Nga zgjedhjet e “11 Majit” kanë kaluar dhjetë muaj. Partia Demokratike vazhdon të tkurret, të bëjë rrathë koncentrikë rreth Lidershipit, e të endet kuturu si dikur Shvejku drejt Bugjejovicës, për të gjetur batalionin. Në vorbullën e fjalimeve të pafundme të Berishës, të llojit “korr e mos lidh.” ku nuk belbëzohet as edhe një germë për humbjen e “11 majit” e shtata rradhazi, bëhet me dije se ka dalë një grup “shokësh kafeje,” që mendojnë ndryshe. Në qytetin e Durrësit dje ata organizuan sipas modelit Berisha. foltoren e tyre ku në thelb Salianji tha: “Shqiptarët duan një PD të hapur … ka ardhur ora e vendimeve dhe përgjegjësive të mëdha, ku çdo fjalë ka peshë dhe çdo diskutim krijon një valë për PD. Sot jemi këtu, se demokratët janë duke thirrur, Shqipëria është duke thirrur…PD duhet të përgatitet që të udhëheqë ndryshimin që të gjithë po presin. Dhe ky ndryshim po fillon nga kjo sallë… Demokratë bashkohuni me ne”, Është ora e vendimeve të mëdha. “Unë kam sakrifikuar vetë, kam bërë burgun për Partinë Demokratike”.

Ky lloj fjalimi është një mishmash, ku kaosin, që ekziston në PD do të vazhdojë t’a thellojë edhe më. Ky grupim pa program, pa objektiva, pa emra, pa marrje përgjegjësie, pa vizion, përse i mblodhi demokratët e Durrësit?! Një ditë para apo pas Kaposhit të Vitit të Ri, Berisha do t’i shpallë armiq ose të padëshiruar. Kështu “grupimi” pa vulë të thatë e të njomë, do të detyrohet të formojë parti të re. Tridhjet vjet po të shikoni historikun e PD-së ky veprim ka filluar nga Azem Hajdari e Selami, deri te Patozi e Jozefina. Partitë europiane kanë një organizim të brendshëm që shprehet në statutin e tyre. Është si një Kushtetutë për një shtet të caktuar. PD-ja kur u krijua hartoi një statut, që nuk e zbatoi asnjëherë. Në PD nuk u votua, nuk pati asnjëherë garë, apo zgjedhje demokratike. Demokracia në PD (Statuti u kthye në letër higjenike) nuk u zbatua asnjë herë dhe njerëzit emëroheshin deri te polici i Kuçit nga patriarku i Partisë. Garat për zgjedhjet në forumet e partisë bëheshin me porosi të Liderit sipas modelit të ri të numërimit shabanian ose jeminian. Këta me ca shytymër të tjerë besnikë, nxirrnin pas disa ditësh listën me anëtarët e rinj gjoja të zgjedhur me votë të Kuvendit, të Sekretarive, të Shefave, të Kryesive etj. etje. Kjo sigurisht pasqyrohej edhe në bazë ku lindnin minishabanët dhe minijeminët sipas modelit të qendrës. Atëherë Salianji dhe “grupi i kafesë” (ose pushverdhët e grupimit) duhet të ngulnin këmbë të zbatohej statuti, që do të thotë të zbatohej në lidhje me kryetarin në rast humbjeje dhe urgjent të bëhej analiza e zgjedhjeve në qendër e në bazë, duke nxjerrë e marrë përgjegjësi. Për çdo mendim te ri, ndryshim apo tezë që do të hidhej në këto analiza të votohej dhe të bëhej numërimi aty në sallë etj etj. Shmangia nga ky ballafaqim eshte kapitullim. Berisha thotë që unë nuk jap dërëheqjen, se keto ishin farsë jo zgjedhje. Kush e nxorri këtë përfundim, Kuvendi Kombëtar, kryesia, sekretariati!? Ku? Kur? Pse nuk u bën zgjedhjet me lista të hapura, kush tradhëtoi partinë, nuk e mblodhi por vazhdoi me lista të xhepit dhe injoroi primaret etj etj? Por kjo nuk është parti e Statutit por e Berishës. Pasi të shoshitni këto e të tjera, mos ia mbathni, por kwrkoni zgjedhje të parakohëshme të PD-së, në qendër e bazë. Ndryshe do përfundoni si nja dhjetë parti kopilesha që nga ajo e Fevziut deri te ajo e Patozit. Shkurt: Ju të grupit luftën për ndryshim e keni brenda PD-së jo me foltore të veçuara nëse doni të ruani unitetin brenda partisë.



















