Gjimnazistët e LRI zgjedhin strukturat e Komitetit Drejtues Kombëtar dhe Strukturat për gjimnazet

484
Gjimnazistët e Lëvizjes Socialiste për Integrim zgjodhën sot strukturat e Komitetit Drejtues Kombëtar dhe Strukturat e LRI-së për gjimnazet. Sekretar i Përgjithshëm i gjimnazeve u zgjodh, z. Kevin Topi; Sekretar i Çështjeve Sociale dhe Politikbërjes, Krisa Lani; Sekretar Organizativ, Kristi Licaj; Sekretar i Burimeve Njerëzore, Stelina Sinani. Gjimnazistët e Lëvizjes Socialiste për Integrim zgjodhën Sidorinko Zaharia Kryetar të KDK-së si dhe Kryesinë e re ekzekutive.
Në fjalën përshëndetëse, Koordinatorja e Gjimnazistëve të LSI-së për të gjithë Shqipërinë, Fiona Dani shprehu besimin për vazhdimin e punës për rritjen e këtij forumi. 
“Ne jemi organi më i lartë vendimmarrës brenda strukturës sonë dhe si të tillë kemi përgjegjshmërinë e lartë për të përfaqësuar zërin e çdo LRI-sti gjimnazist në mbarë Shqipërinë. Tani na presin detyra të rëndësishme. Kemi hartuar një platformë konkrete mbi vazhdimësinë e punës. Kemi një sfidë përpara, pasi duhet të përpiqemi që të çojmë përtej standardit që paraardhësit tanë kanë mbajtur për të qenë forumi më i mirë në Shqipëri. Duke punuar të gjithë sëbashku, duke mbajtur kontakte të përditshme dhe duke qenë solidë, do të arrijmë të shtrihemi në çdo gjimnaz të Shqipërisë. Ne jemi të rinj me energji, me ide të qarta dhe të vendosur për ta çuar Shqipërinë përpara”, theksoi Fiona Dani.
Kristi Xharau u shpreh se të zgjidhesh do të thotë më shumë punë, përgjegjësi dhe rigorozitet.
“I bëj thirrje kujtdo që zgjidhet se nuk do të jetë asgjë tjetër veçse një administrator i mirë i të gjithëve dhe avokat i fjalës së kujtdo. Të zgjidhesh do të thotë më shumë punë, përgjegjësi dhe rigorozitet. Të gjithë jemi në sallë këtu vetëm për një arsye të vetme që nëpërmjet diskutimit ne të kemi mundësi të shprehim mendimet tona. Është koha që ne të shkojmë drejt inovacionit përmes bashkëpunimit”, tha Xharau.
Sigal