Zoti Kryeministër! Pse sistemi rilindas pjell kaq shumë hajdutë?
Gëzim Zilja
Ish-Kryebashkiak i Vlorës
Para disa kohësh, ju zoti Rama mbajtët një fjalim të gjatë (si ato të Fidel Kastros dikur) me grupin parlamentar, ku kërkuat vëmendje të veçantë: “Sot do të përqendrohem vetëm tek të vërtetat që lidhen me mirëqeverisjen, korrupsionin dhe sundimin e ligjit në Shqipëri, 10 vjet qysh se ne jemi në detyrë.” I lodhur dhe pa humor dukeshe. Megjithëse u mundove të tregoheshe modern dhe i matur, shkalla e urrejtjes ndaj opozitës edhe këtë rradhe u shfaq haptazi. Opozita o zoti kryeministër nuk caktohet nga pozita dhe ndjek rrugën, që mendon se është më e mira për të ardhur në pushtet. Por fjalimi juaj siç do e shohim më poshtë është mbushur me të pavërteta dhe me urrejtje për ‘armiqtë” që janë opozitarët, urrejtje që përcillet në bazë, ku vazhdon ende fryma e ndarjes “Ne” dhe “Ata” si në kohën e diktaturës.
Fjalimi juaj ishte për të qarë hallin, nga ata të llojit shto ujë, shto miell, po bukë dhe kulaç nuk bën dot. Bluajte ujem sa të desh qejfi, torre lesh sa deshe, bëre gjalm me furkë e pa furkë si plakat e dikurshme, e ngjyeve me lëng qepe e fillove të thurrje triko me shtiza, por nuk e mbarove dot. Sepse dielli nuk mbulohet me shosh. Sepse teoria e kumbullave, dardhave, rrushit e pjeshkave mbas shpine nuk e mbulon dot mizërinë e të pa aftëve, hajdutëve, horrave e patronazhistëve ( pasardhës të denjë të sigurimit të shtetit) që gëlojnë e shtohen nëpër institucionet shtetërore, e mbushin çdo ditë paraburgjet e burgjet. Njerëzit vazhdojnë të ikin e të ikin nga sytë këmbët jashtë Shqipërisë së rilindjes, sikur këtu të jenë ulur e po sundojnë djajtë e gjithë globit. Spiropallat, Xhaçkat, Nikollat, Ahmetajt, Gjiknurët e Shalësit, dikur me nga një fustan të palarë apo kostum bezhë dopiopetë dalëboje, tani ua kalojnë në luks edhe miliarderëve të Europës e Amerikës. Të thotë Spiropali, që je Skënderbe e ti mprefesh si gjeldeti e beson dhe e bën ministre! Të thotë prapë që habite botën në OKB (si Goliku me Paron, Enverin dikur) dhe ua bëre tetë me dy rusëve të Putinit. Ti e beson dhe e bën Kryetare Kuvendi. Fole aq shumë, por para se të analizoj fjalimin (është heroizëm të lexosh ose të dëgjosh të tilla marrëzira) po përmend një fakt shumë tronditës: Në gjithë atë fjalim nuk ke përmende asnjëherë fjalën opozitë sikur kjo të mos ekzistonte. Ke përdorur në vend të saj fjalët: “sundimi i mëparshëm otomano-komunist,” “sundimi arkaik,” “pushteti i vjetër,” “njerëz që bëjnë përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek midis qeverisë dhe atyre që na kanë votuar,” “nuk dinë ç’flasin nga padija dhe ligësia,”. Vetëm në shtatë rreshta aty nga mesi ke përdorur katër herë fjalën armik. Po le të flasim për disa mendime tuaja që ju i diktoni sikur të jenë aksioma matematike.

Aksioma e parë. “… Bëhet një përpjekje ekstreme për të helmuar publikun dhe për të krijuar një hendek mes nesh dhe shumicës së shqiptarëve, të cilët na kanë votuar, besuar, mbështetur pa kursim në gjithë këto vite.” Ç’është kjo gjuhë urrejtjeje e kohës së diktaturës? Duhet të kuptosh se grupet armiqësore që po pengojnë dhe po helmojnë përparimin e rilindjes, nuk janë nga pakica (opozita), por janë nga shumica e përfaqësuar nga ministrat e qeverisë, shokët e miqtë e tu. Ata po mbushin burgjet e dhomat e hetuesisë si banditë, si njerëz të korruptuar, vrasës dhe hajdutë. E rrjedhimisht po japin shembullin më të keq e po helmojnë vërtetësisht shoqërinë shqiptare, duke ngritur në sistem korrupsionin.
