Gentian Çala: Sos mjekët

995
Sigal

Nga Gentian Çala

3000 mjekë shqiptarë kanë emigruar në vendet e BE-së, thuajse po kaq mjekë ka sistemi ynë shëndetësor dhe një numër të përafërt në Kosovë. Pra 1/3 e mjekëve të Shqipërisë dhe të Kosovës së bashku janë jashtë vendeve të tyre.

Kjo përbën sigurisht një prej profesioneve më të prekura nga ikja dhe emigrimi në dy vendet shqiptare. Madje ata që pretendojnë të ikin janë më shumë dhe hemorragjia vazhdon. Qeveritë nuk bënë asgjë për ti motivuar që të qendrojnë. Propaganda shpall programe rikthimi të tyre, të pamundura dhe aspak realiste.

Alarmi SOS është ndezur me kohë, por askush nuk ka ndërmarrë diçka. Mjekët janë të keqpaguar, të pambrojtur dhe punojnë në kushte jo të mira. Kjo i bën ata të ikin drejt vendeve të tjera. Emigrimi i mjekëve nuk zgjidhet me propagandë dhe as me programe pa vlerë, por duhen ndryshime të rëndësishme në shëndetësi.

Emigrimi i mjekëve vazhdon dhe situata duket e rënduar posaçërisht në periferi, ku spitalet po boshatisen, mjekët e pensionuar nuk zëvendësohen dhe qytetarëve u duhet të udhëtojnë larg për të marrë një shërbim. Duket se deri tani sistemi i ka përballuar mungesat, por është në prag të mbylljes së shërbimeve për shkak të mungesës së mjekëve.

Ne nuk mund të jemi “fabrika” e mjekëve që furnizon vendet e tjera me profesionistë shëndetësorë. Nëse sot qytetet zbrasen nga papunësia dhe mungesa e shpresës, nesër qytetet do të zbrasen për shkak të shërbimeve të munguara, duke përfshirë edhe ato shëndetësore. Ndaj duhen marrë masa efikase që ndalin emigracionin mjekësor dhe më pas mendoni për programe rikthimi.