Gjashtë partitë që marrin deputetë më 23 Qershor

462
Sigal

Zgjedhjet e 23 Qershorit. Ja cilat janë mundësitë se cili koalicion do të  fitojë më shumë deputetë

Bashkimi iLSI-së në aleancë parazgjedhore me PS-në, ka prishur të gjitha balancat dhe raportet zgjedhore të deritanishme. Për herë të parë, e majta, do të jetë e bashkuar në një fushatë zgjedhore dhe kjo, sipas të gjitha gjasave, do të rritë në favor të këtij koalicioni,  edhe probabilitetin e shanset e fitores në të gjitha qarqet e vendit. Duke u bazuar  më shumë në rezultatet e zgjedhjeve të 2011-s, por edhe nga fakti që maxhoranca, me qeverisjen e saj, ka pësuar firo nga humbja e besimit  dhe pakënaqësitë që ka  ngjallur, te vetë elektoratit të saj, bëjnë që balancat e parashikimeve për 23 Qershorin, të drejtojnë treguesin majtas spektrit politik.

 Emrat që kryesojnë listat sipas qarqeve

 Qarku i Tiranës, 32 mandate

Listat e PD-së për Tiranën

Nga PD-ja lista e kandidatëve mund të kryesohet nga Sali Berisha. PD-ja do të bëjë një rifreskim gati të plotë të listës aktuale të Qarkut të Tiranës, pasi Aldo Bumçi do të kryesojë listën në Qarkun e Lezhës së bashku me Majlinda Bregun, ndërsa vendin e tij do ta zërë Eduart Selami, për t’u pasuar nga ministrat Halim Kosova dhe Visar Zhiti. Kësaj liste do t’i shtohen për herë të parë edhe Dashamir Shehi, Asllan Dogjani, për t’u pasuar më tej edhe me: Majlinda Bregun, Genc Starzimirin, Gerti Bogdanin, Ilir Rusmalin, Edi Palokën etj.. Ka shumë mundësi që në listat e PD-së të përfshihet edhe emri i Fatmir Mediut, Kryetarit të PR-së.

Listat e PS-së për Tiranën

Ndërsa nga PS-ja, listën ka mundësi që ta kryesojë Edi Rama, me kusht, nëse do të jetë përballë Berishës. Pra, në qarkun, ku do të jetë Berisha, do të kryesojë edhe Edi Rama, listën e kandidatëve të PS-së. Më pas, listën do ta kryesojnë Minela Harito, Saimir Tahiri, Erjon Braçe, Lindita Nikolli, Ditmir Bushati, Artan Lame, Arta Dade, Fatmir Xhafa, Musa Ulqini, Xhemal Qefalia, Ilir Gjoni.

LSI-ja

Ilir Meta do të kryesojë listën eLSI-së, për t’u pasuar nga Klajda Gjosha, Luan Rama.

Duke patur parasysh bashkimin e PS-së me LSI-në, për Qarkun e Tiranës, parashikohen që PS-ja të marrë 16 kandidatë,LSI-ja 1-2 kandidatë, ndërsa PD-ja, deri në 14 kandidatë.

Në Tiranë do të kandidojnë Bamir Topi dhe Kreshnik Spahiu, që janë kryetarë të FRD-së dhe AK-së, por që kanë hyrë në këto zgjedhje si subjekt më vete.

Sipas parashikimeve, në Qarkun e Tiranës, PD-ja mund të fitojë 15 +1 mandate dhe PS 15, LSI 1. Ndërsa të pakta janë mundësitë që të fitojnë nga një mandat Spahiu, ose Topi.

Qarku i Fierit, 16 mandate

Është qarku i dytë, që ka numrin më të madh të deputetëve, pas Qarkut të Tiranës.  Listën e PS-së e kryeson Gramoz Ruçi, ndërsa nga PD-ja, Sokol Olldasi, ndërsa Petrit Vasili, është kandidati i LSI-së. Këtu PS-LSI pretendojnë që jo vetëm të ruajnë raportet 8 + 1, që kanë deri tani, por pretendojnë që të fitojnë edhe një më shumë. Ndikim të madh ka edhe PDUI-ja, e cila edhe mund të fitojë një deputet në Qarkun e Fierit. Përfundimisht e djathta pretendon të marrë në Fier 7 mandate çka do të jetë rezultati shkëlqyer, kur dihet që Fieri është një qytet shumë i majtë. Në Fier, PS-ja mund të fitojë 8 mandate, LSI 1 mandat. PD-ja 6, dhe ka shumë mundësi që 1 mandat ta fitojë PDIU-ja.

Qarku i Durrësit, 13 mandate

 Listën e PD-së, do ta kryesojë Eduard Halimi. Për PS-në, Edi Rama, do të kryesojë listën vetëm nëse do të ketë përballë Sali Berishën, në të kundërt, Blendi Klosi do të jetë ai që do kryesojë listën e PS-së. Ndërsa Lefter Koka, do të kryesojë listën eLSI-së. Në Qarkun e Durrësit koalicioni i PS-LSI, ka shumë mundësi të fitojë një deputet më shumë, se aktualisht, pra, PS-ja të fitojë 6 deputetë.Po kaq mund të marrë edhe  PD-ja dhe 1 mund ta marrë FRD me Gazmend Oketën.

