Gjosha: Qeveri tranzitore që do garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme

476
Sigal

Pjesë nga intervista e ish-deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha

Zhvillohet sot Konferenca e Ballkanit Perëndimor apo Samiti i Berlinit, prezantohet Shqipëria me kryeministrin Rama. Në ç’moment paraqitet Shqipëria në këtë samit të Berlinit dhe si i shihni zhvillimet që do të jenë brenda tij?

Mbetet një moment i rëndësishëm pikërisht kur do zhvillohet Samiti i Berlinit, aq më tepër që ka një të re këtë radhë, sepse Gjermanisë i janë bashkuar shtete kryesore dhe pikërisht këtu bëhet fjalë për Francën, me presidentin Macron. Dhe të mos harrojmë që pjesë e këtij samiti këtë radhë është bërë pjesë edhe Kroacia dhe Sllovenia, kanë shprehur dëshirën që të jenë pjesë e samitit dhe të jenë pjesë e brendësisë së të gjithë bisedimeve që do të kryhen me vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian.do të jenë dy pika kryesore që do të zhvillohen në këtë axhendë. Pika e parë patjetër që ka të bëjë me dialogun Kosovë-Serbi, çështjen e ndërrimit të kufijve, si kanë shkuar marrëveshjet e një pas nyjshme të këtyre dy vendeve deri në këto momente dhe unë besoj se këtu ja vlen të ndalesh për ta diskutuar sesi ky dialog do të shkojë më tej. Cila do të jetë platforma që do të paraqesë Berlini, por edhe Franca për mundësinë e vazhdimësisë së këtij dialogu. Të mos harrojmë që deri më tani kanë qenë disa vite të dështuara le të themi të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, për arsye të mungesës së një axhende apo platforme të qartë diskutimi, që do të duhet të duhet të kryheshin mes këtyre dy vendeve. Kemi të bëjmë me dy vende që ende e shikojnë veten e tyre si në një moment lufte.
Pra ende nuk kemi arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë, e jo më të diskutohet më pas për marrëveshje të njëpasnjëshme apo edhe detaje teknike. Ndaj dhe unë mendoj që është shumë e rëndësishme që të ketë një axhendë konkrete dhe pse jo të shkohet drejt një traktati paqeje njëherë dhe më pas të diskutohet për çështje të tjera. Sepse po ta analizojmë se çka ka marrë vendime deri në këto momente Kosova dhe Serbia, kanë qenë çështje targash apo çështje të një rrethrrotullimi në Mitrovicë. Pra nuk ka ende shuarje të problematikave që kanë pasur këto dy vende, apo edhe të ndjesive që kanë njerëzit atje kur diskutohet për luftën e kështu me radhë. Ndaj edhe është e rëndësishme që të kemi diçka konkrete dhe një platformë që unë tashmë e besoj fort sepse duke pasur dy shtete kryesore të Bashkimit Europian, ky dialog do të shkojë një hap më tej.
Pjesa e dytë e axhendës dhe që kjo ka një rëndësi shumë të madhe për ne është pikërisht çështja e integrimit europian, ecuria që Shqipëria do të ketë, por edhe Maqedonia e Veriut. Këto janë dy vende ku do të diskutohet tashmë nëse do të ketë një vendim në muajin qershor apo jo. T’iu them të vërtetën Maqedonia e Veriut është një nga ato shtete që ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara. Marrëveshja e Prespës gjithashtu e ka konfirmuar atë sepse është një sakrificë shumë e madhe e atij populli për t’iu dedikuar procesit të integrimit europian, për t’i shkuar deri në atë pikë sa të ndryshojë edhe emrin. Për të mos përmendur këtu edhe reformat e një pas njëshme dhe ekonomike që Maqedonia e Veriut ka marrë dhe që kanë pasur një ecuri jashtëzakonisht shumë të mirë dhe e meriton plotësisht të çelë negociatat.
Problemi në fakt është Shqipëria. Dhe ku flas për Shqipërinë nuk kam në mendje vetëm problematikën e fundit të ngritur nga opozita, që ka të bëjë me djegien e mandateve, por me mënyrën sesi janë plotësuar kushtet apo jo. Qeverisjen e vendit pikërisht gjatë vitit të fundit, analizën që do të duhet që të kryejnë vendet anëtare, pra i kemi plotësuar ne kushtet apo jo. Dhe të mos harrojmë që në këtë samit kemi të bëjmë me Francën, që është një nga vendet më kërkuese ndaj këtij procesi, nga më skeptiket, por jo vetëm për çështjet e brendshme dhe të politikave që ata kanë për reformim të brendshme të BE-së dhe më pas zgjerim, por edhe për faktin që i kanë kërkuar Shqipërisë këtu e një vit më parë dhe kanë ngritur çështjen e azilkërkuesve. Dhe sot Shqipërisë i kërkohet një raport i dytë, përveç atij që do të dorëzojë Komisioni Europian, ku duhet të flasë me fakte konkrete se çfarë është bërë për azilkërkuesit, sa është numri, a ka një rënie apo jo dhe a është bërë një analizë e të gjithë fakteve dhe arsyeve se pse largohen shqiptarët. Dhe pse pikërisht zgjedhin vende si Franca, Suedia, Belgjika pra janë një sërë vendesh që e kanë një çështje tashmë të ngritur. E ritheksoj që problemi është Shqipëria dhe kjo fatkeqësisht mund të sjellë edhe një shtyrje të vendimit edhe për vetë Maqedoninë e Veriut. Sepse vendimi për çeljen e negociatave, i parë në këndvështrimin gjeopolitik, Shqipëria është e pamundur të mbetet në grupimin e Bosnjës dhe të Kosovës. Ndoshta ky do të ishte i vetmi avantazh që të ndiqnim Maqedoninë e Veriut në këtë proces për të çelur negociatat.

