Gjosha në Bruksel: Të angazhuar për reformën në drejtësi

486
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ndodhet në Bruksel për një vizitë pune ku është takuar me disa zyrtarë të lartë të Komisionit Europian, të cilët kanë shprehur domosdoshmërinë e reformës në drejtësi me qëllim për të çuar përpara procesin e integrimit.
Mësohet se takimin e parë ministrja Gjosha e ka pasur me Michela Matuella, drejtoreshën për Politikat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën.
Më pas ajo është takuar me Jean Eric Paquet, drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit, si dhe me ekspertë që mbulojnë ecurinë e 5 prioriteteve të Shqipërisë në Komisionin Europian.
Gjatë takimit, u diskutua mbi punën e bërë për 5 prioritetet ku përfaqësuesit e Komisionit vlerësuan zbatimin e masave dhe afateve të lëna në udhërrëfyes, si dhe reformat që Shqipëria ka ndërmarrë në funksion të procesit të integrimit.
Duke analizuar secilin prej tyre, ekspertët e Komisionit veçuan prioritetin numër 1, (Krijimi i një administrate profesioniste dhe të depolitizuar) i cili sipas tyre ka rezultate të prekshme mjaft pozitive, por nënvizuan se puna për implementimin e mëtejshëm të reformës duhet të vazhdojë.
Mësohet se përfaqësuesit e Komisionit Europian, vunë theksin te domosdoshmëria e reformës në drejtësi, duke e cilësuar si reformën kyçe për të çuar përpara procesin e integrimit.
Ministrja e Integrimit Euripian, Klajda Gjosha, shprehu angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare dhe vullnetin për të bashkëpunuar me të gjithë aktorët, për të përfunduar sa më shpejt këtë reformë.
“Ky nuk është vetëm një angazhim që qeveria shqiptare e ka marrë përpara partnerëve europianë, Komisionit Europian, por një premtim ndaj qytetarëve shqiptarë për t’u rikthyer besimin tek drejtësia. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk mund të ecim përpara me procesin e integrimit pa përfunduar këtë reformë”, tha Ministrja Gjosha.
Michela Matuella u shpreh se të gjitha reformat që Shqipëria ka nisur janë me rëndësi madhore, për të transformuar vendin, dhe Komisioni është maksimalisht i angazhuar të evidentojë çdo hap pozitiv, çdo nisëm që i shërben procesit të integrimit.
Jean Eric Paquet, gjithashtu vlerësoi progresin e bërë me reformat dhe nënvizoi domosdoshmërinë e përfundimit të tyre. Gjithashtu Paquet u shpreh i impresionuar nga puna e bërë me IPA-n, ku përgëzoi rolin vendimtar të Ministrisë së Integrimit Europian.
Ndër të tjera, Gjosha ka takuar edhe Christian Danielsson, Drejtori i Përgjithshëm për Politikat e Zgjerimit dhe Fqinjësisë të BE-së, në Komisionin Europian.
Në këtë takim u diskutua në lidhje me agjendën e përbashkët të aktiviteteve të qeverisë shqiptare dhe Komisionit, duke nisur nga mbledhja e radhës e grupeve të përbashkëta të punës, tryeza e Dialogut të Nivelit të Lartë e parashikuar në muajin nëntor si dhe një sërë takimesh të tjera që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me procesin e integrimit të Shqipërisë.
Ministrja Gjosha bëri përpara Danielsson një përmbledhje të punës së bërë për 5 prioritetet dhe reformat e tjera që po ndërmerren, frytet e së cilave do të kenë impakt të drejtpërdrejtë në përmirësimin e ekonomisë së vendit dhe të jetës së qytetarëve.
Danielsson shprehu gatishmërinë e Komisionit Europian për të asistuar Shqipërinë, me ekspertizë për të gjitha fushat ku është e nevojshme.
“Ne do të regjistrojmë dhe do të pasqyrojmë objektivisht, çdo hap pozitiv që Shqipëria hedh me procesin e integrimit, jemi këtu për t’ju ndihmuar, por është në duart tuaja ritmi i reformave për të shtyrë përpara procesin, në mënyrë që vendi të jetë i përgatitur për të kaluar në fazën e radhës”, tha Danielsson
Sigal