Qarku i Shkodrës, 11 mandate

Jozefina Topalli, do ta kryesojë listën e PD-së, ndërsa në dilemë është emri i kandidatit që do kryesojë listën e PS-së. Kjo, pasi Ilir Beqja, ka mundësi të mos kandidojë fare, duke u piketuar si ministër i ardhshëm, të cilët nuk do të kenë mandat deputeti, sipas zgjidhjes që shtroi Rama ditët e fundit. Qarkullon një kandidaturë e re, Namik Kopliku ose Mimoza Hafizi. Risia e zgjedhjeve do të jetë nëse në Shkodër, fiton një kandidaturë LSI-ja e ndihmuar nga PS-ja. PD-ja mund të fitojë 7 mandate, ndërsa PS-ja 4 mandate.

Qarku i Elbasanit, 14 mandate

Listat e PD-së, do ta kryesojë Arben Imami, ndërsa nga PS-ja Ben Blushi. Parashikohet që PS-ja të fitojë 7 mandate, 6 mandate PD-ja, kurse surpriza mund të vejë nga LSI-ja, e cila mund të fitojë 1 mandat.

Qarku i Korçës, 12 mandate

Ridvan Bode do të jetë kryesuesi i listës së PD-së, ndërsa Majko do të kryesojë listën e PS-së, i pasuar nga Fino. Mandatet, mund të jenë të barabarta, 6 me 6, për PD-në dhe PS-së, por më shumë ka mundësi që LSI-ja të fitojë me Kapuranin 1 mandat, në dëm të PD-së.

Qarku i Vlorës,12 mandate

Numri dy i PD-së, Astrit Patozi, do të jetë në krye të listës së PD-së, ndërsa nga PS-ja, listën, për herë të parë, do ta kryesojë Valentina Leskaj.

Nga PDUI-ja, Shpëtim Idrizi, ndërsa në dilemë është deputeti Dashamir Tahiri, i cili mendohet të kandidojë në Fier. 7 mandate, do t’i fitojë PS-ja, 1, PBDNJ-shi, 3 PD-ja dhe 1 PDIU-ja.

Qarku i Beratit, 8 mandate

Nga PD-ja, Genc Pollo, do të jetë i pari në listë, ndërsa nga PS-ja, Eduard Shalsi do të jetë ai që do kryesojë listën e PS-së, i cili vjen në vend të Erjon Braçes. Nasip Naço, do të kryesojë listën e LSI-së. Këtu PS-LSI mendohet që të marrin një deputet më shumë, duke e çuar raportit në 6:2, në krahasim me PD-në. Mandatin mund ta fitojë LSI-ja, e cila mund të nxjerrë 2 deputetë.

Qarku i Dibrës, 6 mandate

Myqerem Tafaj, do të jetë në krye të listës së PD-së, ndërsa nga PS-ja, Shkëlqim Cani, do të jetë kryesuesi. Këtu parashikimi është që PS-ja të fitojë 3 mandate, duke barazuar balancën me PD-në, e cila nga 4, mund të fitojë 3.

Qarku i Gjirokastrës, 5 mandate

Genc Ruli është i padiskutueshëm ai që është në krye të listës së PD-së, ndërsa nga PS-ja, Arben Ahmetaj, do të kandidojë për herë të parë, si kryesuesi i listës, duke ardhur nga Qarku u Korçës. PS-ja mund të fitojë 2, mandate,LSI-ja 1, me Vangjel Tavon dhe PD-ja 2 mandate.

Qarku i Lezhës, 7 mandate

Konkurrenca e madhe, vë përballë Aldo Bumçin, i cili do të jetë kryesuesi i listës së PD-së dhe Mimi Kodhelin nga PS-ja, e cila për herë të parë vjen në Qarkun e Lezhës. PD-ja mund të fitojë 4, PS-ja 2 dhe LSI-ja 1 mandat.

Qarku i Kukësit, 4 mandate

Flamur Noka e ka të garantuar emrin e parë në listën e PD-së, dhe do të ketë përballë ish-prokurorin. Vexhi Muçmata.  Në Kukës, parashikohet të ruhet raporti i deritanishëm, PD-ja të fitojë 3 mandate dhe PS-ja mund të fitojë 1 mandat.

Balanca zgjedhore

Pak a shumë, këto parashikohen të jenë raportet e mandateve që mund të fitohen. Më shumë gjasa ka që aleanca PS-LSI, të fitojë më shumë se aleanca e djathtë, ndërsa AK-ja dhe FRD-ja, mund të bëjnë surprizën, nëse fitojnë nga një deputet, secila, por parashikimi është shumë i vështirë, për të dyja këto parti që do të konkurrojnë në zgjedhje më vete, pa u futur në aleancë me asnjë nga dy koalicionet e mëdha.