30 qershori është shumë afër, ne e kemi dëgjuar që sa më shpesh të lakohet pjesa e pamundësimit të zgjedhjeve zonja Gjosha, sepse mazhoranca është e sigurt dhe e vendosur që zgjedhjet do të bëhen në 30 qershor dhe do të vijohet kështu siç është vendosur kështu me ato regjistrime që janë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në rrugën pa kthim siç thotë kryeministri të opozitës me mandatet e djegura. Do ta marrin sipas jush në dorë edhe qytetarët përveç se simpatizantët e partive në protesta të ndryshme. Do ta marrin qytetarët në dorë situatën në mënyrë që të realizohet ky pamundësim i zgjedhjeve ?

Nuk është çështje lufte e qytetarëve shqiptarë. As konflikti civil. Këtu kemi të bëjmë me standarde dhe unë besoj që sado që të shkojë zoti Rama më një lloj arrogance të tillë që në fakt atë e ka karakterizuar që nga fillimi mënyra si e ka qeverisur vendin. Pra nuk është diçka e re për ne, nuk është surprizë një sjellje e tillë nga mazhoranca. Por nëse do të shkojë në zgjedhjet e 30 qershorit me një palë zgjedhje që do të ishin monopartike, sepse ne nuk mund të quajmë opozitë një opozitë të klonuar, njerëz të cilët janë sot në Parlament për interesa personale dhe aspak të parimeve të partive politike, të cilat i kishin ato në listat e tyre në zgjedhjet e 2017. Unë besoj që për zotin Rama do të ishte një vetëvrasje politike. Dhe e them këtë me vetëbindje të plotë dhe nuk e besoj që do të shkohet drejt zgjedhjeve të 30 qershorit pa u ulur me këmbë në tokë, pa analizuar situatën dhe pa pranuar që vetë qytetarët shqiptarë do të refuzojnë të bëhen pjesë e zgjedhjeve farsë, për arsye sepse ata do të jenë të pa përfaqësuar.
Ne sot mund të quajmë opozitë 30 apo 40 parti, nuk e di sa janë regjistruar sot në zgjedhje, por nuk ka rëndësi numri. Rëndësi ka çfarë përfaqësojnë këto parti. Pra cila është baza e tyre, cili është numri i votuesve që ata kanë, i njerëzve që i besojnë këto forca politike. Dhe besoj që partitë e vetme opozitare në vend sot janë në rrugë. Janë pa mandat, janë pa imunitet, janë qytetarë të thjeshtë që kërkojnë të njëjtën gjë që kërkojnë qytetarët shqiptarë. Zgjedhje të lira dhe të ndershme, por edhe një mirë qeverisje. Kërkojnë një ekonomi më të mirë në fund të fundit, sepse sot askush nga ne nuk po diskuton më për ekonominë e këtij vendi që çdo ditë e më shumë po rrënohet.

Po çfarë e bën Edi Ramën që ta pengojë që të zhvillohen zgjedhjet në 30 qershor?

Nuk do të shkohet drejt zgjedhjeve në 30 qershor të jeni të bindur. Sado retorikë të fortë të përdorë Edi Rama drejt ditëve të fundit të këtij procesi, ju do të kuptoni që edhe vetë kryeministri do të dorëzohet sepse nuk mund të lërë sot shumicën e qytetarëve shqiptarë të pa përfaqësuar.

Do të pranojë qeverinë tranzitore thoni ju?
Patjetër që vendi do të shkojë drejt një qeverie tranzitore që do të bëjë gati një platformë më tej si për zgjedhjet, ashtu edhe për reformën në drejtësi, për luftën kundër krimit të organizuar, por edhe për procesin e integrimit europian të vendit.