Aksioma e dytë “. Më 2012, rendi publik ishte përtokë, 124 vrasje në vitin 2012 dhe po atë vit 2075 aksidente nëpër rrugë. Krimi kishte fituar qetësinë e veprimtarisë së tij në një lojë syllambylla me shtetin; vjedhjet e shtëpive ishin pjesë e përditshmërisë në çdo qytet dhe fshat dhe kërkesa e parë e qytetarëve në çdo dëgjesë apo takim spontan, ishte siguri, siguri, siguri… Dakord! Dymbëdhjetë vjet më parë ka qenë si thoni ju dhe shifrat janë të vërteta, por atë kohë nuk kishte grupe kriminelësh që komandonin Shqipërinë nga Dubai. Sot numri i policëve, drejtuesve të policisë të përjashtuar, apo dënuar e burgosur është e barabartë me ata që janë ende në punë. Ti këto i quan sukses?! Po shifrat tregojnë se krimi dhe të korruptuarit nuk po paksohen, por shtohen çdo ditë. Dy vjet pasi morët pushtetin ndërtuan një strategji, ku mbjellja e kanabisit u kthye në aksion kombëtar nën mbikqyrjen e policisë dhe ministrit Saimir Tahiri. Nuk i mban mend? T’i kujtoj unë.
Aksioma e tretë “… Punësimet në çdo institucion, në çdo komisariat policie, në çdo ambulancë, në çdo shkollë bëheshin me urdhër partie, (në kohën e qeverisë demokratike, Shën im) me ndërhyrje deputeti, shpesh me lekë ose për ata që s’kishin parti apo lidhje me deputetin e me ndonjë bajraktar lokal, vetëm me lekë…”
Është plotësisht e vërtetë që në qeverisjen e PD-së rryshfeti ishte kthyer në një plagë të madhe shoqërore dhe njerëzit ta dhanë votën (veç atyre që vodhe me “të fortët.”) me shpresën se diçka e mirë do të bëhet. Po ti ose nuk sheh, ose po luan film ose si zakonisht bluan ujem si thamë më sipër. Ryshfeti sot në Shqipëri ka prekur çdo shtresë të shoqërisë që ka një hall me shtetin. As sanitarja e spitalit nuk ta pastron dhomën po nuk i dhe një 200 lekëshe. Në jo pak raste mjekë e infermierë, u vjedhin, nuk ua japin apo i shesin në treg të zi, ilaçet e të sëmurëve. Sa i përket punësimeve nëse nuk je patronazhist, anëtar i ps-së, apo nuk merr teserën e partisë socialiste, vështirë të futesh në punë në administratën mavi. Ato konkurset dhe fitimi i vendit të punës me meritë, që shpalle më 2013 janë llogje kavaje. Punonjësve të administratës u kontrollohet çdo veprim dhe detyrohen të bëjnë “like” (ua numërojnë) çdo deputeti, ministri e drejtori edhe kur shkruajnë budallallëqe në fb. Këto janë udhëzimet e tua të drejtpërdrejta. Nuk beson? Janë llafe të armiqve të PS-së që helmojnë shoqërinë? Dil një herë me poture, apo me kostum e kullaro dhe zoti të dhëntë durim të dëgjosh (sidomos për kadastrën) se çdo të të thonë njerëzit e thjeshtë, si ajo gruaja në Himarë që të tha: Faleminderit që më dhe tapitë e tokave të babait dhe lumin e Shushicës mos e prek. Ti nuk kuptove as ironinë e hollë labe dhe as thjeshtësinë e asaj gruaje. U përgjigje gjithë arrogancë e mëndjemadhësi. Madje kërcënove si një alabak se po të hipi damari i vunjotasit ëëëë…
Aksioma e katërt “Imazhi i Shqipërisë ( nën qeverisjen e demokratikes. Shën. im) ishte mosozot. Lajmet në shtypin europian për Shqipërinë ishin sa të rralla aq të zeza. Edhe kur flitej për turizëm shkaku ishte sa shumë plehra kishte Shqipëria. Vizitat zyrtare të nivelit të lartë në Tiranë kishin ndalur prej disa vitesh; shqiptarët në Europë nuk guxonin të përmendin emrin e vendit të tyre…” Prap me propagandë e ideologji neokomuniste?! Medemek Shqipëria ishte e izoluar, nuk e përfillte Europa e nuk kishte vizita të nivelit të lartë? Vërtetë e kishe zotrote!? Po në Shqipëri para teje ( zot na ruaj!) erdhën disa presidentë amerikanë, europianë, drejtues të niveleve shumë të larta të organizatave ndërkombëtare. Po Vizat kot ia hoqën Shqipërisë dhe në NATO ashtu kot e futën? Po si ore këput mufka të tilla? Po ku ishe ti atëherë? Ujitje ullinjtë në Surrel, apo luaje me breshkat në zyrën e bashkisë? Ti mendon se duke u dhënë vajzës së Trampit, Melonit, Alabarit, grekëve, e ca të tjerëve copëza Shqipërie dhe duke organizuar ndonjë takim apo samit ndërkombëtar pa bereqet në Shqipëri, je ngritur në rangun e një burrshteti Europian? Të gënjen mendja. Po bëhesh si breshka në fabulat e Ezopit e të La Fontenit.
