Gëzim Zilja: Ditët kot të një kryeministri të lodhur.

345
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Qysh se janë shpallur zgjedhjet e reja, Kryeministri i Shqipërisë ka marrë “shkopin” si pleqtë e qëmotit e kontrollon çifligun rreth e qark. Sa herë ndërtohet apo rindërtohet një shtëpi e dëmtuar nga tërmeti, me çelësa në dorë, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, pasi i telendis me batuta e ironi të shplara, hallexhinjtë e pastrehë, duke u thënë se vetëm ai mund t’ua ndërtojë shtëpitë,  i detyron t’i thonë “faleminderit” dhe t’i përkulen deri në tokë, shpëtimtarit të tyre çorapekuq e këpucëgrisur. Shkon pothuaj çdo ditë në stadiumin e Tiranës (jo rrallë në Rinas për pritjen e vaksinave) e rri me orë sa të vaksinohen ca pleq trutharë, që i ka harruar edhe mortja vetë. Me psikologjinë e skllavit, kjo kategori pleqsh militant, pa dinjitet, të zhveshur moralisht, deklarojnë atë, që nuk ua kanë thënë as fëmijëve të tyre: “Març nga ditët tona! Tu bëftë dita njëmijë shoku Kryeministër!” Më i turpshëm dhe i pandershëm është qëndrimi i udhëheqësit, që gjoja i keqardhur përgjigjet: “Pupu! Mos e dhëntë zoti! E ku e dinë qyqarët skllevër se udhëheqësit as i kërcet fare për ta, por lutet të jenë gjallë deri në 25 prill?” Me këto shfaqje të neveritshme Rama trysnon shqiptarët, që kanë nevojë për një vaksinë apo fatkeqët e tërmetit, duke u thënë drejtpërdrejt: “Po nuk u zgjodha unë sërish kryeministër ndërtimi i shtëpive dhe vaksinimi do të ndërpritet sepse jam unë ai, që ju ka siguruar paratë e tërmetit dhe po siguroj edhe vaksinat”. Ai tall prapanicën me rregulloren e KQZ-së dhe injoron faktin që kjo trysni e paturp, që u bëhet nevojtarëve ditën me diell, përbën vepër penale dhe si e tillë duhet trajtuar nga prokuroria speciale.

 

Nga dreka pasi ka marrë me vete dhe ditët shtesë të pleqve trutharë, tashmë të vaksinuar, Kryeministri fillon një nga pelegrinazhet e tij të pafundme në qytetin e Vlorës. Aty “shet” për të qindtën herë pedonalen ende të papërfunduar (vetëm ai e di sa ka kushtuar) si një sukses të Rilindjes. Pas kësaj shëtitorja anëdetit, nën britmat e daullet e militantëve, fotografohet  nga toka, ajri, deti (gjiri i Vlorës është mrekulli e natyrës) e shpërndahet si një sukses i jashtëzakonshëm i Rilindjes.  Po çfarë ofron vërtetësisht kjo shëtitore, vepër e shekullit XXI? Në 3-4 km asfalt e beton, rrethuar me pallate, që zgjaten si xhungël betoni, nga anë deti deri mbi kodrinat, me rreth 25 mijë banorë, dikur plot gjelbërim, sot bëjnë hije disa palma kokërrjepura, me kurorë sa një qeleshe e lebërve tepelenas. Në të gjithë shtrirjen e saj nuk gjen asnjë bibliotekë, kinema, amfiteatër veror, muze të natyrës apo kujtesës, vepra arti ( Kyeministri ka shpallur si të tillë një karburant) të paktën për ngjarjet e viteve 1991 apo 1997, galeri artesh, kopësht fëmijësh, shkollë, miniparqe të gjelbëruar për nëna me fëmijë apo të moshuar, pa folur për parkingje automjetesh. Nga Skela deri te Tuneli derdhen ujrat e zeza (tetë kanale të tillë) dhe era e fekaleve pas orës njëzetë të mbrëmjes kutërbon dynjanë. Në verë nga ora 10.00 deri në orën 18.00 pedonalja është e papërdorshme. Ajo ndizet nga dielli përvëlues, betoni dhe asfalti, dhe nuk ka një hije, ku të futësh kokën apo një çezmë ku të freskohesh. Atëherë ku është këtu mrekullia tokësore e ndërtuar nga Rilindja, kur njerëzit, që vijnë me pushime nuk kanë çfarë të vizitojnë dhe me se të argëtohen?! Sa për ujë të kripur, rërë, mish të pjekur në hell dhe peshk importi, gjen kudo me bollëk. E keqja më e madhe është se  nuk  ka ndonjë cm2 bosh për të ndërtuar në të ardhmen vepra sociale. Ka të ngjarë me sa thuhet, që të mbillet me pallate dhe fusha para Shkollës së Marinës. Nga droni gjithçka duket bukur, por njerëzit nuk fluturojnë, ata jetojnë, ecin e argëtohen në tokë. Pas tetë vitesh ( shtatë vite ka që vazhdon pedonalja) kryeministri premton aeroport, rrugën Orikum-Llogora, tunelin Llogora-Palasë, dhënien me PPP të portit të Skelës, duke stërpërsëritur deri në pafundësi fjalët “ rregjimi i kaluar i PD-së, nuk bëri asgjë për Vlorën.”

