“Gjenerali” i 21 janarit, pasi u bë kryetar i PS-së së rrethit, u gradua kryebashkiaku i  Burrelit 

343
Sigal

8 vjet në qeverisje, ende nuk është dhënë drejtësi për 4 protestuesit që u vranë në 21 janar 2011. Kush e organizoi protestën e dhunshme? Kush dha urdhër që të sulmohet institucioni i kryeministrisë? Kush kishin 2 makina me armë dhe municion luftarak, që u gjendën aty pranë, ku u organizua protesta në 21 janar 2011? Po “Benci” i Ilir Beqaj (më vonë ministër i qeverisë së Ramës) që sulmoi kryeministrinë, rastësi ishte?  Kush e pengoi drejtësinë dhe kryeministrin Rama ( që u betua se do të jepte drejtësi, nëse fitonte pushtetin), që të bënte dhe të jepte drejtësi për 4 të vrarët e protestës së 21 janarit 2011? Si u shpërblyen nga qeveria e mëvonshme e kryeministrit Rama, organizatorët e protestës më të dhunshme të 21 janarit 2011? A do të japë përgjigje të këtyre pyetjeve, hetimi që sapo ka rinisur Policia e Shtetit, ndoshta edhe SPAK-u?

A ishte provokator i Rilindjes, “gjenerali” i 21 janarit 2011?

Gjaku i 4 protestuesve të 21 janarit 2011 u derdh që Edi Rama të marrë pushtetin dhe jo për Drejtësi, Demokraci, Barazi për shqiptarët. Rama, si kryetari i Opozitës në fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 2013 premtoi se në qeverisjen e tij, do të bënte gjithçka që ngjarjet e 21 janarit të zbardhen dhe drejtësia të dënojë të gjithë përgjegjësit, ata që urdhëruan që të hapej zjarr ndaj protestuesve, si edhe të dënoheshin ata që vranë 4 protestuesit. Mirëpo, kryeministri Rama, sa u ëmbëlsua me “mjaltin” e pushtetit, harroi premtimet, braktisi edhe gjakun e 4 protestuesve të 21 Janarit 2011, por, më e keqja është se kryeministri Rama, gardistin, Agron Malaj, i cili ishte në grupin e zjarrit, dhe u akuzua, se edhe mund të ketë qëlluar mbi protestuesit, e gradoi kryetar të PS-së në Burrel, më vonë e gradoi edhe drejtor të OSHEE po në Burrel. Sikur të mos mjaftonin këto, kryeministri Rama, duke hedhur edhe një herë baltën e shpërfilljes, të harresës dhe të padrejtësisë, ndaj gjakut të 4 protestuesve të vrarë në 21 janar 2011, e gradon Agron Malaj, gardistin e 21 janarit,  kryebashkiak të Burrelit. Pse kryeministri Rama gradoi kryebashkiak të Burrelit, komandantin e grupit të zjarrit të Gardës në 21 janar 2011? Mos vallë Agron Malaj ishte provokatori i Edi Ramës në Gardë, në 21 janar 2011 e tani po e shpërblen për “misionin” që qëlloi kundër protestuesve socialist? Drejtësia heshti, kryeministri Rama hesht, por gradimi që i bëri “gjeneralit” të 21 janarit 2011 në postin e kryebashkiakut, të çojnë në përgjigjen e pyetjes që bëmë.

Ja rrjedha e ngjarjeve të gradimit të “Gjenerali” të 21 janarit drejt kupolës së PS dhe Shtetit

Ish-komandanti i grupit të zjarrit të 21 janarit 2011, fillimisht u emërua kryetar i PS-Mat. Nuk paragjykojmë të drejtën e gjithsecilit për t’u punësuar kudo ku i hapen dyert, por në rastin konkret kemi të bëjmë me një “episod” të turpshëm, që ka përdhosur moralin e socialistëve të thjeshtë e të drejtuesve lokalë të PS, prej drejtuesve të lartë të PSSH. Çfarë vazhdon të shqetësojë socialistët e rrethit të Matit? Që prej muajit mars 2015, në krye të tyre u shfaq si kryetar Agron Malaj, ish-komandanti i grupit të zjarrit të Gardës, grupit që qëlloi mbi protestuesit e 21 janarit 2011. Ndërsa gjendej nën hetim brenda dosjes së 21 janarit, premtuar prej kupolës së lartë të PS për zbardhje e çuarje përpara drejtësisë si “betim mes lotësh”, ish-oficeri i Gardës Agron Malaj, i shoqëruar prej “sillos” së kryetarit të PS, u prezantua, u katapultua dhe u “ngul” si kryetar i PS të rrethit të Matit, duke zbritur nga drejtimi një socialist të përkushtuar e idealist! Socialistët e kundërshtuan këtë katapultim të kryetarit, duke e quajtur “denigrim të idealit socialist”, për faktin që në krye të tyre po gradohej një ish-oficer drejtues i grupit të zjarrit, grup që vrau 4 protestues, më 21 janar 2011. Por  Taulant Balla, “i deleguari” i kupolës së kryesisë së PS qendrore, deklaroi se “Agron Malaj është simboli, frymëzimi dhe modeli i drejtuesit të ri socialist”. Reagimeve të bazës socialiste të Matit, i deleguari i “kominternit” Balla, u është kundërpërgjigjur me këtë ultimatum e presion psikologjik: “Mos flisni fare, ky është emëruar kryetar i PS për ju, me urdhër… të kryetarit të madh të PS!” Ish-gardisti komandant i grupit të zjarrit të 21 janarit 2011, në krye të PS të rrethit të Matit, dhe në OSHEE ku ishte emëruar drejtor rajonal po nga pushteti i PS, shkarkoi e largoi nga PS e nga puna socialistët e ndershëm, të cilët kontribuan dhe kanë sakrifikuan për idealin e PS edhe në protestën e 21 janarit 2011, ku ish-gardisti, tashmë kryetar i tyre, u kishte drejtuar tytat e kallashëve. Familjarët e 4 viktimave të 21 janarit, sot ndihen të zhgënjyer prej demagogjisë së pushtetit të PS. Ministri Tahiri e përjashtoi nga Garda si shef të grupit të zjarrit të 21 janarit 2011, kupola e PS e emëroi në krye të PS të Matit dhe të OSHE të rajonit Laç-Dibër dhe pastaj kryebashkiak të Burrelit.