Gentian Çala: Prisnim rindërtim na dhanë sekuestro…

852
Sigal

Nga Gentian Çala

Një lajm sot më bëri të kuptoj se qeveria ka prioritete të tjera nga ato të qytetarëve. Sipas referimeve në media, rreth 3000 familje në Durrës nuk kanë marrë asnjë lloj asistence (bonus qeraje) pas tërmetit, kurse të gjitha projektorët janë drejtuar te OFL-ja. Prisnim mbështetje dhe rindërtim për të pastrehët, por në axhendë duket vetëm sekuestrot propagandistike të iniciativës anti-KÇK. Megjithëse me problematika të mëdha ligjore dhe kushtetuese, Kryeministri vazhdon në të tijën, i bindur se kjo mund të jetë bileta e tij morale e hyrjes në zgjedhjet e ardhëshme.

Vendosja e ligjit dhe çështjet e sigurisë nuk mund të zgjidhen me fushata dhe aq më pak nga njerëz me integritet të rrënuar, por vetëm duke ndërtuar shtet të drejtë, institucione të qëndrueshme dhe luftë pa kompromis ndaj të gjithë atyre që shkelin ligjin, pa bërë dallime. Kurse mbështetja ndaj një katastrofe natyrore, strehimi dhe rindërtimi mund të bëhen përmes një angazhimi maksimal të strukturave shtetërore dhe jo vetëm, përmes një fushate që i jep zgjidhje të shpejta dhe të qëndrueshme të gjithë atyre në nevojë.

Nga kjo kuptoni se qeverisë sonë i janë ngatërruar prioritetet dhe fushatat, duke parë më shumë interesin e tyre dhe jo të qytetarëve hallexhinj. Dikush mund të thonte se të dyja janë të rëndësishme dhe mund të bëhen paralelisht. Po, jam dakord, por mënyra, metodologjia dhe nga prioriteti ndryshojnë. Të lesh njerëzit në mëshirën e fatit është krejtësisht papërgjegjësi e një shteti dhe e strukturave të tij. Iniciativat që përmbajnë hapësira abuzive, në shkelje të të drejtave themelore, pa respektuar ndarjen e pushteteve, jo vetëm që nuk zgjidhin problematika të caktuara, por krijojnë premisa për një shtet që godet ku të dojë dhe si të dojë.

Ndaj në vend se të ringrenë diçka në të mirë të qytetarëve, ata po zhyten më thellë në baltën që krijuan vetë. Ju që e besoni këtë iniciativë, thjesht nuk po kuptoni se ata të pushtetit të sotëm kanë premtuar shumë dhe nuk kanë mbajtur thuajse asnjë premtim. Ata bënë vetëm fasada për ju, për tu hedhur hi syve, se për ta ju nuk vleni, por vlen vetëm pushteti i tyre.

Do të doja që fjalët e mia të mos ishin të vërteta dhe që unë ta kisha gabim, por shikoni, 3 në 4 familje në Durrës nuk kanë marrë ende bonus qeraje. A nuk ju mjafton kjo të kuptoni sesa seriozisht merren me hallet tuaja?!