Gjokutaj: Masa e re SPAK për Berishën në shkelje të ligjit

39
Sigal

Avokati Genc Gjokutaj tha të martën në një dalje televizive se masa e re e kërkuar nga SPAK është në shkelje të ligjit, sepse nuk ka asnjë provë të re, por është e njëjta dosje pa asnjë ndryshim. ‘Kërkesa e bërë nga SPAK në drejtim të Kuvendit për të marrë një masë sigurimi ‘arrest në shtëpi’ ndaj deputetit Sali Berisha, personit nën hetim është përfundimisht vërtetim i asaj që ne kemi kërkuar deri më sot. Pra që nëpërmjet parlamentit duhet të ishin caktuar masat e sigurimit nëse mendonte SPAK dhe gjykata do gjykonte si të tillë.” tha mes të tjerash ai. Më tej Gjokutaj tha: “Dhe pa ndodhur asgjë e re deri më sot kërkohet ‘arrest në shtëpi’. Jo se po e kursejnë, por për shkak se ligji nuk lejon për shkak të moshës, që të bëjnë arrest në burg. Ky është një inkuizicion jo i pajustifikuar, por kjo është një shkelje flagrante e ligjit, sepse e para e punës masat e sigurimit merren kur lind një fakt i ri gjatë hetimeve. Edhe njëherë ju përsëris z. Berisha nuk është thirrur një herë të vetme të pyetet dhe ti thuhet; zotëri ju jeni nën hetim për këtë fakt penal dhe për të dhënë qëndrime. Qëndrimi i zotit Berisha ndaj vendimit të komunikuar mediatikisht ndaj tij dhe asnjëherë të komunikuar ligjërisht pasi ne e kemi denoncuar me kërkesa të posaçme në gjykatë, në të gjitha shkallët, pavarësisht se kjo gjykatë është më shkelëse se prokuroria, sepse po flasim me referencë ligjore dhe jo opinion. Këto masa janë marrë në shkelje të ligjit, pra janë absolutisht të pavlefshme’, tha Genc Gjokutaj.