Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjinkuri ka njoftuar hapjen e Pediatrisë së re të Elbasanit. Në rrjetin social Facebook drejtuesi politik i qarkut Elbasan, Damian Gjiknuri shkruan: “një tjetër hapësirë e rilindur e kantierit të shëndetësisë, ku vazhdon puna intensive nga veriu në jug. Hapi sot dyert Pediatria e Re e Elbasanit, e cila i vjen në ndihmë komunitetit që do mund të marrë të gjitha shërbimet e kujdesin shëndetësor.”. Ndër të tjera Gjiknuri shton se Spitali Pediatrik i Elbasanit është transformuar në një mjedis miqësor për vogëlushët, ku ata marrin shërbimin spitalor në kushte optimale. Kjo, falë investimit të buxhetit të shtetit për rikonstruksionin e plotë të godinës 4-katëshe, ndërtim i para viteve 90-të, e cila është shndërruar, jo vetëm nga pikëpamja infrastrukturore, por edhe organizative dhe funksionale e ambienteve të saj. Në përurimin e hapjes së Pediatrisë së re mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu. Spitali Pediatrik i Elbasanit ka një kapacitet prej 75 shtretërish, 60 shtretër shtrimi për pacientët e vegjël, të organizuar në shërbimet e terapisë ditore, reanimacionit, neuro – interiteve, bronkiteve, dhe shërbimit të pediatrisë infektive, si dhe 15 shtretër në shërbimin e urgjencës. Spitali i ri është gjithashtu një investim i shumëpritur për personelin e dedikuar shëndetësor të Spitalit pediatrik të Elbasanit që trajton në ditë mesatarisht 80 pacientë të vegjël në shërbimin e urgjencës dhe deri në 150 pacientë të vegjël në periudhat e pikut. Të gjithë dhomat e pacientëve të vegjël duke filluar nga urgjenca, pavioni i terapisë ditore dhe pavijonet e tjera të shërbimeve pediatrike kanë ambiente miqësore për pacientët e vegjël.