Gerti Bogdani: PD-ja duhet të çojë në çdo kancelari të Evropës krimet zgjedhore të 25 prillit

294
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Pavarësisht emrit të përveçëm në fund të procesit, është e domosdoshme dhe është koha që PD të jetë më e bashkuar se kurrë

Gerti Bogdani, ish -deputeti i PD-së në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor, ishin një artificie nga kryeministri Rama, për të  deformuar vullnetin e qytetarëve në 25 prill, prandaj PD-ja duhet të çojë në çdo kancelari të Evropës krimet zgjedhore. Zoti Bogdani, shprehet, se ndërkombëtarët të pranishëm në procesin zgjedhor, edhe pse theksojnë në raportet e tyre rastet e deformimit të vullnetit të votuesve, në fund, në diplomacinë, që i përket rajonit tone, ka hyrë në përdorim dhe ka marrë prioritet termi ‘stabilokraci’, prandaj edhe mbyllin sytë e veshët ndaj manipulimit të votës dhe shprehen se zgjedhjet ishin …normale. Zoti Bogdani, duke u shprehur për zgjedhjet e kryetarit të PD-së thekson se “Në fund të ditës, nuk duhet të kenë rëndësi emrat e përveçëm, apo logo e partisë, por ngjyrat kuq e zi”.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al :

–  Zoti Bogdani,  shikojmë, që KAS, në mënyrën më flagrante shkel detyrimet ligjore që i përcakton Kodi Zgjedhor për provat dhe faktet që i paraqet Opozita pë krimet zgjedhore. Atëhere, për çfarë vlejti Reforma Zgjedhore, kur institucionet zgjedhore bëhen “avokatë” të vjedhësve, manipulimit të votës?

– Reforma Zgjedhore ishte që në start e padrejtë dhe e njëanshme. Si e tillë nuk mund të garantonte zgjedhje të ndershme që nga hapi i parë e deri tani në hallkën e fundit, atë të ankimeve në KAZ. Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjes së 5 Qershorit, u dukën në fillim si një artificë e përdorur nga kryeministri Rama në formën e një paterice për të ruajtur pushtetin, por ja që koha tregoi se, ishte më shumë se aq. Ato ndryshime ishin hapi i parë për deformimin e votës dhe vullnetit të qytetarëve. E tillë ishte dhe ‘hapja’ e pjesëshme e listës, gjë që nuk u mundësoi realisht qytetarëve të përfaqësohen në Parlament nga burrat apo gratë që ata zgjedhin. Këto ndryshime fasadë bënë që në fund të ditës të mbeteshin në fuqi, listat e kryetarëve dhe jo ato të qytetarëve.

“Shpresoj që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim të drejtë dhe të bazuar mbi ligj për të kthyer mbarpsht procesin e votimeve të njëanshme të vitit 2019 për pushtetin lokal”

–  Raporti paraprak i OSBE/ODIHR  theksoi shumë problematika të krimit zgjedhor në 25 prill, natyrisht, të kryera nga njerëzit e partisë-pushtet. Në pritje të raportit përfundimtar, pse ambasadat e huaja të akredituara në Shqipëri dhe krerë të BE-së qysh ditët e pas 25 prillit nxituan të njihnin rezultatin zgjedhor, kur ende as KQZ nuk e ka certifikuar?

– Pavarësisht çdo parregullësie, shkeljeve flagrante të Kodit Zgjedhor dhe ligjit në përgjithësi, ankesave dhe denoncimeve në SPAK dhe KQZ, si edhe procesit ankimor, trupi diplomatik foli bazuar në mbarëvajtjen e ditës së votimit. Sidoqoftë në çdo deklaratë që vetë trupi diplomatik ka theksuar edhe gjetjet paraprake të raportit të OSBE/ODHIR. Por, prej disa kohësh në diplomacinë, që i përket rajonit tone, ka hyrë në përdorim dhe ka marrë prioritet termi ‘stabilokraci’ dhe me sa duket, me të drejtë apo jo, kjo ka mbivlejtur edhe në rastin e zgjedhjeve të 25 Prillit.

“Ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor në shkelje të marrëveshjes së 5 Qershorit u dukën në fillim si një artificë e përdorur nga kryeministri Rama për deformimin e votës dhe vullnetit të qytetarëve”

-Zoti Bogdani, a ka rrezik, që pas situatës zgjedhore në PD, të krijohen grupime që do të përçajnë PD-në, meqë ka mjaft debate midis kandidatëve?

