencës, për të pasur version zyrtar dhe detajet e dekretit, dha dje për mediat që interesoheshin këtë përgjigje: “Keni telefonuar pas mbarimit të orarit zyrtar”. Mimi Kodheli, ministre e ardhshme e Mbrojtjes deklaroi  se, gjatë një bisede telefonike me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Gjunkshin, ai ka pohuar se, nuk ka firmosur asnjë shkresë për nxjerrjen jashtë inventarit të pronave të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërtesën e SHQUP-it. Ky qëndrim i Gjeneralit përforcohet edhe nga shkresa që ai  ka dërguar sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, përmes të cilës ai kundërshton kalimin e SHQUP-it për t’u përdorur si seli e PD-së.