Aksioma e pestë. “…Rruga e vendit tonë drejt anëtarësimit në BE ishte bllokuar nga mali i mosbesimit të gjithanshëm. Për ata që 10 vjet më parë ishin fëmijë dhe sot janë të rinj, 20 apo 25 vjeçarë, kjo tablo mund të duket si pjellë e imagjinatës time, por çdo familje shqiptare e ka jetuar dhe e ka të qartë, kjo ishte pasqyra e realitetit të hidhur të qeverisjes, korrupsionit dhe sundimit të ligjit në Shqipërinë e vetëm një dekade më parë.
Është e vërtetë që pranimi i Shqipërisë në BE u ngadalësua nga qeverisja jo e mirë e PD-së. Ju keni njëmbëdhjetë vite që bëni rrathë koncentrikë dhe nuk po hapni dot negociatat me BE-në. Tani mali i mosbesimit të gjithanshëm nuk është më mal, por vargmal i pafundëm. Nga deliri që të ka kapur e cakton vetë datën e hyrjes në BE në vitin 2030!?
Aksioma e gjashtë “…Por nuk është qëllimi im të bëj sot këtu dallimin mes forcës sonë qeverisëse dhe forcave të vjetra keq qeverisëse, sepse më mjafton që këtë dallim si dita me natën e bën dhe do ta bëjë përsëri me votë shumica absolute e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. “ Dallimin ti duhet ta bësh se votat e tua nuk janë reale. Ti i ngrite pritë demokracisë me miliarderët e drogës, njerëzit më të zinjë të demokracisë, që i blenë votat me para, e me kërcënime për rilindjen. Gjithë atë llum, ju i bëtë deputetë, ministra, kryetarë bashkish, komisariatesh e drejtora. Kurrë më parë parlamenti qeveria, bashkitë, e institucionet shtetërore nuk kishin pasur në krye aq shumë njerëz të hurit e të litarit e imoralë. Janë fakte zoti kryeministër, nuk është propagandë.
Aksioma e shtatë. Nëse deri dje, era ishte në favorin e armikut që e kishte spostuar shtetin nga qendra e protagonizmit, sot era është kthyer në favorin e shtetit, i cili e ka rimarrë protagonizmin. Kjo është një luftë përgjatë gjithë vijës së frontit me një armik që prej 33 vitesh e sfidon Shqipërinë frontalisht…” Zgjedhjen e kuadrit e kalon në sitë ps-ja. Si ka mundësi të zgjedhë vetëm hajdutë? Cilin denoncim, për kë dhe kur e ka bërë vetë ps-ja në morinë e hajdutëve të gjykuar, apo në proces nga drejtësia?
Aksioma e tetë. Pa asnjë diskutim që kjo luftë deri këtu nuk është zhvilluar as pa gabime, prej të cilave përpiqemi të kuptojmë më shumë; as pa dështime, pas të cilave riorganizohemi me një qasje më të drejtë; as pa zhgënjime, nga të cilat mësojmë se çfarë duhet ndryshuar. Po thuaj një gabim o njeri që ke bërë p.sh me PPP-të, me inceneratorët, me rrugët, me satelitët, me gjeneratorët lundrues, me mjekësinë falas etj. Dhe e fundit. Pse nuk sqarove pse sistemi juaj rilindas pjell kaq shumë hajdutë e jo njerëz, që zbatojnë e respektojnë ligjin?
PS: Pas mbledhjes një deputete flokëverdhë i thoshte shoqes flokëzezë, aty në korridor:
- Më duket se Xhaçka iku për lesh. Po kush e ka rradhën thuaj?
- Nuk e di moj të keqen, – u përgjegj flokëzeza. – U bënë kaq vjet dhe ky SPAK-u na bëri me hije. Na del në ëndërr çdo natë…




















