Gentian Çala: Pasi t’i heqim të gjithë, do të themi “rroftë mbreti”

Shpesh mendoj se anormalja është ulur këmbëkryq në këtë vend, kurse arsyeja ka marrë arratinë. Sot lexova se një megafon dhe shërbëtor pushteti, analist me emër e flokë të bardha, që nuk le studio pa dalë e pa sharë lidershipin opozitar të djeshëm dhe të sotëm, ankohej se ndihej i rrezikuar. Këta palo intelektualë vazhdojnë me avazin e rrezikut që u kanoset njerëzve nga opozita, kurse për babëzinë e pushtetit asnjë fjalë. Gazeta, studio, portale, e kudo ku munden, shajnë e nxijnë ata që nuk kanë asgjë në dorë në këtë vend. Pastaj fillojnë me hamendësimet: “radhëm e ka ky, pastaj ai, pastaj në burg…”. Tërë siguri dhe kapadaillëk bëjnë biografi e sentenca me “urdhër nga lart”!

Shqipëria duket e ndotur mediatikisht më shumë se kurrë. Ca “të pavarur”, të varur për xhepash te pushteti, fillojnë e qajnë halle antieuropianizmi e antiamerikanizmi, përmes tezave që veç ata e dinë se ku i gjejnë dhe si i sajojnë. Po për aq kohë sa i duhen të Madhit, opozitarët duhen shpallur armiq të aleatëve tanë. Qytetarët helmohen përditë nga këto rrëgime e përbetime, aq sa ka prej atyre që me naivitet fillojnë e përsërisin ato që dëgjojnë. Veshëve u duhen armiq, sto po ju servirin të tillë. Askush nuk merret me të vërtetat e hidhura: me korrupsionin, abuzivizmin e pushtetit, tjetërsimin e votave ditën për diell, braktisjen e vendit, kriminalitetin e trafiqet.

Sigal

Popullit i duhen amiq, fajtorë e njerëz që duhet të paguajnë për hallet që na kanë zënë. Pasi ti heqim të gjithë, ata do të nxitojnë të thonë: “rroftë mbreti”! Po paskëtaj, shërbëtorët e sotëm të pushtetit mund të jenë armiqtë e mbretit?! Ndodh, por mendjeshkurtrit nuk e kanë menduar këtë mundësi. Ma merr mendja që mund tu ngjasë të bien në gropën që hapën vetë. Ndaj ka ardhur koha që ti zbresin kuajve mediatikë që po ngasin e ti thërrasin arsyes, tu tregojnë shqiptarëve të vërtetën dhe të jenë të balancuar. Mbase kjo nuk u ndodh, por nëse kanë pasur ndonjë betejë morale në jetë shpresoj që ta kenë për demokracinë dhe për kombin.