haron ose bën sikur, sepse  Bashkia e Vlorës qysh nga viti 1997, drejtohet nga socialistët. Megjithatë Rama nuk po ndihet më i sigurt në Vlorë, ndaj la aty njërën këmbë e tjerën e zgjati deri në Durrës. Me vendosjen si drejtues politik nga PD-ja, të vlonjatit Bujar Leskaj, Rama e ka humbur qetësinë dhe sigurinë. Në Vlorë ka muaj, që është  ngritur fryma kundër Rilindjes, korrupsionit dhe demagogjisë. Me punën e mençur, eksperiencën organizative, këmbënguljen si drejtues politik dhe mbështetjen e gjerë të demokratëve, kryesia e PD-së së Vlorës po del nga gjumi i rëndë tetëvjeçar i pasigurisë dhe përtacisë. Burra, gra, vajza e djem po punojnë plot besim të bindin vlonjatët se 24 vjet drejtim i majtë, Vlora nuk është ajo që duan ata dhe nuk mund të trajtohet si pronë e  socialistëve. Në fshatrat e Vlorës, që Rama i ka quajtur si bastjone të sigurta, gjendja po ndryshon bindshëm në favor të PD-së. Nga këto ndryshime, Kryeministrin po e lëshojnë nervat dhe si thashethemexhi i rëndomtë fshati, përgojon në mënyrë të përsëritur, drejtuesin politik të PD-së, për jetën e tij private, duke ironizuar, se është qejfli “rakie e qoftesh” dhe shtrembëron qëllimisht mbiemrin e tij. Lufta politike është luftë programesh, arritjesh, dështimesh, suksesesh,  vizionesh, me fakte e vepra për zhvillimin e Shqipërisë. Një gotë raki apo verë me miqtë në një ditë pushimi apo pas një pune të lodhshme është traditë shqiptare, nuk është mëkat dhe nuk dëmton as pozitën, as opozitën, as politikën e as familjen. Nëse flasim për politikanë përdorues hashashi e kokaine, këtu punët ndryshojnë. Por kjo është një histori me të cilën duhet të ishin marrë me kohë organet e specializuara. Lufta pa princip për marrjen e mbajtjen e pushtetit dhe mungesa e argumentit e ka shndërruar Ramën në njeri agresiv, arrogant, të padurueshëm, zemërak, hakmarrës, dhe gënjeshtar. Të gjitha këto cilësi, si dhe lidhjet e dyshimta me biznesin e kanë transformuar përfundimisht despot të një shteti të varfër, ku skandalet ndjekin njëri -tjetrin. Pas vizitës në pedonalen e famshme, ku vazhdon të punohet, që prej vitit 2014, kryeministri kthehet në Fier dhe hedh një sy nga spitali në ndërtim i turqve edhe ky dhuratë për kryeministrin, nga shoku i vet Erdogan. Kapanonet njëkatëshe kilometrike, që ngjajnë si dikur kazermat e Ali Rizait në Fushën e Shallvareve, ka të ngjarë të jenë gati në afatin e caktuar. Një orë më vonë, shtatë makina të policisë, gardës dhe shërbimit informativ, shoqërojnë kryeministrin e Shqipërisë me sirena e borie drejt sarajeve të Surrelit, pas një dite të lodhshme, të harxhuar fare kot.