– Debatet janë të rëndësishme në procesin demokratik dhe në forcimin e demokracisë në përgjithësi. Një nga arsyet pse vendi ndodhet në këtë situatë sot është edhe mungesa e debatit real dhe mospjesëmarrja e vazhdueshme e mazhorancës në debatet politike. Sa i përket debateve brenda PD-së në këtë proces për zgjedhjen e kryetarit, besoj që nëse bëhen në mënyrë të drejtë dhe të shëndetshme, i shërbejnë forcimit të demokracisë së brendshme në përgjithësi. Në këtë kuadër besoj, që pavarësisht rezultatit të garës dhe emrit të kryetarit në fund të këtij procesi, i takon atij që të bashkojë dhe të krijojë hapësirë për secilin nga këto grupime që ju përmendni. Pasi sot, më shumë se kurrë, duhet një opozitë e bashkuar. Duhet të kuptojmë që ky proces nuk është i rëndësishëm vetëm për Partinë Demokratike, por është i rëndësishëm mbi të gjitha, për Shqipërinë. Pasi një Parti Demokratike më e fortë dhe e shëndetshme, do të thotë një opozitë me e fortë, çka është shumë e rëndësishme për vendin. Në fund të ditës, nuk duhet të kenë rëndësi emrat e përveçëm, apo logo e partisë, por ngjyrat kuq e zi.

– A duhet PD-ja, që dosjen voluminoze të krimeve Zgjedhore të 25 prillit, ta çojë në çdo kancelari të vendeve të Bashkimit Evropian dhe në SHBA?

– Patjetër që duhet, e ka detyrim sa politik, aq edhe moral. Kjo duhet të shërbejë jo për të dëmtuar Shqipërinë dhe proceset e saj integruese, siç mundohet ta paraqesë mazhoranca, por për të garantuar që në Shqipëri të marrë fund njëherë e mirë deformimi i vullnetit të qytetarëve. Pavarësisht se ‘stabilokracia’ mund të duket e rëndësishme, ajo që është realisht e tillë është demokracia. Shqipëtarët e Shqipëria meritojnë të jenë një demokraci e shëndetshme pas 30 vitesh tranzicion e, jo të bëjnë hapa mbrapa, drejt një kohe të cilën e lamë pas 30 vite më pare. Dhe guri i themelit për një demokraci të shëndetshme, janë zgjedhjet e lira dhe mos-deformimi apo mos-tjetërsimi i vullnetit të zgjedhësve në çfarëdo forme.

“Në diplomacinë, që i përket rajonit tonë ka marrë prioritet termi ‘stabilokraci’ dhe me sa duket, me të drejtë apo jo, kjo ka mbivlejtur edhe në rastin e zgjedhjeve të 25 Prillit”

– A mendoni se Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim të drejtë përsa i përket Zgjedhjeve të vitit 2019?

– Uroj dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim të drejtë dhe të bazuar mbi ligj për të kthyer mbrapsht procesin e votimeve të njëanshme të vitit 2019 për pushtetin lokal, cilësuar si jo demokratik edhe nga raporti i OSBE/ODHIR. Ky është një test i rëndësishëm për këtë institucion dhe për sistemin e ri të drejtësisë në vend. Një nga arsyet përse qytetarët vuajnë në përditshmërinë e tyre keq-qeverisjen e pushtetit vendor dhe arrogancën e kryetarëve të bashkive, është fakti se këta të fundit, janë në detyrë jo si produkt i një gare dhe i zgjedhjes nga qytetarët e vet, por si një produkt i një procesi monopartiak e pa sfidues përballë. Ndaj, për të zgjidhur këtë problem, uroj që Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim të drejtë dhe t’i japë mundësi qytetarëve të zgjedhin në drejtim të bashkive të vendit njerëzit e duhur për t’i drejtuar ata. Në këtë kuadër besoj se ende ka shpresë që Shqipëria mund të ndryshojë e mund të bëhet një vend ku gjithësecili mund të ndërtojë të ardhmen e vet dhe të familjes së vet. Shqiptarët nuk kanë rreshtur kurrë së luftuari për një të ardhme më të mirë dhe jam i sigurt që këtë do të vazhdojnë ta bëjnë edhe sot, kur Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë.

– Faleminderit!