Gjosha me Friedrich: Bashkëpunimi me Gjermaninë, kyç për integrimin

446
Sigal

TIRANE – Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha priti sot në një takim  Ministrin e Çështjeve Evropiane te Rajonit  Baden-Württemberg  të Gjermanisë, Peter Friedrich.   Ministrat,  vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy shteteve, duke vënë theksin në thellimin  e bashkëpunimit në të  gjitha nivelet. Ministrja  Gjosha, falenderoi  Friedrich,  për mbështetjen e dhënë nga Gjermania, sidomos në marrjen e statusit të vendit kandidat i cilësuar si një një moment historik për vendin. Nga ana e saj Ministrja informoi Friedrich për  procesin e integrimit të Shqipërisë, duke theksuar se qeveria është e angazhuar maksimalisht të çojë përpara reformat dhe të përmbushë standardet për të avancuar në axhendën  evropiane. “Për ne  integrimi i  Shqipërisë në BE, është  prioritet kombëtar. Qeveria  është e palëkundur në vullnetin e saj, për të çuar deri në fund reformat e nisura, sidomos ato me rëndësi madhore për të ardhmen e  vendit”, u shpreh Ministrja Gjosha. Bashkëbiseduesit vunë theksin në rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon, ku Ministrja Gjosha nënvizoi angazhimin e vendit në rritjen e  bashkëpunimit rajonal. Ministrja vlerësoi maksimalisht vëmendjen që Gjermania po tregon për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërsa nga ana e tij, Ministri Friedrich, vlerësoi progresin që ka bërë Shqipëria duke u ndalur në rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve sidomos në fushën ekonomike. 
Bashkëbiseduesit,  diskutuan për mundësinë e  shkëmbimit të eksperiencës   në lidhje  me mirëfunksionimin e administratës publike dhe   ngritjen  e kapaciteteve.  Sektori i energjisë dhe agrikultura ishin dy fusha të tjera, për të cilat Ministri gjerman,  shprehu gatishmërinë për të rritur bashkëpunimin me Shqipërinë. Duke u ndalur tek Integrimi, Ministri gjerman theksoi se pavarësisht politikës së BE-së për zgjerimin, Shqipëria  duhet të përmbushë  standardet e kërkuara, në mënyrë  që t’i afrohet sa më shumë Bashkimit Evropian. Ministrja Gjosha, shprehu gjithashtu gatishmërinë maksimale për intensifikimin e bashkëpunimit me Gjermaninë, duke theksuar se partnerë të tillë janë një ndihmë shumë e madhe për Shqipërinë.