Gjosha në Mal të Zi: Domosdoshmëri ngritja e Këshilli Kombëtar të Shoqërisë Civile

442
Ministrja e integrimit Europian, Klajda Gjosha, mori pjesë në Budva të Malit të Zi, në konferencën rajonale “Bashkëpunimi mes Shtetit dhe Shoqërisë Civile në procesin e Integrimit Europian”. Në këtë konferencë ishin të ftuar Ministrat e gjithë rajonit që mbulojnë çështjet e integrimit europian, për të shkëmbyer praktikat e ndjekura në këto vende, në raport me shoqërinë civile. Në panel me Ministrat e Malit të Zi, Serbisë, Bosnje Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë, Ministrja Gjosha, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në kuadër të aspiratës së përbashkët të këtyre vendeve, për të qenë sa më shpejt, pjesë e Bashkimit Europian. Gjithashtu Ministrja Gjosha, duke vlerësuar rolin e shoqërisë civile në forcimin e këtij bashkëpunimi, listoi një sërë hapash përpara që Shqipëria ka bërë për të krijuar një mjedis sa më të favorshëm. 
Ministrja përmendi ligjin e ri për “Ngritjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Shoqërisë Civile”, i cili pritet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë brenda vjeshtës. “Më lejoni të theksoj faktin se procesi i hartimit të këtij projektligji ka qenë një iniciativë e vetë organizatave të shoqërisë civile e cila është mirëpritur dhe ka gjetur mbështetjen e plotë nga qeveria shqiptare përmes ngritjes së strukturave dhe grupeve të punës të dedikuara për hartimin sa më cilësor dhe gjithëpërfshirës të projektligjit në fjalë”, tha Ministrja Gjosha. Ministrja theksoi se përpos përpjekjeve të brendshme të qeverisë, vlerësohet si mjaft e rëndësishme nxitja e bashkëpunimit rajonal sa i përket shkëmbimit të eksperiencave më të mira për përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e integrimit.
Sigal