Gentian Çala: Të fshehim mëkatet pas një diagnoze…

906
Sigal

Ngjarja e fundit e ndodhur në Korçë, ku krimi ishte makabër nga mjeti i zgjedhur dhe dëmtimi i viktimës, u citua gjerësisht në media si vepër e një të sëmuri mendor. Makabriteti i krimit dhe sëmundja e autorit shkonin për bukuri me logjikën “larg prej nesh” dhe me vetëmbrojtjen tonë. A ishte kjo një ngjarje që erdhi papritur apo kishte motive që e shtynë dikë drejt një akti ekstrem?! Nga media (pasi nga hetimet nuk e dimë ende të vërtetën) kuptojmë se ka pasur një motiv, një keqkuptim për një varr, histori sipas autorit 5 vjeçare.

A po fshihen mëkatet e zgjidhjes së një konflikti të rëndomtë pas një sëmundje? Ne jemi konstruktuar që të pranojmë irracionalitetin jashtë nesh, por pranojmë shumë më pak atë që i kemi kontribuar ne ngjarjes. A ka pasur të tjerë persona që kishin dijeni për konfliktin, kush ndihmoi apo u përpoq për zgjidhjen e tij, po institucionet përgjegjëse a kishin dijeni, çfarë u ndërmor për ta zgjidhur?! Të gjithë ngrenë supet…ose do të duhet të presim edhe pak për ti dhënë përgjigje këtyre pyetjeve.

Autori i krimit ishte një pacient që trajtohej për sëmundjen e tij, madje ai vuante prej më shumë se një dekade nga një sëmundje kronike mendore. Ai as nuk njihej për njeri problematik apo as si individ agresiv. Shpërtheu befasisht, ndoshta nga një akumulim i afektit ose nga pamundësia për të kontrolluar veprimet e tij, por jo pa motiv mesa duket. Mëkatet e një shoqërie të pavëmendshme, e institucioneve që nuk zgjidhin asgjë, e njerëzve që nuk dinë të zgjidhin konfliktet e zgjatura, nuk mund të fshihen apo të justifikohen me një diagnozë psikiatrike, as pas etiketës “i sëmurë mendor”.

Pas ngjarjeve të tilla, krijohet klima e margjinalizimit të të sëmurëve mendorë, padrejtësisht do të thoja unë, sepse ata janë më pak agresivë dhe më pak vrasës sesa ne “të shëndoshët”, sesa popullata e përgjithshme. Reagimi është i tillë sa, tej sëmundjes të tyre dhe problemeve që ata kanë, pyesin veten “a jemi ne të tillë?!”. Sigurisht që të sëmurët janë më pak të rrezikshëm se ne, kjo është diçka e vlerësuar statistikisht. Po ju jap një fakt, se në dekadën e fundit, në Qarkun e Korçës kjo ishte vrasja e vetme e kryer nga një i sëmurë mendor.

Ndaj nuk duhet që pesha e fajit të jetë tërësisht mbi një diagnozë, mbi një të sëmurë që mjekohej, por duhet të mendojmë seriozisht se çfarë mund të kishim bërë ne që kjo të parandalohej!